Kronikë

Bilancet/ 137 zjarrvënës të identifikuar në 3 muaj! 46 të arrestuar dhe 91 nën hetim

14 Gusht, 09:28| Përditesimi: 14 Gusht, 10:17

  • Share

Zjarret e ditëve të fundit që gjunjëzuan Shqipërinë duke shkaktuar dëme kolosale në bujqësi, blegtori, banesa e madje dhe 1 të vdekur, rezultojnë që në shumicën e rasteve të jenë të qëllimshme.

Policia e Shtetit zyrtarisht bën me dije që në harkun kohor të rreth 3 muajve, nga qershori deri më sot (14 gusht), janë identifikuar 137 autorë të zjarrvënieve. Nga këta, 46 janë arrestuar dhe 91 janë nën hetim në gjendje të lirë.

Disa zjarrvënës janë identifikuar edhe nga monitorimi nga ajri përmes dronit, të cilët janë kapur në flagrancë duke ndezur zjarre.

Ndërkohë, punonjësit e policisë janë të angazhuar njëkohësisht edhe me grupet e emergjencave civile dhe zjarrfikësit në terren për të ndihmuar në shuarjen e vatrave aktive të zjarreve.

Njoftimi i Policisë së Shtetit:

Strukturat e Policisë së Shtetit në të gjithë vendin, përgjatë muajve qershor, korrik dhe deri sot, janë angazhuar maksimalisht për identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorëve të zjarrvënieve.

Prej qershorit deri më datë 14 gusht, strukturat e Policisë kanë identifikuar 137 autorë të zjarrvënieve, nga të cilët 46 janë arrestuar, ndërsa 91 janë proceduar penalisht.

Ndërkohë, Forcat Kombëtare të Sigurisë, Forcat e Posaçme “Shqiponja”, Patrullat e Përgjithshme dhe Forcat Operacionale, në drejtimin e drejtuesve të qarqeve dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, vijojnë të jenë në terren, duke ndihmuar në evakuimin e banorëve dhe duke mbështetur Emergjencat Civile dhe zjarrfikësit, për shuarjen e flakëve.

Strukturat operacionale të Policisë së Shtetit po kontrollojnë dhe monitorojnë zonat me dronë, për të identifikuar në kohë personat që shkaktojnë zjarr, duke djegur pronën private, banesa, pyje, kullota dhe, në shumë raste, duke rrezikuar seriozisht jetën e banorëve, punonjësve të Policisë, zjarrfikësve dhe Emergjencave Civile.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë banorët që të mos shkaktojnë zjarre. Blegtorët dhe fermerët janë përgjegjës për tokat dhe kullotat që kanë në pronësi apo në përdorim.

Thirrje për të gjithë banorët: mos ndizni zjarr për djegien e mbetjeve të prodhimeve bujqësore apo për pastrimin e territorit, pa njoftuar dhe marrë masa me instancat përgjegjëse.

Shkaktimi i zjarrit, me qëllim apo nga pakujdesia, është vepër penale dhe Policia e Shtetit po punon, në bashkëpunim me banorët, për identifikimin, kapjen dhe arrestimin e të gjithë atyre që shkaktojnë zjarre.

Ora 10:09
Bilanci i policisë, Rama: Numri i zjarrvënësve dhe i të kapurve nga forcat e rendit është rritur, meritojnë ndëshkime maksimale

1753704742_edirama.jpeg

Pas bilancit të policisë, se në rreth 3 muaj janë identifikuar 137 autorë të zjarrvënieve, 46 prej të cilëve të arrestuar, ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama. Në një reagim në rrjetet sociale, kryeministri thotë se numri i zjarrvënësve këtë sezon është rritur, e po ashtu sipas tij, shënohet edhe numri më i madh i kapur nga forcat e rendit.

Kontrollet do të vijojnë, shton kreu i qeverisë, edhe me ndihmën e teknologjisë. 

"Policia e Shtetit ditë natë në këmbë për identifikim dhe kapjen e zjarrvënësve, në një sezon me një rritje të numrit të tyre po edhe me numrin më të madh të kapur nga forcat e rendit. 

Gjatë muajve qershor – korrik dhe deri më 14 gusht:
• 137 autorë të zjarrvënieve të identifikuar
• 46 të arrestuar
• 91 të proceduar penalisht

Forcat Kombëtare të Sigurisë, “Shqiponja”, patrullat e përgjithshme dhe forcat operacionale, nën drejtimin e drejtorive vendore dhe Drejtorisë së Përgjithshme, do të vijojnë në terren dhe me ndihmën e teknologjisë do të mundësojnë dorëzimin para drejtësisë të këtyre kriminelëve që meritojnë ndëshkime maksimale.", shkruan Rama. 

V.GJ /Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Anita: 14/08/2025 10:59

    Si ka mundesi te digjet Shqiperia e vogel edhe e bukur edhe nuk paska fare fajtore. Si me pronat e konfiskuara nga krimi qe i kthehen prap te zotit. Show mediatik gjithmone ne Shqiperi!? Degjova nje lajm nje i ri ne Kruje me arrest shtepije i kishte ven zjarrin ullishtave te komshinjve!? Ore ku jetojme ne Somali apo Shqiperi. Nuk paska fare kontroll per asgje!? Kur do behet ky vendi im i bukur!?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A e zgjidh emergjencën e zjarreve në Shqipëri blerja e avionëve zjarrfikës?