Shkon në 1,419 numri i viktimave të tërmetit shkatërrues me magnitudë 7.2 që goditi Haitin gjatë fundjavës.
Sipas BBC numri i të plagosurve ka shkuar në 6,000, ndërsa bilanci pritet të rritet pasi ende vijojnë kërkimet. Gati 37,000 shtëpi janë shkatërruar nga lëkundjet e forta.
Organizatat humanitare thonë se të mbijetuarit kanë nevojë për ujë të pijshëm dhe strehim. Raportohet se më shumë se 30,000 familje kanë mbetur pa shtëpi. Shtëpitë, kishat dhe shkollat janë ndër ndërtesat e rrafshuara nga tërmeti.
Pamjet në mediat sociale treguan banorët që përpiqeshin dëshpërimisht të tërhiqnin viktimat nga ndërtesat e rrënuara. Epiqendra e tërmetit të së shtunës ishte rreth 12 km (7.5 milje) nga qyteti Saint-Louis du Sud, tha Shërbimi Gjeologjik Amerikan (USGS).
Tërmeti goditi rreth 150 km në perëndim të kryeqytetit Port-au-Prince në afërsi të komunës Saint-Louis-du-Sud në një thellësi prej rreth dhjetë kilometrash. Më shumë janë goditur qytetet Les Cayes dhe Jeremie. Kupola e katedrales në Jeremie është shembur, njofton gazeta "Avvenire". UNICEF njoftoi për „dëme të mëdha" në jugperëndim të vendit. Sipas forcave të shpëtimit janë ndërprerë pjesërisht linjat e komunikimit në zonat e prekura.
Ky tërmet ishte më i fortë se ai që vrau më shumë se 220,000 njerëz në 2010, por epiqendra ishte më larg nga kryeqyteti. Operacioni i shpëtim-kërkimit mund të vështirësohet nga reshjet e shiu që kanë fillluar pas tërmetit.