Arka e shtetit do të përfitojë 1.350 miliardë lekë në vit, vetëm nga futja në skemën e akcizës të jahteve dhe mjeteve lundruese për argëtim që deri më tani furnizohen me karburant pa taksë. Ministria e Financave ka propozuar që të vendoset një taksë 65 lekë për çdo litër karburanti që marrin këto mjete.
Sipas përllogaritjeve të bëra nga financat thuhet se këto mjete janë furnizuar me 18 mijë tonë karburant në vit, ose rreth 21 milionë litra karburant. Këto vendime sipas argumentit të financave janë bërë për 2 arsye kryesore.
“Rishikimi i politikave tatimore, duke korrigjuar përjashtimet dhe tarifat e reduktuara dhe joefektive, dhe implementimi i kësaj Strategjie do bëjë të mundur rritjen e mobilizimit të të ardhurave tatimore shtesë në buxhet, duke pasur një sistem tatimor neutral që shmang deformimet, të thjeshtë, efecient dhe të lehtë për tu zbatuar nga tatimpaguesit”, thuhet në relacion.
Një vendim i tillë vjen pas kritikave që Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka bërë qeverisë për lehtësirat fiskale që ka aplikuar.
“Qëllimi i propozimeve është konsolidimi i të ardhurave nga akciza, nëpërmjet përafrimit të tyre gradual me nivelin e akcizave të parashikuara në Direktivën e BE-së, si dhe moslejimin e hapësirave ligjore për shmangie nga pagesa e akcizës, duke shfrytëzuar shkallët e diferencuara të saj për përdorues të ndryshëm”, thuhet në projektligj.
Me këto ndryshime që ende janë në kuadër të diskutimeve, bie edhe privilegji i jahteve, që furnizohen me naftë me çmim të ulët.