Një zjarr ka rënë mëngjesin e ditës së sotme, në një biznes që jep makina me qira në Kamëz. Si pasojë e flakëve janë djegur 6 nga makinat që jepeshin me qira në këtë biznes.
Burime bëjnë me dije se pronari i makinave Edjon Hoxha kishte vetëm 5 ditë që kishte hapur biznesin e dhënies së automjeteve me qira. Mjetet dyshohet se janë djegur qëllimisht me benzinë.
Pista e parë e hetimeve mbetet ajo e konkurrencës. Hoxha është marrë në pyetje nga Komisariati nr. 5 ku ka deklaruar se nuk ka patur probleme me persona të tjerë gjatë kohëve të fundit. Edjon Hoxha është me precedent penal në fushën e narkotikëve. Por kjo nuk po hetohet nga efektivët, pasi pista kryesore ajo e konkurrencës.
“Më datë 05.06.2024, rreth orës 04:00, në rrugën “Donald Trump”, Kamëz, ka rënë zjarr dhe janë djegur disa automjete, në një biznes për dhënien e automjeteve me qira. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes", njofton Policia.
Në videot e siguara nga Report Tv shihet se pas zjarrit kanë mbërritur forcat zjarrfikëse për të bërë të mundur neutralizimin e flakëve.