Një nga argumentet kryesore të Partisë Demokratike ndaj ligjit të ri special, i miratuar nga qeveria të premten e kaluar, për goditjen njerëzve të krimit, përmes bllokimit të pasurive, është se paketa anti-KÇK dublon dhe asgjëson ligjin anti-mafia në fuqi. Po pse qeveria duhej të miratonte një masë të tillë emergjente njëvjeçare për goditjen e krimit, kur mund të zbatohej ligji nr. 10192 datë 03.12.2009 për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë, i ndryshuar për herë të fundit në 2017? Përgjigja është se bilancet zyrtare tregojnë për një dështim të paimagjinueshëm të ligjit antimafia. Në raportin e fundit të Prokurorisë së Përgjithshme, për rezultatet e zbatimit të ligjit antimafia për vitin 2018, thuhet se nga 774 raste të hetimit pasuror të trajtuara, janë pranuar nga gjykata vetëm 7 kërkesa për sekuestrim dhe 4 kërkesa për konfiskimin e pasurive të sekuestruara. Rastet e tjera ose kanë avulluar rrugës ose janë mbartur për vitin pasardhës.
Ndërkaq, në vitin 2017, Prokuroria nuk paraqet asnjë bilanc zyrtar për kërkesat e pranuara nga gjykata për sekuestrim pasurie, por vetëm thekson se janë bërë ne total vetëm 11 kërkesa nga prokuroria në gjykatë. Më i mjegullt është bilanci në 2016. Në raportin për kriminalitetin, Prokuroria thekson se gjatë vitit 2016 janë vënë në sekuestro hotele, qendra shërbimi tregtar, pallate, apartamente troje, toka dhe llogari bankare të krimit, por nuk jepet asnjë një shifër për vlerën e pasurive të sekuestruar dhe të kërkesave të pranuara nga gjykata.
Gjatë vitit 2015, gjithnjë sipas raporteve të prokurorisë, janë pranuar nga gjykata vetëm 14 kërkesa për sekuestrim pasurie dhe 12 kërkesa janë konfirmuar nga Apeli. Është pranuar vetëm një kërkesë për konfiskim pasurie, por është rrëzuar më pas nga Apeli i Krimeve të Rënda. Në vitin 2015, përfshihen edhe vendimet për sekuestrimin e 15.300 metra katrorë tokë bujqësore, të Dashamir Gjokës, i akuzuar nga autoritetet italiane për “trafik të lëndëve narkotike” si dhe të kompleksit “Golden”, të vëllezërve Altin dhe Emirjan Hajri, të akuzuar si drejtues të një rrjeti trafiku lëndësh narkotike. Këto pasuri të lartpërmendurit i kanë rimarrë sërish.
Në vitin 2014, janë bërë 131 verifikime pasurore, në ngarkim të 175 personave të dyshuar si të përfshirë në aktivitete kriminale. Në përfundim, gjykata ka dhënë 14 vendime sekuestrimi pasurie. Gjatë vitit 2014, është dhënë një vendim për konfiskim pasurie, vendim i cili është lënë në fuqi edhe nga Apeli. Për vitin 2013 janë bërë 272 verifikime nga prokuroria, duke regjistruar vetëm 16 raste. Janë paraqitur 3 kërkesa për sekuestrim në gjykatë, ku janë pranuar 2. Janë paraqitur 6 kërkesa për sekuestrim pasurie, kur janë pranuar 3. Për vitin 2012, janë paraqitur 8 kërkesa nga prokuroria për sekuestrim pasurie, ku janë pranuar 7 kërkesa nga gjykata. Janë paraqitur 3 kërkesa për konfiskim pasurie, por nuk jepen të dhëna të sakta se sa janë pranuar nga gjykata.
Në vitin 2011, janë regjistruar 55 procedime pasurore. Janë dërguar në gjykatë 16 dosje. Gjykata ka miratuar vetëm 5 kërkesa për sekuestrim. Gjatë këtij vitit, gjykata ka miratuar 9 kërkesa për konfiskim. Në raportin e 2011, prokuroria jep edhe pasuritë që janë sekuestruar konkretisht: 6 apartamente me sipërfaqe 390 m2, tokë arë me sipërfaqe 4 700 m2, pesë makina. Gjatë vitit 2011 janë konfiskuar 2 815 648 euro, 31 969 962 lekë, 5875 m2 truall, dy ambiente shërbimi ‘bar-restorant-hotel’ 2921 m2, dy njësi tregtare 138 m2, tre makina, dy apartamente 205 m2 dhe 40 mijë euro.
Shifra të tilla, sidomos vitet e fundit, konfirmojnë një dështim të paimagjinueshëm në zbatimin e ligjit anti-mafia. Dështimi në zbatimin e ligjit anti-mafia është konstatuar dhe pranuar edhe nga vetë Prokuroria e Përgjithshme, në këtë dokument, me argumentin “se bashkëpunimi ndërinstitucional me agjencitë e përfshira në zbatimin e ligjit antimafia nuk ka qenë në nivelin e duhur sa i përket cilësisë së referimeve, ashtu dhe pamjaftueshmërisë së kapaciteteve për kryerjen e verifikimeve dhe hetimeve për zbulimin, identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria e krimit të organizuar me qëllim konfiskimin e tyre”. Kjo është arsyeja se pse Kuvendi, në rekomandimet e përvitshme, i ka kërkuar sistematikisht Prokurorisë ashpërsimin e luftës kundër krimit, përmes sekuestrimit të pasurive.
Në kushte të tilla, qeveria ka miratuar një akt normativ të përkohshëm, për angazhimin e strukturave të policisë, për identifikimin dhe dokumentin e pasurive të krimit. Dosjet do t’i referohen prokurorisë dhe gjykatës, të cilat do të kenë afate strikte, për të vepruar. Ndërkaq, ligji anti-mafia në fuqi përjashton strukturat e Policisë së Shtetit në identifikimin, verifikimin dhe mbledhjen e informacioneve për pasuritë e krimit. Sipas ligjit anti-mafia, neni 8, ‘prokuroria dhe policia gjyqësore marrin dijeni për pasuritë që duhen verifikuar, sipas këtij ligji, me iniciativën e vet ose me njoftim të bërë nga të tretët”. Pas informimit, prokurori kryen veprime vetë dhe nëpërmjet Policisë Gjyqësore të pasurive. Por, siç e konfirmon organi qëndron i akuzës, zbatimi i ligjit antimafia nuk ka qenë në nivelin e duhur.
Tabela
Bilanci i zbatimit të ligjit anti-mafia nga viti 2011
Viti 2018
774 raste të hetimit pasuror të trajtuara
7 kërkesa për sekuestrim pasurie janë pranuar nga gjykata
4 kërkesa për konfiskimin e pasurive të sekuestruara janë pranuar nga gjykata
Vitin 2017
Prokuroria ka paraqitur 4 kërkesa në gjykatë për sekuestrim pasurie
Prokuroria ka paraqitur 7 kërkesa në gjykatë për konfiskim pasurie
Viti 2016
Prokuroria nuk paraqet asnjë bilanc zyrtar me shifra në raport.
Viti 2015
14 kërkesa për sekuestrim pasurie janë pranuar nga gjykata
12 kërkesa janë konfirmuar nga Apeli
Viti 2014
131 verifikime pasurore janë bërë nga prokuroria
14 vendime sekuestrimi pasurie janë dhënë nga gjykata
Viti 2013
272 verifikime janë bërë nga prokuroria
16 raste janë regjistruar nga prokuroria
3 kërkesa janë paraqitur për sekuestrim në gjykatë
2 kërkesa për sekuestrim janë pranuar në gjykatë
6 kërkesa janë paraqitur për konfiskim pasurie
3 kërkesa për konfiskim pasurie janë pranuar nga gjykata
Viti 2012
8 kërkesa janë paraqitur nga prokuroria për sekuestrim pasurie
7 kërkesa janë nga gjykata
3 kërkesa për konfiskim pasurie janë pranuar nga gjykata
Viti 2011
55 procedime pasurore të regjistruara nga prokuroria
16 dosje janë dërguar në gjykatë
5 kërkesa për sekuestrim janë pranuar nga gjykata
9 kërkesa për konfiskim janë pranuar nga gjykata