Ekonomi

Bien borxhet e institucioneve, zbresin me 24.9 mln euro! Eksperti Muço: Pozitive, duhet kujdes me detyrimet gjyqësore

21 Maj 2021, 17:15| Përditesimi: 21 Maj 2021, 17:33

  • Share

168.8 milionë euro është vlera e detyrimeve të papaguara, për shërbime, mallra, vendime gjyqësore  apo investime, deri në fund të muajit mars të këtij viti. Totali i faturave të prapambetura është në rënie krahasuar me dhjetorin e 2020, ku detyrimet ishin 193,8 milionë euro. Për ekspertin e ekonomisë Klodian Muço ulja e borxheve është tepër pozitive për ekonominë, por ngre si shqetësim rritjen e detyrimeve nga vendimet gjyqësore. 

“Ajo që bie në sy janë detyrimet gjyqësore dhe që vijnë kryesisht nga heqjet e padrejta nga puna. Ndërkohë që është për tu vlerësuar ulja e detyrimeve nga TVSH-ja, detyrimet që shteti duhet ti kthej privatit. Kjo ndikon pozitivisht në mbështetjen e bizneseve, që mund të lidhet edhe me fushatën elektorale”, shprehet Muço.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave detyrimet më të mëdha janë krijuar nga pushteti qendror me 64.7 milionë euro, ndjekur nga ai vendor me 55.9 milionë euro dhe 48,1 milionë euro borxhe për rimbursimin e TVSH-së.  Sa i takon këtyre treguesve Muço thotë se duhet të tregohet kujdes me bashkitë.

“Detyrimet e bashkive janë rritur nga viti në vit. Bashkia e Kavajës është në risk falimenti, por janë edhe disa bashki të tjera në veri të vendit. Nëse nuk do të kemi një ndërhyrje nga qeveria nëpërmjet të transfertës së pakushtëzuar kam përshtypjen që disa bashki do të shkojnë drejt falimentit”, sqaron eksperti Muço.

Ministria e Infrastrukturës, e Financave dhe e Mbrojtjes kanë detyrimet më të mëdha të papaguara, ndërsa tek pushteti vendor Kavaja, Tirana dhe Vora paraqiten me më shumë borxhe, kryesisht për investime.

 

TOTALI I DETYRIMEVE TË PAPAGUARA

Viti 2020          193,873,491

Mars 2021      168,875,038

Diferenca        -24,998,453

 

DETYRIMET E SIPAS KATEGORIVE

Pushteti qendror                64,719,157

Pushteti vendor                  55,975,150

Rimbursimi i TVSH-së         48,183,985

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?