Ishte viti 2015 kur Driant Zeneli ishte kthyer si çdo verë në shtëpinë e tij e do të merrte një ftesë për të realizuar një vepër arti në Metalurgjik të Elbasanit. Takimi me mikun e tij të liceut, që dikur ëndërronte të punonte me mjete fluturuese duket se do t’ia shkurtonte rrugën drejt krijimit të tij të ardhshëm. Mario si protagonisti i veprës “Nuk do të ishte e mundur të lije planetin tokë, pa forcën e gravitetit”, tanimë pasi kishte realizuar pasionin e tij të hershëm, i rrëfen se dëshironte të largohej, nga ky vend, nga ky planet. Lind kështu edhe vepra e parë e ciklit “Në një sipërfaqe s’ka asgjë më shumë se sa një sipërfaqe tjetër”. Një kronologji që përmbyllet me “Ndoshta kozmosi nuk është aq i jashtëzakonshëm”, vepër të cilën instinktivisht Zeneli e përzgjodhi për të përfaqësuar Shqipërinë në Bienalen e Artit në Venecia, sapo iu bë ftesa nga Ministria e Kulturës. Vepra “Ndoshta kozmosi nuk është aq i jashtëzakonshëm” është nën kurimin e Alicia Knock, kuratore në Qendrën “Pompidou” në Departamentin e Artit Bashkëkohor, në Paris.
Gjithë rrugëtimi i veprave të Driant Zenelit, që prezantohen në Bienalen e Artit në Venecia 2019 lind në vitin 2015...
Ky rrugëtim ka nisur në vitin 2015, me veprën e parë që realizohet në metalurgjik, e cila është frymëzuar nga ëndrra e një miku, i cili kërkon të lërë tokën. Vepra e parë titullohet, “Nuk do të ishte e mundur që të lije planetin tokë, pa forcën e gravitetit”. E kështu gradualisht më pas janë realizuar veprat e tjera, derisa m’u dha mundësia për të marrë pjesë në Bienalen e Artit në Venecia. Unë propozova veprën, që titullohet “Ndoshta kozmosi nuk është aq i jashtëzakonshëm”, me të cilën përmbyll të gjithë ciklin që quhet “Në një sipërfaqe nuk ka asgjë tjetër, veçse një sipërfaqe tjetër.
Por, përveçse elementëve artistikë, cilët janë elementët nga e shkuara, edhe e tashmja personale e Driant Zenelit, që do të jenë në këtë Bienale?
Patjetër, që gjithçka lind nga një dëshirë personale, edhe zhvillohet nga një takim me shumë persona. Unë jam aty, por nuk jam vetëm. Vepra që unë prezantoj në Bienale lind në Bulqizë, lind në komunitetin e Bulqizës. Në datë 10 maj pesë fëmijë do të prezantohen në Bienalen e Artit në Venecia.
Është kjo për artistin puna e tij e parë, ku titulli ka lindur para veprës, natyrshëm duke lexuar librin “Drejt Epsilonit të Eridanit”, (i botuar në vitin 1983 dhe i ribotuar i plotë në vitin 2018) ku një nga 5 heronjtë austrounatë e thotë këtë frazë me një zë të brendshëm. “Para 30 viteve me një grup miqsh unë ndodhem në një jaht në 2474-ën”, që në hyrje të librit, i cili ka për autor Arion Hysenbegasin artisti has lidhjen me të shkuarën, një element i pranishëm në veprat e tij, ashtu si graviteti, apo utopi dhe dystopia. I njëjtë do të jetë mandej edhe numri i heronjve me të cilët ai shkon në këtë edicion të 58-të të Bienales së Venecias. 5 fëmijë të Bulqizës, të cilët i takon rastësisht, në një nga rrugëtimet e tij në këtë vend, për të njohur më nga afër banorët, mënyrën e tyre të jetesës...
Vepra e parë lind në metalurgjik të Elbasanit. Pas një udhëtimi të gjatë, unë prek kromin. Nëpërmjet një gjeologu, i cili më tregon se nga vjen i gjithë ky krom zbuloj personalisht Bulzqizën. Fëmijët janë zgjedhur në mënyrë rastësore. I kam njohur në Bulqizë. Janë fëmijë që jetojnë ditën e tyre të lumtur, momentet e tyre të lumtura në jetën e tyre. Nga dëshira që pata për të shkuar atje, për të njohur komunitetin unë njoha edhe këta fëmijë, që kam dëshirë t’i quajë pesë heronj. Filmi ka në qendër pesë fëmijë, të cilët brenda në një fabrikë gjejnë një kapsulë kozmike. Ata e marrin kapsulën edhe dalin nga fabrika. Bashkë me ta udhëton edhe një robot-dron, që u tregon rrugën deri në fund, ku gjejnë një gropë për të fshehur këtë kapsulë kozmike. Sigurisht që e gjithë vepra prek të gjitha zonat ku punohet edhe përpunohet kromi. Por, unë besoj, se Bulqiza nuk duhet që të trajtohet gjithmonë nëpërmjet viktimizimit, por atyre personave që punojnë aty çdo ditë duhet që t’u jepet më shumë dinjitet edhe vlerë. Gjëja më ë bukur, që më është thënë mua nga komuniteti, ishte që shyqyr, që erdhi dikush që të bëjë diçka tjetër, duke mos na trajtuar si viktima. Kështu që unë jam shumë i lumtur, që ai komunitet më pranoi edhe ne realizuam këtë vepër, që u dedikohet punës së përditshme të këtyre personave që zgjohen çdo mëngjes dhe mbrëmje për të punuar, por edhe që nga ky krom mbahet jo vetëm Shqipëria, por një pjesë e madhe e botës, sepse ky udhëton.
Ekspozita Ndërkombëtare e Artit në Venecia për vitin 2019 titullohet “Mund të jetoni në kohë interesante”. Titulli ka të bëjë me një shprehje angleze që i atribuohet një mallkimi antik kinez, që ndjell periudha pasigurie, krize dhe trazirash; “kohë interesante” pikërisht, si ato që po jetojmë. Por, sa është njohur artisti Driant Zeneli me veprat e artistëve të tjerë, që prezantohen në Bienale?
Një vit punë është shumë pak, kam qenë shumë i përqendruar për të realizuar veprën, nuk e di se çfarë po ndërtojnë kolegët e tjerë, por janë më shumë se 90 pavijone, janë 90 shtete edhe secili ka bërë kërkimin e vet.
Cilat janë pritshmërit nga kjo Bienale?
Për çdo artist është një dëshirë shumë e madhe, që të jetë prezent në Venecia. Unë shpresoj, që njerëzit, kritika, dashamirësit e artit, të vijnë që të shikojnë një histori të vogël lokale, që mund të jetë kudo, jo vetëm në Shqipëri. Kjo histori prekë edhe persona që kanë histori të tjera, ashtu sikundër ndodh edhe me këtë mineral, që del nga puna e këtyre personave, nga trupi i këtij mali edhe pastaj udhëton. Shpresoj që edhe vepra të jetë si një lloj minerali natyral, që del edhe merr forma të ndryshme nga rrugëtimet e ndryshme, që bën nëpër botë.
Bienalja e Artit në Venecia 2019 do të hapet për publikun nga data 11 maj deri në 24 nëntor.
Biografia e artistit Driant Zeneli
Driant Zeneli (lindur në Shkodër, 1983), jeton dhe punon mes Tiranës dhe Milanos. Në vitin 2008 Zeneli fitoi çmimin Ndërkombëtar “Onufri” në Tiranë dhe në vitin 2009 çmimin “The Young European Artist Award”, Trieste Contemporanea. Në vitin 2017ai fitoi çmimin “MOROSO”, Itali. Driant Zeneli ishte drejtor artistik i “Mediterranea 18”, “Bienalja e Artistëve të Rinj nga Evropa dhe Mesdheu”, që u zhvillua për herë të parë në vitin 2017 midis Tiranës dhe Durrësit. Ai është gjithashtu bashkëthemelues i Platformës së Artit Bashkëkohor Harabel në Tiranë. Disa nga ekspozitat e tij janë zhvilluar në: Passerelle, Centre d’Art Contemporain, Brest, (2018); Mostyn Gallery, Wales, UK (2017); MuCEM, Marseille, (2016); Centre Pompidou, Paris (2016); GAM, Museum of Modern and Contemporary Art Turin (2013); ZKM, Karlsruhe (2012); MUSAC, Castiglia León. Spain,(2012); Prague Biennale 5 (2011).