Pas fitores së Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, tre pyetje u kërkuan me ngulm në Google në Shtetet e Bashkuara: Çfarë janë tarifat doganore? Për çfarë shërbejnë? Kush do t’i paguajë ato? Katër muaj më vonë, pas të ashtuquajturit "Dita e Çlirimit" më 2 prill, ishte radha e banorëve të pjesës tjetër të botës të kërkonin përgjigje për të njëjtat pyetje në internet. Tani, të paktën ne europianët, për të shmangur surprizat, mund të kemi disa përgjigje dhe të fillojmë të bëjmë llogaritë.
Pse i ngriti Trump barrierat tregtare
Shtëpia e Bardhë synon të balancojë deficitin tregtar: në vitin 2024, Shtetet e Bashkuara importuan mallra me vlerë 3.296 miliardë dollarë dhe eksportuan vetëm 2.084 miliardë, duke krijuar një deficit prej 1.212 miliardë. Duke bërë që mallrat e huaja të jenë më të shtrenjta, doganat synojnë të nxisin prodhimin vendas. Trump kërkon kështu të rrisë vendet e punës në sektorin prodhues, që në 50 vitet e fundit ka rënë nga 24% në vetëm 8% të punësimit total në SHBA.
Sa janë rritur tarifat doganore
Llogaritja e përgjithshme është e vështirë, sepse Shtëpia e Bardhë po ndryshon vazhdimisht normat doganore ndërsa po nënshkruan marrëveshje me shtete të ndryshme. Sipas UBS, marrëveshja e fundit me BE-në ka bërë që taksa mesatare doganore për mallrat europiane të importuara në SHBA të rritet më shumë se dhjetë herë, nga 1.5% në vitin 2024 në 15.2% aktualisht.
Kush do ta paguajë koston e doganave
Doganat paguhen në kufi, kur mallrat mbërrijnë në SHBA. Prodhuesi mund të vendosë t’i përthithë këto kosto vetë, duke ulur fitimin, nëse ka frikë se rritja e çmimit do ta bëjë të pambrojtur ndaj konkurrencës vendase apo ndërkombëtare. Në të kundërt, nëse beson se produkti i tij është i pazëvendësueshëm ose klientët janë të pandjeshëm ndaj çmimit, mund të mbajë çmimin të pandryshuar dhe të kalojë koston shtesë tek importuesit apo konsumatorët. Ka gjasa që shumica e kompanive europiane do të ndjekin një strategji të ndërmjetme, duke ndarë barrën me distributorin dhe klientin.
Efektet e masës: rasti i vitit 2018
Është ende herët për të thënë nëse tarifat e reja doganore do të ulin deficitin tregtar dhe do të rigjallërojnë industrinë amerikane. Por si shembull mund të merret rasti i tarifave doganore deri në 50% për lavatriçet, të vendosura nga Trump në vitin 2018 dhe që qëndruan në fuqi deri në vitin 2023. Gjatë këtyre pesë viteve, çmimi i lavatriçeve në SHBA u rrit me 34%, më shumë se inflacioni i përgjithshëm prej 23%, duke sjellë një kosto shtesë prej 1.5 miliardë dollarësh për konsumatorët amerikanë. Gjatë kësaj kohe, prodhuesit krijuan 1.800 vende pune. Por, sapo u hoqën doganat, importet e lavatriçeve u rikthyen në nivelet e vitit 2018.
Ndikimi në çmimet në SHBA
Deri tani ndikimi i tarifave doganore në çmime ka qenë i kufizuar. Në qershor, inflacioni qëndroi në nivelin +2.7%. Ka gjasa që kompanitë, për shkak të pasigurisë, hezitojnë të rrisin çmimet ose mund të kenë bërë rezerva para “Ditës së Çlirimit”. Zakonisht, këto rezerva zgjasin 60-90 ditë, prandaj efekti i vërtetë i tarifave doganore mund të ndihet më shumë në pjesën e dytë të vitit.
Të ardhurat për arkën amerikane
Nga janari në qershor, të ardhurat nga tarifat doganore në SHBA janë dyfishuar, duke arritur në 108 miliardë dollarë. Departamenti i Thesarit amerikan parashikon që në fund të vitit kjo shifër të arrijë në 300 miliardë. Por nëse importet apo konsumi bien, kjo shifër mund të përfaqësojë një pik të përkohshëm.
Çfarë përmban marrëveshja SHBA-BE
Marrëveshja parashikon një taksë të përgjithshme 15% për importet europiane në SHBA, me disa përjashtime që ende po negociohen. BE-ja është zotuar gjithashtu të blejë naftë dhe gaz amerikan në vlerë prej 250 miliardë dollarë në vit dhe të investojë 600 miliardë në sektorin e armatimit. Megjithatë, këto janë angazhime të sektorit privat apo të qeverive kombëtare, për të cilat BE-ja mund të bëjë vetëm zotime politike jo detyruese.
Rritja ekonomike më e ndjeshme ndaj pasigurisë sesa ndaj tarifave doganore
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka përditësuar parashikimet për ekonominë botërore duke u bazuar në një tarifë doganore mesatare prej 17% nga SHBA, e afërt me 15% të rënë dakord me BE-në. Këto janë nivele shumë të larta, të krahasueshme me vitet ‘30 të shekullit të kaluar, por ndikimi në ekonominë globale duket relativ. Rritja ekonomike është rishikuar në +3%, nga 2.8% që parashikohej në prill, edhe pse më e ulët se në 2024 (+3.3%). Për Italinë, FMN ka përmirësuar parashikimin nga +0.4% në +0.5% për këtë vit dhe ka konfirmuar +0.8% për vitin 2026.
Eksportet drejt SHBA-ve janë rritur
Në pranverë dhe fillim vere, kur Trump kërcënonte me tarifa doganore 30% dhe 50%, parashikimet për ekonominë, përfshirë atë italiane, ishin më të errëta. Nga frika e goditjes nga presidenti amerikan, eksportet italiane drejt SHBA-ve u rritën ndjeshëm. Edhe për këtë arsye, perspektivat e rritjes ekonomike për vitin 2025 për zonën euro janë përmirësuar, duke shkuar në +1% nga 0.8% që parashikonte FMN në prill.
Dy anët e zhvlerësimit të dollarit
Që nga fillimi i vitit, euro është forcuar me 11% ndaj dollarit. Kjo i bën më të shtrenjta mallrat europiane në SHBA. Nga ana tjetër, e bën më të leverdisshme për BE-në blerjen e mallrave amerikane, përfshirë energjinë: Brukseli është zotuar të blejë nga SHBA naftë dhe gaz në vlerë 250 miliardë për tre vjet.
Rreziqet për ndërmarrjet italiane
Rreziku kryesor është që mallrat italiane të mos shiten më në SHBA, pasi bëhen shumë të shtrenjta për konsumatorët. Në “Il Foglio”, ekonomisti Carlo Alberto Carnevale Maffè shpjegon se me një rritje të tarifës doganore mesatare me 10.9% (duke marrë parasysh se 15% përfshin edhe 4.8% e mëparshme), Italia do të ndjejë realisht një barrë 11%.
Strategjitë që po shqyrtohen për të përballuar ndikimin
Sipas Zyrës Parlamentare të Buxhetit, me dogana amerikane në nivelin 20%, rrezikohej një humbje prej gjysmë pikë në vlerën e shtuar kombëtare dhe 110 mijë vende pune. Për të shmangur këtë, kompanitë duhet të gjejnë tregje të tjera për produktet e tyre – një sfidë e vështirë, pasi SHBA përbëjnë 5% të eksporteve italiane. Për disa produkte, si ilaçet, që nuk kanë tregje të tjera aq të mëdha dhe të hapura, kjo është thuajse e pamundur.
Sektorët më të prekur
Industria farmaceutike, me 10 miliardë euro eksporte në SHBA që përfaqësojnë gati 27% të prodhimit italian, është më e ekspozuara. Por ende ka pasiguri për nivelin e saktë të tarifave doganore: SHBA e konsiderojnë 15%, BE pretendon se është zero. Super-dogana për çelikun dhe aluminin prek pak Italinë, pasi eksportet janë tashmë të papërfillshme. Situata është më e ndërlikuar për makinat dhe pjesët e tyre, modën dhe agroushqimin – nëse nuk do të ketë ndonjë përjashtim të veçantë.
Ndihmat e mundshme kombëtare dhe europiane
Qeveria italiane ka kërkuar ndihmë nga BE për ndërmarrjet që do të preken më shumë nga tarifat doganore. Ndër propozimet janë: lehtësim i përkohshëm i rregullave për ndihmën shtetërore, ndihma direkte nga BE për sektorë të caktuar dhe jo sipas vendeve, dhe përdorimi i fondeve të mbetura nga Plani Kombëtar i Rimëkëmbjes. Në çdo rast, është i nevojshëm një koordinim në nivel BE, pasi shumë vende, përfshirë Italinë, për shkak të kufizimeve nga Pakti i Stabilitetit, nuk kanë mundësi të shpenzojnë sa të tjerët për të mbështetur bizneset./Corriere Della Sera
Komente
