Ylli I basketbollit, Brittney Griner

Biden takohet me familjarët e amerikanëve të burgosur në Rusi: I përkushtuar që të kthehen në SHBA

17 Shtator 2022, 15:33| Përditesimi: 17 Shtator 2022, 15:37

  • Share

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, u takua me familjarët e yllit të basketbollit, Brittney Griner, dhe ish-marinsit amerikan, Paul Whelan. Kjo është hera e parë që Biden takohet me familjarët e Griner dhe Whelan, të cilët janë të burgosur në Rusi.

Në takime të ndara në Zyrën Ovale më 16 shtator, Biden bisedoi me motrën e Whelan, Elizabeth Whelan, dhe më pas me Cherelle Griner, gruan e fitueses së medaljes së artë olimpike.

Sekretarja për media e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, tha përmes një deklarate se Biden ka theksuar se ai “vazhdon të jetë i përkushtuar për të punuar në të gjitha drejtimet që Brittney dhe Paul të kthehen në shtëpi”.

“Ai i pyeti për gjendjen e Elizabeth dhe Cherelle dhe familjarëve të tyre gjatë kësaj periudhe të vështirë”, tha Jean-Pierre. “Presidenti e çmoi mundësinë për të mësuar më shumë për Brittneyn dhe Paulin nga ata që i duan më së shumti dhe pranoi se çdo minutë që ata po mbahen më shumë, është një minutë më shumë sesa do të duhej të mbaheshin”.

Më herët gjatë 16 shtatorit, zëdhënësi i Këshillit për Siguri Kombëtare, John Kirby, u tha gazetarëve se po “vazhdojnë bisedimet” për të siguruar lirimin e Griner.

“Presidenti nuk do të heqë dorë nga kjo çështje. Ai ka besim se kjo do të mbetet në krye të agjendës së tij dhe të ekipit të tij”, tha Kirby.

Cherelle Griner, përmes një deklarate të lëshuar, falënderoi presidentin Biden për takimin dhe “përpjekjet e administratës së tij për të siguruar lirimin e saj”.

“Kam ndierë çdo minutë të këtyre shtatë muajve pa të”, tha ajo.

Qeveria amerikane thotë se Rusia ka burgosur padrejtësisht shtetasit amerikanë Whelan dhe Griner, dhe këto raste ka caktuar që të merret zyra e kryenegociatorit për pengje. Para dy muajsh sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, njoftoi se administrata amerikane kishte bërë një propozim thelbësor ndaj Rusisë.

Griner, fituese e dy medaljeve olimpike në basketboll, mbahet nga Rusia që nga shkurti për akuza të lidhura me drogë. Muajin e kaluar ajo u dënua me nëntë vjet burgim, një vendim që Biden e ka cilësuar si “të papranueshëm”.

Më 2020, Whelan u dënua për spiunim dhe aktualisht po vuan burgimin prej 16 vjetësh. Ish-marsini amerikan dhe familja e tij thonë se akuzat ndaj tij janë të rreme.

Rusët kanë lënë të kuptohet se janë të hapur të negociata, por po ashtu ata kanë thënë se do të ishte e përshtatshme që këto bisedime të mbeteshin private. Negociatat janë ndërlikuar për shkak të raporteve të tensionuara midis Uashingtonit dhe Moskës për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

Mediat kanë cituar burime amerikane të cilat kanë thënë se rusët do të shkëmbenin Grinerin dhe Whelanin me tregtarin e armëve, Viktor Bout, i cili aktualisht po vuan një dënim prej 25 vjetësh në SHBA. Bout u dënua nën akuzat për komplot për të vrarë shtetas amerikanë dhe për ndihmën për një organizatë terroriste./REL

D.GJ/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?