Bota

Biden takohet me familjen e afrikano-amerikanit Floyd, një vit pas vdekjes së tij

26 Maj 2021, 08:09| Përditesimi: 26 Maj 2021, 08:14

  • Share

Ata ndanë dhimbjen, qeshën së bashku në Zyrën Ovale, dhe folën për atë që Presidenti Joe Biden e quajti "realiteti i vështirë i përçarjes që racizmi na ka sjellë prej kohësh".

Përvjetori i parë i vdekjes së George Floydit pritej të ishte një moment historik në Uashington, një kohë për të shënuar miratimin e një ligji të reformës policore për ta bërë sistemin e drejtësisë penale më të drejtë. Në vend të kësaj, familja e afrikano-amerikanit George Floyd u takua me Presidentin Biden dhe Nënpresidenten Kamala Harris në Shtëpinë e Bardhë të martën për të përkujtuar humbjen e tyre dhe për të vazhduar përpjekjen për miratimin e një ligji të reformës në polici.

"Ishte një kujtesë për atë që i ndodhi vëllait tim", tha Philonise Floyd për takimin me Presidentin Biden, duke e quajtur presidentin "një njeri të vërtetë".

Sipas nipit të George Floydit, Brandon Williams, Presidenti Biden u tha atyre se "ai thjesht dëshiron që ligji të jetë domethënës dhe të ruajë trashëgiminë e George (Floydit)". Williams tha se Biden shprehu "shqetësim të sinqertë" për familjen.

Presidenti Biden gjeti kohë gjatë takimit për të luajtur me vajzën e vogël të George Floydit, Gianna, e cila më vonë qëndroi para kamerave jashtë Shtëpisë së Bardhë dhe thirri me një zë të butë, "thuaje emrin e tij". Anëtarët e familjes u përgjigjen me brohoritjen "George Floyd".

Njëra nga motrat e George Floydit, Bridgett Floyd, nuk mori pjesë në takim, duke thënë se ajo do të vinte në Uashington vetëm kur të nënshkruhej ligji për reformën në polici.

"Atëherë do të shkoj në Uashington D.C.", tha ajo nga Minesota.

Ajo dhe disa anëtarë të tjerë të familjes u bashkuan me kryebashkiakun e Minneapolisit, Jacob Frey dhe të tjerët në një ceremoni për të shënuar përvjetorin në qytetin ku George Floyd vdiq. Ceremoni të ngjashme u zhvilluan edhe në Nju Jork, Los Anxhelos dhe qytete të tjera në Shtetet e Bashkuara dhe jashtë saj.

Me projekt-ligjin Akti George Floyd për Drejtësi në Polici ende në pritje të miratimit në Kongres, familja e tij filloi takimet e tyre ditore me ligjvënësit atje dhe u kthye më vonë në Shtëpinë e Bardhë, duke i bërë thirrje negociatorëve të kongresit që ta miratojnë atë.

Ata u takuan të martën në mëngjes me Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi dhe ligjvënësen nga Kalifornia Karen Bass, të cilët ndihmuan në procesin e shqyrtimit dhe miratimit të projektligjit në Dhomën e Përfaqësuesve. Familja Floyd pati takime individuale më vonë gjatë ditës me senatorin demokrat nga Nju Xhërsi, Cory Booker dhe senatorin republikan nga Karolina e Jugut, Tim Scott, negociatorët kryesorë të Senatit të projekt-ligjit.

Duke folur më herët në Kongres së bashku me zonjën Pelosi dhe ligjvënësit e tjerë, Philonise Floyd deklaroi për vëllain e tij se: "Sot është dita që ai e vuri botën në zemërim."

 

"Ne duhet të punojmë së bashku për t'u siguruar që njerëzit të mos jetojnë më me frikë në Amerikë", tha ai.

Floyd vdiq më 25 maj të vitit 2020, pasi oficeri i policisë së Mineapolisit Derek Chauvin i vuri gjurin në qafë për më shumë se nëntë minuta gjatë arrestimit të tij. Vdekja e tij shkaktoi protesta disa mujore kundër racizmit në mbarë vendin, të cilat u përhapen në nivel global dhe nxitën një debat të ri mbi reformën në polici. Chauvin u shpall fajtor muajin e kaluar për një një numër akuzash, përfshirë atë për vrasje.

Nuk ka patur ende një përgjigje legjislative për këtë ngjarje. Megjithatë, negociatorët demokratë dhe republikanë në Senat mbeten optimistë, duke shfaqur një solidaritet të qëndrueshëm që është i pazakontë për bisedime të tilla dhe duke mos sulmuar publikisht njëri-tjetrin mbi këtë çështje.

"Shpresojmë t'i sjellim ngushëllim familjes tuaj duke miratuar ligjin shumë shpejt", tha Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi para familjes Floyd.

Kjo është një betejë legjislative e profilit të lartë në të cilën Biden nuk ka marrë rolin kryesor, duke preferuar të lërë punën e gjetjes së një kompromisi në duart e ligjvënësve në Kongres, në kontrast me avokatinë e tij të etur, si publike dhe private, për propozimin e tij mbi infrastrukturën dhe paketat financiare të COVID -19.

"Ne kemi respektuar hapësirën e nevojshme që u duhet negociatorëve për këto diskutime", tha të martën zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë.

Ajo dhe negociatorët e Kongresit nuk pranuan të ofrojnë një afat të ri për arritjen e një marrëveshjeje./VOA

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?