Flokët e para të dëborës kanë trokitur në xhamat e shtëpive në Korçë. Zona malore e Panaritit është zgjuar këtë mëngjes nën madhështinë e bardhësisë. Temperaturat janë ulur ndjeshëm në Korçë, ku në disa zona termometri ka shënuar -2 gradë celsius.
Pothuajse të gjitha zonat malore në juglindje të Korçës janë përfshirë nga reshjet e dëborës. Reshjet janë regjistruar në zonë e Mashkullores, në Voskopojë, Lekas, Dardhas, Velçan, si dhe majën e Bigllës në Dardhë. Burime zyrtare bëjnë me dije se trashësia e dëborës në Panarit ka shkuar deri në 5 cm. Në kushte të tilla drejtuesve të mjeteve ju kërkohet që në aksin Shtyllë-Panarit të lëvizin vetëm me zinxhirë.
Dëborën e parë për këtë vit nuk e ka pritur vetëm Korça, por reshje bore ka pasur edhe në Malin e Gramozit në Kolonjë dhe në Mokër të Pogradecit. Ndërkohë flokë bore kanë rënë edhe në Kukës, ku reshjet e para i ka pritur Shishtaveci dhe mali i Gjallicës. Deri më tani situata paraqitet e normalizuar, pasi reshjet kanë qenë të lehta dhe nuk kanë shkaktuar probleme.
Deri më tani situata paraqitet e normalizuar, pasi reshjet në të gjitha zonat kanë qenë të lehta dhe nuk kanë shkaktuar probleme. Probleme të vogla mësohet të ketë pasur në disa fshatra të zonave malore në Korçë sa i përket furnizimit me energji elektrike.
Qyteti i Kukësit ka pritur reshjet e para të dëborës. Temperaturat janë ulur ndjeshëm që prej mesnatës së djeshme, duke bërë që flokët e para të borës të bien në Shishtavec. Dëbora ka zbardhur edhe malin e Gjallicës. Njëjtë si në Korçë, edhe në Kukës reshjet e borës janë të lehta, duke mos shkaktuar kështu probleme. Autoritetet lokale thonë se kanë marrë masa për të pritur dimrin e sivjetshëm veçanërisht në zonat malore.