Bota

Bilalli për Report Tv: Aksion perfekt, ‘Rrjeta e Merimangës’ suksesi i Ukrainës, 7 mld USD dëme Rusisë! Aliaj: 18 muaj përgatitje, miti rus ka rënë, 500 mijë të vrarë

2 Qershor, 19:37| Përditesimi: 2 Qershor, 19:59

  • Share

Operacioni “Rrjeta e Merimangës” nga Ukraina më 1 qershor arriti të godiste bazën më të rëndësishme të Rusisë në Siberi, me logjistikë të rëndësishme ushtarake, përfshi edhe flotën e 41 avionëve bombardues.

Këto baza në ekstremin e vendit mbaheshin edhe sekrete nga Kremlini, një flotë ajrore me rëndësi strategjike për fatin e luftës, ku tashmë dëmi i shkaktuar llogaritet në 7 mld dollarë, por ajo që kishte më shumë rëndësi, ishte shkatërrimi katastrofik i një prej ‘emblemave’ të presidentit Vladimir Putin.

Analisti kosovar Lutfi Bilalli ishte i ftuar sot në ‘Studio Live’ për analizën e këtij operacioni që vlerësohet si ndër më të rëndësishmit e luftës Ukrainë-Rusi deri tani.

“Aksioni i Ukrainës ishte perfekt në organizim dhe me shumë rëndësi. Ukraina mori një fitore tepër të rëndësishme nga mënyra se si veproi. Fakti që forcat ukrainase arritën të godisnin deri në thellësi të Rusisë dhe në një fazë të rëndësishme, tregon një arritje domethënëse. Dëmi vlerësohet se është 7 mld dollarë dhe kjo ishte një goditje e rëndë dhe lëkundje për kreun e shtetit rus, Vladimir Putin. Unë mendoj se Ukraina ka arritur suksesin e parë”, tha Bilalli për Report Tv.

Por ai vlerësoi edhe ndihmën që është dhënë nga shërbimet sekrete amerikane dhe britanike, deri në mbajtjen të fshehtë të operacionit.

“Me rëndësi për Zelenskin ka qenë mbajtja e sekretit, sepse mund të kishte edhe rrjedhje informacioni. Ky sulm duhet thënë se pati dëme shumë serioze në flotën e Rusisë dhe lufta me dronë tregoi se përcakton shumë rezultatin e luftës”, vlerësoi analisti.

Kurse eksperti i sigurisë, Ilir Aliaj, nga studio e Report TV, tha për moderatorin Arbër Hitaj se Rusisë iu dha një goditje gati fatale dhe me pasoja për të ardhmen, që rrëzoi edhe mitin e “ariut të madh rus”. Sipas tij, “Rrjeta e Merimangës” mori 18 muaj përgatitje operacionale, teksa informacionet për qytetarët rusë mbi këtë operacion ukrainas janë të censuruara.

“Operacioni u nis 18 muaj më parë, mendoni se ka arritur të futet deri brenda në thellësi, mijëra kilometra, deri në zonën e Mongolisë. U fol se dëmi fillimisht ishte 2 mld dollarë, por tani kjo shifër ka shkuar në 7 mld dollarë. Pyetja ëhstë a rikuperohet ky dëm ndaj flotës. Shumë pak informacion është dhënë nga mediat ruse për sulmin ukrainas, vetëm se janë sulmuar nga terroristët ukrainas 5 baza ushtarake, por jo detajet. Po jepen shumë pak informacione, ka censurë interneti dhe mjetesh komunikimi. Ky sulm i ka surprizuar që të gjithë, rol kanë pasur edhe britanikët dhe amerikanët. Ka pasur informacione të sakta dhe autentike”, u shpreh ai për Report Tv.

Teksa vlerëson se humbjet e Rusisë nuk janë vetëm në logjistikë ushtarake, por edhe në jetë njerëzish.

“Miti rus nisi të binte që në javët e para të luftës, ku nuk arriti dot të depërtonte dhe të pësonte dëme, kurse goditja tjetër ishte Kursku, ku Ukraina arriti të pushtonte territorin rus dhe e treta ishte kjo e goditjes së bazave ruse me “Rrjetën e merimangës”. Flitet për të paktën 500 mijë ushtarë rusë të vrarë”, vlerësoi ai.

A.Q/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni vendimin për rinumërimin e kutive të Qarkut Tiranë?