Parlamenti i Kosovës dështoi në seancën e tij të 20-të për konstituimin, teksa edhe qeveria ka hyrë në ngërç për formim, pasi shumica e kryeministrit Albin Kurti është e brishtë dhe partitë e mëdha opozitare po rezistojnë.
Por situata gjeopolitike nuk është shumë e favorshme edhe për Prishtinën, teksa Kurti ka pasur qasje jo shumë demokratike ndaj faktorit ndërkombëtar perëndimor dhe veçanërisht BE-së, në lidhje me dialogun me Serbinë, asociacionin apo Veriun e Kosovës.
Për të analizuar situatën atje ishte i ftuar në një lidhje me Via-Skype në Report Tv, analisti Lutfi Bilalli, i cili u pyet nga moderatori i “Studio Live”, Arbër Hitaj, për temat më të ‘nxehta’ të ditës atje.
“Seanca dështoi dhe nuk ka vullnet, pra vullneti për zgjidhje nuk ekziston. Duket se nuk ka rrugëdalje tjetër, ka makinacione me parti të dytë. Ka nevojë edhe për ndërhyrje të ndërkombëtarëve, edhe pse ata janë shprehur. Duhet të ekzistojë një vetshpërbërje e deputetëve”, tha ai mes të tjerash.
Bilalli u shpreh se pavarësisht se Kurti po tenton për formimin e qeverisë, shumica e tij do mbetet e brishtë, pasi numrat e çojnë maksimumi deri në 61 apo 62 deputetë dhe që nuk krijon stabilitet.
Sipas tij, qeverisë së Kosovës në këto momente ku ndodhet politikisht edhe në raport me BE-në, i duhet një stabilitet me të paktën 80 vota të forta, që edhe mesazhi ndaj ndërkombëtarëve të jetë i qartë.
“Kurti po bën ofertë edhe drejt LDK-së, por VV është shprehur kundër. Presidentja mund të mandatojë partinë e dytë fituese për qeverinë. Votat mungojnë dhe mendoj se qeveria kërkon të paktën 80 deputetë që të jetë e stabilizuar, pra kërkon një front të gjerë partish që të bashkëpunojnë mes tyre, pasi me 61 deputetë nuk e jep këtë qëndrueshmëri”, vijoi analisti për Report Tv.
Bilalli foli edhe për vizitën e kryediplomates së BE-së në Kosovë dhe trajtimin e situatës në Veri. Ai vuri në dukje kërkesën e Kurtit ndaj Kaja Kallas për të hapur kapitujt e integrimit për t’i dhënë Prishtinës statusin e vendit kandidat për BE dhe zbutjen e sanksioneve.
“Vizita e Kallas në veri është e paralajmëruar. Kurti i ka kërkuar BE-së hapjen e kapitujve për integrimin ndërkohë që ka nisur edhe heqja e masave ndaj Kosovës. BE ka parashikuar projekte dhe investime, si në autostradën e veriut dhe kanalizimet. Ata kërkojnë vijimin e dialogut me Serbinë, paqe në veri dhe që qeveria e Prishtinës të jetë më bashkëpunuese pasi qasja e saj nuk ka qenë e duhura kohët e fundit”, tha ai mes të tjerash.
Për të njëzetën herë me radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar sot (23 maj) që ta konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit. As thirrja e kryediplomates së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas - e cila vizitoi Prishtinën për herë të parë, të enjten - që partitë parlamentare të bashkëpunojnë për ta zhbllokuar ngërçin politik në vend, nuk solli ndryshim.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe refuzuan sërish, në vazhdimin e seancës konstituive, të premten, që ta propozonin një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.
Seanca konstituive do të vazhdojë të dielën e 25 majit. Lëvizja Vetëvendosje po tenton që në forma të tjera apo me votim të fshehtë të zgjedhë kryetarin e Kuvendit, teksa forcat e tjera e kanë dërguar në Kushtetuese.
Komente
