Furnizimi me energji këtë vit po na kushton 6 fish më shumë se vjet. Të dhënat e bëra publike nga Korporata Elektroenergjetike mbi ankandet e zhvilluara gjatë këtij viti tregojnë se brenda 7 muajsh u blenë 783,251 megavat/orë energji, ku rreth gjysma e kësaj sasie i takon vetëm muajit korrik.
Për të garantuar furnizim pa ndërprerje, janë shpenzuar për periudhën janar-korrik 100.8 milionë euro, që kanë shkuar për blerje energjie elektrike në bursën ndërkombëtare. Ndërsa vjet në të njëjtën periudhë u blenë vetëm 16.9 milionë euro energji elektrike, praktikisht 6 herë më pak.
Muaj më i kushtueshëm deri më tani është korriku, pasi në 5 ankande të zhvilluara brenda këtij muaj, janë blerë 43.6 milionë euro energji elektrike, sipas raportimeve të KESH.
Këto vlera të mëdha të importit, sinjalizojnë një verë të ‘nxehtë’ edhe për çmimet. Deri më tani importi më i shtrenjtë i energjisë ka qenë në muajin shkurt, ku 33.600 megavat janë blerë me 162.1 euro megavati, dhe çmimi më i lirë është regjistruar në datat 13-15 qershor, një megavat u ble për 71.8 euro. Por korriku ka sjellë përsëri shtrenjtim të çmimit deri në 136 euro megavati.
Mungesa e reshjeve ka reduktuar prodhimin vendas i cili bazohet kryesisht në hidrocentrale. Nga ana tjetër ditët e nxehta dhe shtimi i përdorimit të kondicionerëve e ka rritur edhe më shumë kërkesën për energji elektrike.
Gjatë sezonit veror konsumi i energjisë rritet deri me 20%, ku ndikim të lartë kanë edhe shtimi i turistëve, që shoqërohet me rritje jo vetëm të kërkesës për energji nga familjet por edhe nga bizneset.
Komente

Baza e furnizimit me energji mbeten 3 digat në lumin drin të ndërtuara nga Enveri të gjitha të tjerat janë të pa përfillëshe...rregullatori i këtyre digave është SKAVICA ...u fol për ndërtimin e sajë nga një kompani Amerikane por bla bla bla,ku janë se u bënë 35 vite dhe në këtë vend nuk ka asnjë biznes nga këta...mbetëm gjith jetën duke thënë JU NGRIT APO JU UL FIERZËS...SKAVICA ËSHTË REGULLATORI I KËSAJ KASKADE....
Përgjigju