Presidenti amerikan në detyrë, Joe Biden

Bota

Biden miraton dokumentin mbi sigurinë kombëtare, lidhur me katër vende kundërshtare të SHBA-ve

11 Dhjetor, 21:11| Përditesimi: 11 Dhjetor, 21:18

  • Share

Presidenti Joe Biden ka miratuar një dokument të ri mbi sigurinë kombëtare përpara kthimit të Donald Trump-it në Shtëpinë e Bardhë.

Dokumenti mund të shërbejë si një udhërrëfyes për administratën e ardhshme mes përpjekjeve në dukje të saj për t’iu kundërvënë bashkëpunimit në rritje mes Kinës, Iranit, Koresë së Veriut dhe Rusisë. Lajmi u njoftua të mërkurën (11 Dhjetor) nga Shtëpia e Bardhë.

Zyrtarët e administratës Biden nisën punën për hartimin e udhëzimeve këtë verë. Sipas dy zyrtarëve të lartë të administratës, dokumenti u hartua në formën e një udhëzimi, që mund të ndihmojë administratën e ardhshme të ndërtojë që nga dita e parë e punës, qasjen e saj mbi mënyrën se si do t’i trajtojë marrëdhëniet e vështira me vendet kundërshtarët dhe konkurrentët më të mëdhenj të Amerikës.

Zyrtarët, të cilët folën në kushte anonimiteti, thanë se dokumenti sekret nuk do të bëhej publik për shkak të ndjeshmërisë së disa prej gjetjeve që përfshihen në të.

Dokumenti përmban katër rekomandime të gjera siç janë: përmirësimi i bashkëpunimit ndërinstitucional brenda qeverisë amerikane, përshpejtimi i shkëmbimit të informacionit me aleatët rreth katër vendeve kundërshtare, kalibrimi i veprimeve në përdorimin e sanksioneve dhe mjeteve të tjera ekonomike nga ana e qeverisë amerikane për të siguruar efektivitet maksimal si dhe forcimi i përgatitjes për të menaxhuar krizat e njëkohshme që lidhen me kundërshtarët.

Për shumë vite Shtetet e Bashkuara ka qenë të shqetësuara për bashkëpunimin mes Kinës, Iranit, Koresë së Veriut dhe Rusisë. Koordinimi mes tyre është përshpejtuar si pasojë e sulmit rus në Ukrainë në vitin 2022.

Zyrtarët amerikanë vunë në dukje se në një kohë që Rusia është izoluar nga pjesa më e madhe e botës, Moska i është drejtuar Iranit për dronë dhe raketa.

Nga Koreja e Veriut, Rusia kanë siguruar artileri, raketa e madje mijëra trupa i janë bashkuar trupave ruse për t’i ndihmuar ata në përpjekjet për të zmbrapsur forcat ukrainase nga rajoni i Kurskut.

Kina ndërkohë ka mbështetur Rusinë me komponentë me përdorim të dyfishtë që e kanë ndihmuar atë të ruajë industrinë e saj ushtarake.

Në këmbim, Rusia ka dërguar avionë luftarakë në Iran dhe ka ndihmuar Teheranin në synimet e tij për të forcuar sistemet e mbrojtjes me raketa si dhe teknologjinë hapësinore.

Koreja e Veriut ka marrë nga Rusia lëndë djegëse dhe fonde shumë të nevojshme për të ndihmuar në ndërtimin e kapaciteteve të saj prodhuese dhe ushtarake.

Zyrtarët amerikanë shtuan se Rusia e ka njohur "de fakto Korenë e Veriut, si një vend me armë bërthamore".

Ndërkohë Kina po përfiton nga ekspertiza ruse dhe Moska e Pekini po punojnë së bashku për të thelluar bashkëpunimin e tyre teknik ushtarak. Po kështu ata po kryejnë patrullime të përbashkëta në rajonin e Arktikut.

Presidenti Biden dhe Presidenti i zgjedhur Trump kanë botëkuptime të ndryshme, por zyrtarët e të dyja administratave, asaj në largim dhe asaj që po vjen në pushtet, thanë se ata kanë kërkuar të koordinojnë çështjet e sigurisë kombëtare gjatë tranzicionit.

Një nga zyrtarët tha se me këtë dokument Shtëpia e Bardhë "nuk po përpiqet t'ia vështirësojë punën administratës Trump apo ta orientojë atë drejt një opsioni të caktuar”.

Zyrtari tha se dokumenti synon të ndihmojë administratën e ardhshme të ndërtojë "kapacitet" ndërsa formëson qasjen në disa prej politikave të jashtme më të vështira, me të cilat do të përballet. /VOA/

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?