‘Shumë shpejt do të kemi të mundur 200 km e para të rrugëve kryesore të vendit të monitoruara kryesisht me kamera e radarë.’ E deklaroi ministri i Brendshëm Taulant Balla sot (11 prill 2024) në një aktivitet të titulluar "Promovimi i Udhëzimit të Shkollave të Sigurta"
Kush është synimi?
“Këta 200 km janë më të frekuentuarat. Të mos kemi postblloqet që në shumë raste nuk janë gjëja më e mirë por krahasuar me standardet europiane tregon mungesë të zhvillimit’ tha më tej Balla.
Ky është pjesë e një projekti që synon monitorimin me kamera të të gjitha rrugëve dhe rrugicave afër shkollave në qytetet kryesore të vendit. Për këtë ministri i Brendshëm tha se po punohet për të gjetur financimin me donatorët e huaj.
“Jemi duke diskutuar me partner për të siguruar financimin e një projekti të madh. Pajisje me kamera të 19 qyteteve më të mëdha të vendit, si fazë e parë me një focus të vecantë rrugët dhe rrugicat në shkollë. Dikush mund ta quajë Big Brother të madh por për mua dhe kryeministrin Rama është dimension i rëndësishëm i garantimit të sigurisë që bashkëshoqërohet me mirëadministrim të forcës policore për të shkuar në një nivel tjetër, atë të largimit të policisë nga rrugët. Për ta zëvendësuar rolin e policisë nga kamerat e radarët që garantojnë nivel më të lartë sigurie" tha Balla.
Sa i takon sigurisë së nxënësve në shkolla paraqitet dhe një prioritet tjetër.
“Synimi ynë është mbyllja e përhershme e çdo njësie tregtare që synon të shesë produkte që nuk plotësojnë standardet apo janë të skaduara tek fëmijët në perimetrin e sigurisë së shkollave” paralajmëroi ministri i Brendshëm.