Drejtoresha e Përgjithshme Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj ka përgënjeshtruar një lajm të publikuar nga disa portale të financuara nga Partia Demokratike, ku thuhet se ka rënë sistemi i shërbimeve elektorike të noterëve i ndërtuar nga AKSHI dhe për pasojë është humbur aksesi në verifikimit e të dhënave. Ajo thotë se Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit nuk ka asnjë përgjegjësi për funksionimin e sistemit të notereve, duke qenë se nuk është sistem i AKSHI-t, duke e cilësuar këtë një fake news.
"Ndërkohë që e vërteta është duke veshur këpucët, gënjeshtra ka bërë xhiron rreth botës. Është e trishtueshme dhe e tmerrshme në të njëjtën kohë se si një fake news, përhapet në kohë rekord ndërsa një lajm i mirë zor se e sheh dritën e botimit, ndonjëherë. Për hir të opinionit publik, sqaroj se AKSHI nuk ka asnjë lidhje me këtë sistem dhe ftoj mediat që pas publikimit të një lajmi të rremë, të pasqyrojnë të vërtetën! Sulme e fabrikime të tilla lajmesh, nuk do e ndalin kurrë punën e AKSHI-it dhe e-albania për të lehtësuar jetën e qytetarëve", shkruan Karçanaj.
Gjithashtu, ka reaguar edhe Igli Gjelishti, i cilësuar nga të njëjtat portale si ndërtues i këtij sistemi nëpërmjet kompanisë së tij, duke theksuar se kompania e tij apo ai vetë, nuk kanë qenë të përfshirë në asnjë sistem noterësh.
"Kompania ime apo unë vetë, s’kemi qenë të përfshirë në asnjë sistem noterësh. Mbase do e kishim bërë, po kemi qenë shumë të zënë duke ndërtuar një sistem për parashikim tërmetesh", shkruan Gjelishti, pa kursyer ironinë kundrejt portaleve të njohura për fake news të rrezikshëm në të shkuarën.