Dikur inxhinir minierash, Shpëtim Jazexhiu, nuk ka ndalur së studiuari dhe lexuari libra, jo vetëm të profesionit të tij të dikurshëm, por edhe vepra letrare e sidomos libra historikë. Ai ka qenë për shumë vite me rradhë frekuentus i rregullt i bibliotekave të lagjeve, ndërsa sot është një nga anëtarët më të rregullt të Bibliotekës “Musine Kokalari” në kryeqytet.
“Marr librat, i le në një vend ku i kam marrë, por edhe në shtëpi, aq më tepër librat historikë. Jam rritur me këtë funksion të bibliotekave. Unë bibliotekën do ta kuptoja vend të dijes, shkollë më vete, ku merr atë kulturë që do.”, - thotë Jazexhiu për "Report TV".
E vendosur përgjatë unazës, biblioteka “Musine Kokalari” është një nga bibliotekat më të frekuentuara në qytet. Ajo ka një fond prej 7100 librash të inventarizuar, si dhe një fond tjetër të dhuruar prej 3600 librash. Mes tyre ka libra të autorëve shqiptarë e të huaj, libra të letërsisë artistike, libra për fëmijë, shkencorë, libra në gjuhë të huaj: italisht, frëngjisht e anglisht.
“Kemi frekuentues të moshave të ndryshme nga parashkollorë në mbi 60 vjeç. Më shumë interes shoh që kanë grupmoshat 35-60 vjeç. Lexojnë letërsi artistike, histori, biografi- të autorëve shqiptarë e të huaj.”, - tregon drejtuesja e bibliotekës "Musine Kokalari", Alketa Xhelili për "Report TV".
Ajo thotë se anëtarët e bibliotekës mund ta lexojnë librin në sallë ose ta huazojnë me vete në shtëpi. Ata që frekuentojnë sallë më së shumti janë studentët dhe anëtarët e biliotekës me kartelë.
“Nxënësit e shkollave 9 vjeçare dhe të mesme janë të interesuar shumë për librat që kanë në programet mësimore dhe iu nevojiten për provimet e lirimit. Ata mbi 50 vjeç duan librat historikë. Gjatë vitit kemi kapacitet të plotë në sallë e huazime librash. Nga 15 korriku deri në 20 gusht ka ulje të numri të frekuentuesve.”
Xhelili vëren se në vitet 2018, 2019 pas rikonstruksionit të bibliotekës pati fluks të rinjsh që e frekuentonin, ndërsa pas pandemisë së Covid, ku numër është ulur dhe ka më pak anëtarësime.
Biblioteka “Musine Kokalari” është vetëm një ndër bibliotekat e lagjeve në kryeqytet, e cila ka në fondin e vet vepra të para ’90-ës, mes të cilave edhe kopje të Mesharit të Gjon Buzukut, por edhe libra të viteve të fundit.
Komente
