Biden takon udhëheqësit e Japonisë dhe Koresë së Jugut, diskutime mbi çështje të sigurisë

18 Gusht 2023, 21:51
  • Share

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden dhe liderët e Koresë së Jugut dhe Japonisë ranë dakord të premten për të thelluar lidhjet ushtarake dhe ekonomike.

Administrata Biden mbajti samitin me krerët e aleatëve kryesorë të SHBA-së në Azi me Presidentin e Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol dhe kryeministrin japonez, Fumio Kishida, ndaj kërcënimeve bërthamore nga Koreja e Veriut, raporton Reuters.

Sipas deklaratës së përbashkët të samitit, të tre vendet u angazhuan të konsultohen menjëherë me njëri-tjetrin gjatë krizave dhe të koordinojnë përgjigjet ndaj sfidave rajonale, provokimeve dhe kërcënimeve që prekin interesat e përbashkëta.

Ata ranë dakord gjithashtu të zhvillojnë stërvitje trepalëshe ushtarake çdo vit dhe të ndajnë informacion në kohë reale mbi lëshimet e raketave të Koresë së Veriut deri në fund të vitit 2023. Vendet premtuan të mbajnë samite trepalëshe çdo vit.

"Lidhur me sjelljen agresive që kemi parë së fundmi nga Republika Popullore e Kinës (PRC) në Detin e Kinës Jugore, ne kundërshtojmë fuqimisht çdo përpjekje të njëanshme për të ndryshuar statusin në ujërat e Indo-Paqësorit”, thuhet në deklaratë.

Angazhimet në samitin e parë të Biden në Camp David për liderët e huaj përfaqësojnë një lëvizje të rëndësishme për Seulin dhe Tokion, të cilat kanë një histori të gjatë të mosbesimit të ndërsjelltë.

"Vendet tona janë të forta dhe bota do të ishte më e sigurt ndërsa qëndrojmë së bashku", tha Biden, duke lavdëruar liderët vizitorë për "guximin e tyre politik" duke u bashkuar në këtë takim.

Yoon tha: "Tre vendet tona duhet të bashkohen fort në mënyrë që liria jonë të mos kërcënohet apo dëmtohet".

Kishida tha se mbledhja tregoi se të tre vendet "po krijojnë një histori të re duke filluar që nga sot".

Me inkurajimin e Uashingtonit, Tokio dhe Seuli po ‘kalojnë’ mosmarrëveshjet e tyre që datojnë nga pushtimi i Gadishullit Korean nga Japonia në vitet 1910-1945.

Këto mosmarrëveshje janë ndër arsyet pse liderët nuk do të konsideronin tani një pakt të mbrojtjes së ndërsjellë sipas asaj që Shtetet e Bashkuara kanë veçmas me Korenë e Jugut dhe Japoninë, deklaruan zyrtarët amerikanë të cilët nuk pranuan të identifikoheshin.

"Ajo që kemi parë gjatë dy muajve të fundit është një lloj diplomacie që të lë pa frymë, që është udhëhequr nga udhëheqës të guximshëm si në Japoni ashtu edhe në Korenë e Jugut", tha Kurt Campbell, koordinatori i Biden për çështjet Indo-Paqësorit. 

S.S/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?