Konfindustria vlerëson, se fuqia konkurruese e ekonomisë shqiptare, krahësimisht shteteve të Rajonit dhe partnerëve kryesorë tregtarë, ka rënë me mbi 8 pikë përqindje në 3 mujorin e parë të vitit 2022.
Analiza e kryer nga Qendra e Studimeve të Konfindustrisë ka treguar, se shkak kryesor për humbjen e fuqisë konkurruese të ekonomisë shqiptare janë si më poshtë:
1- Thellimi në vlerë absolute dhe relative të kostove shtesë të karburanteve për bizneset dhe qytetarët. Shqipëria ka çmime të karburanteve 10-25% më të larta.
2- Kostot e energjisë elektrike për industritë dhe prodhimin. Çmimi i energjisë elektrike është më i larti në Rajon për industritë dhe bizneset.
3- Mungesa e politikave financiare dhe fiskale efikase mbështetëse për përballimin e pasojave të krizës globale të lëndëve të para. Shqipëria është vendi me mbështetjen financiare më të ulët në Rajon për përballimin e pasojave të krizës së Ukrainës dhe tregjeve globale.
4- Politikat tregtare dumping e drejtpërdrejta dhe të tërthorta të shteteve konkurrente për eksportet e tyre në dëm të prodhimeve dhe shërbimeve vendore.
Pasojat janë të rënda sidomos në sektorët e industrisë dhe shërbimeve. Më të ndjeshëm nga rënia e fuqisë konkurruese të ekonomisë shqiptarë janë: - sektorët e materialeve të ndërtimit, - bujqësia, - agroindustria, -eksportet, - turizmi, - ndërtimi, - mineralet, etj.
Konfindustria vlerëson, se nëse sa më shpejt nuk merren masat e nevojshme dhe zgjatet në kohë goditja e fuqisë konkurruese të ekonomisë shqiptare, pasojat do të jenë të rënda deri në falimentim pa kthim për industri dhe biznese të rëndësishme shqiptare.