Java e parë e këtij muaj, po i kushton shumë Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, e cila po blen energji nga jashtë për të garantuar furnizim pa ndërprerje. Në ankandin e fundit KESH ka importuar 25 mijë megavat/orë energji elektrike me vlerë 2.6 milionë euro për datat 1-7 korrik, ose mesatarisht 382 mijë euro një ditë furnizim me energji.
Energjia në ankandin e parë për muajin korrik është blerë me çmim mesatar 106.6 euro dhe 105 euro megavati. Ndërkohë çmimet në bursën ndërkombëtare luhaten në vlerat 96 euro deri në 141 euro megavat/orë.
Temperaturat e larta dhe mungesa e reshjeve kanë detyruar KESH të blejë energji nga jashtë, për shkak se prodhimi nëpër hidrocentrale nuk është i mjaftueshëm për të garantuar furnizim pa ndërprerje. Gjatë këtyre muajve rritet më shumë konsumi i energjisë për shkak se temperaturat e larta shtojnë përdorimin e kondicionerëve.
Ndërkohë përgjatë muajit të kaluar KESH ka zhvilluar 3 ankande ku bleu mbi 95 mijë megavat energji elektrike me vlerë 9.8 milionë euro në tregun ndërkombëtar. Pra në total qershor-korrik janë shpenzuar 12.5 mln euro për importin e energjisë.
Këto janë katër tenderët e parë të hapur këtë vit për blerje energjie, pasi deri në fillim të qershorit furnizimi me energji është mbuluar nga prodhimi i hidrocentraleve në vend.