Biblioteka, plane të reja e halle të vjetra! Projekt pa afate te Garda?! Studiuesi: Mos rrini indiferent! Misha: Hapësira sa vjen e ngushtohet

6 Tetor 2022, 17:04| Përditesimi: 6 Tetor 2022, 17:29

  • Share

Një muze për librin a bibliotekë qyteti, opsionet për fatin e godinës aktuale të Bibliotekës Ministria e Kulturës i çon në tjetër rrjedhë, duke parashikuar që pas restaurimit, të vendoset në funksion të Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit. Mundësinë që në brendi të ketë edhe një hapësirë biblioteke për Tiranën, e lë gjithsesi të hapur.

"Mos të harrojmë që kjo ishte një godinë që nuk kishte lindur për Bibliotekë Kombëtare, është adaptuar dhe kanë kaluar mbi 50 vjet ", u shpreh ajo gjatë çeljes së Tetorit të Librit.

Studiuesi Behar Gjoka, një nga frekuentuesit më besnikë të Bibliotekës, rrëfen se si e shikon një zgjedhje të tillë.

"Të them të drejtën si një lexues mbi 40-vjeçar në atë Bibliotekë, teksa dëgjoj lajme të tilla përpiqem t'i marr me shaka, ndonëse vijnë nga figura shumë serioze. Nuk jam që të shkojmë kundër projekteve, por jam që kur flitet për institucione kombëtare, aty duhet të ketë një prononcim të politikës qeveritare, të opozitës, të të gjithë faktorëve, sepse Biblioteka nuk është as e demokratëve, as e socialistëve, as e Ballistëve! është e lexuesve", shprehet studiuesi Behar Gjoka. 

Ministrja e Kulturës e konfirmon se vendndodhja e Bibliotekës së re Kombëtare është menduar të jetë pranë Qendrës Kombëtare të Kulturës për fëmijë, pranë Gardës së Republikës, pa folur për afate.

"Ne kemi filluar tashmë projektin e Qendrës së Kulturës, ku dhe aty do të kemi patjetër ambiente të dedikuara për librin", u shpreh ndër të tjera Margariti.

"Duhet të kuptohet problemi i Fondit. Këta që bëjnë projektet e që mendojnë se Biblioteka Kombëtare duhet të vendoset diku tjetër, a e dinë se çfarë problematike ka lëvizja e fondit të Bibliotekës Kombëtare. Sepse janë disa kate nëndhe", shton më tej Gjoka.


I pyetur në aktivitetin më të fundit të Bibliotekës pak ditë më herët, as drejtuesi i këtij institucioni duket se nuk është vënë në dijeni se ç’po ndodh me planin për godinë të re.

"Unë s'kam asnjë informacion, për fat të keq", tha drejtori i Bibliotekës Piro Misha në 20 shtator. 

Me njësitë e reja që shtohen, hapësirat në godinën aktuale ngushtohen. Ministrja thotë se Aneksi i rikonstruktuar do të “shfryjë” problemin, por ndërkaq aty do të vendosen edhe librat që ka pasur më herët.

"Hapësira në Bibliotekë sa vjen e ngushtohet. Problemi i krizës së hapësirës është serioz. Vënia në punë e Aneksit të Bibliotekës nuk e zgjidh problemin", shprehet studiuesi. 

Bashkëngjitur projektit të Aneksit, janë planifikuar edhe pajisjet e reja digjitale, të cilat siç thotë Misha, do të kërkojnë edhe trajnimin e specialistëve përkatës. 

"Në radhë të parë për Laboratorin e Restaurimit që është shumë i rëndësishëm, për Aneksin e Bibliotekës dhe digjitalizimin, sidomos të Antikuareve", shton më tej Misha. 

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Demir: 07/10/2022 06:33

    Biblioteken e mori lumi qe pas permbytjes dhe renies te disa "zjarreve" sic flitej. U bene shume vite tashme qe lexuesit nuk mund te terheqin libra per ti lexuar ne shtepi, per fat te keq.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?