Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) Joe Biden njoftoi synimin e tij për të emëruar ish-të dërguarin amerikan për Ballkanin, Jim (James) O’Brien, si Ndihmës të Sekretarit të Shtetit për çështjet Evropiane dhe Euroaziatike.
Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi nga Shtëpia e Bardhë në Uashington.Propozimi pret konfirmimin nga Senati amerikan.O'Brien ka qenë pjesë e delegacionit amerikan gjatë negociatave në Rambuje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në vitin 1999.
Që nga viti 2022, Jim O’Brian punon si shef i Zyrës së Koordinimit të Sanksioneve, me gradën e ambasadorit, në Departamentin amerikan të Shtetit.
Sipas njoftimit nga Shtëpia e Bardhë, O'Brien më parë shërbeu në dy administrata amerikane, si i dërguar special presidencial. Ai shërbeu si këshilltar i lartë i ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, dhe i dërguar presidencial për Ballkanin.
“Ai udhëhoqi një program të madh dhe të suksesshëm sanksionesh dhe këshilloi për një sërë çështjesh, duke përfshirë negociatat e paqes në Evropë, marrëveshjet shkencore dhe mjedisore, tranzicionin post-sovjetik të Rusisë dhe Ukrainës, si dhe iniciativat për të hetuar dhe ndjekur penalisht personat përgjegjës për krimet e luftës”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.
O’Brien ishte i angazhuar edhe në gjetjen e një zgjidhjeje për përfundimin e luftës në Bosnjë e Hercegovinë dhe ndihmoi në formulimin e Marrëveshjes së Dejtonit, të vitit 1995, e cila i dha fund kësaj lufte.
Ai gjithashtu, udhëhoqi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Gjykatën Ndërkombëtare për krime të luftës në ish-Jugosllavi, me seli në Hagë, e cila ndihmoi për sjelljen para drejtësisë të personave përgjegjës për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit.REL