Bien në 4.7% kreditë me probleme, niveli më i ulët prej 2008-ës! Banka e Shqipërisë: Në fund të 2023-shit, kredia e keqe ishte 35.2 mld lekë

9 Shkurt, 14:30| Përditesimi: 9 Shkurt, 14:49

  • Share

Viti 2023 pavarësisht se regjistroi norma të larta interesi, u shoqërua me rënie të kredive me probleme. Përkundjet të gjitha pritshmërive se situata e pasigurt ekonomike, inflacioni i lartë dhe rritja e normës bazë të interesit do të rriste huatë me probleme, në fund të dhjetorit Banka e Shqipërisë raporton se ato zbritën në 4.7%.

Ky është niveli më i ulët i regjistruar që prej vitit 2008 kur kanë nisur raportimet e para për këtë tregues. Konkretisht në fund të dhjetorit kredia e keqe vlerësohet të jetë 35.2 miliardë lekë, ndërsa totali i kredisë së dhënë për ekonominë vjet arriti 743,7 miliardë lekë.

Mbajtja në nivel të ulët të kredive të këqija tregon se fuqia paguese e kredi marrësve nuk ka pësuar ulje, kjo lidhet edhe me forcimin e lekut, që ka ndihmuar qytetarët që i kanë të ardhurat në lekë. Forcimi i lekut ka ndihmuar të gjithë qytetarët që i kanë kreditë në euro, pasi për këstet e tyre kanë paguar më pak se në vitin 2022, kjo për shkak se 1 euro vjet ka kushtuar rreth 9% më pak se në 2022-shin.

Nga ana tjetër edhe normat e favorshme të interesit për kreditë në lekë, kanë dhënë impaktin e tyre në ruajtjen e fuqisë paguese të kredimarrësve në vitin e shkuar.

Viti 2023 është shoqëruar edhe me rritje të kreditimit si të bizneseve ashtu edhe të qytetarëve. Përgjatë vitit të kaluar totali i kredisë së re të dhënë arriti në 318.8 miliardë lekë, duke pësuar një rritje me 40.4 miliardë lekë krahasuar me vitin 2022.

B.V//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?