FIER-19 lindje më pak se 2020 janë regjistruar në 6 mujorin e parë të këtij viti në maternitetin e Fierit, ku kanë ardhur në jetë 574 foshnja duke shënuar një ulje të lindshmërisë për këtë qytet.
Mjeku gjinekolog Besnik Brahimaj në maternitetin e Fierit shpjegon se shkaqet kryesore që kanë ndikuar në këtë tkurrje të popullsisë janë faktorët e ndryshëm socialë, planifikimi familjar dhe rritja e kërkesave te grave për të pritur lindjet në kryeqytet.
“Nga viti 90 numri i lindjeve në maternitetin e Fierit ka ardhur duke u ulur. Ka disa shkaqe. Në vitin 2021, 6 mujori i parë ka pasur 574 foshnja më pak se 6 mujori i parë i vitit të kaluar. Arsyet e uljes së lindshmërisë janë faktorë të shumtë: Ka filluar të përdoret shumë planifikimi familjar, një nga arsyet është se gratë kanë kërkuar të lindin në Tirane dhe sidomos në 2-3 vitet e fundit ka një lëvizshmëri të madhe në drejtim të Tiranës", tha mjeku.
Brahimaj thotë se vitet e fundit ka pasur një tendencë të grave shtatzëna për të kryer lindje me operacion.
“Vitet e fundit tendenca është drejte lindjeve të grave me operacion. Faktorë kryesor është kërkesa e vetë grave që në momentin e parë planifikojnë që lindjen do ta bëjnë me operacion, çka ka bërë që numri i lindjeve është bërë më operacion në 60 përqind të lindjeve", vijoi ai.
Sipas të dhënave të INSTAT në shkallë vendi në muajt e parë të2021 numri i lindjeve është 6.006, duke shënuar një rënie me 5,4 %, krahasuar me po të njëjtën periudhë të një viti më parë.