Historia e Manjolës dhe Gaburit nuk është e panjohur për ata që i njohin prej vitesh. Kanë 15 vite që jetojnë të martuar në Shqipëri, kanë rritur bashkë tre fëmijë dhe tashmë janë pjesë e pandashme e komunitetit ku jetojnë.
Por ajo që e bën këtë histori të veçantë është mënyra se si filloi: një shqiptare dhe një hungarez që komunikonin në anglisht për tre vite me radhë, derisa vendimi i Gaburit për të ndërtuar jetën në Shqipëri i ktheu fjalët e huaja në fjalë shqipe të mësuara hap pas hapi, si një fëmijë që zbërthen botën rreth tij.
Të dy u takuan falë pasionit për sportin dhe federatave ku ishin të angazhuar, por lidhja e tyre u forcua falë diçkaje më të thjeshtë e më të lashtë se çdo mekanizëm zyrtar: dashurisë.
Sot, Gaburi punon si inxhinier informatike në Tiranë, fëmijët flasin rrjedhshëm shqip dhe hungarisht, ndërsa edhe i vogli Aiden, po mëson të lidhet me gjuhën e gjyshërve në Hungari.
Realiteti shqiptar njeh plot histori të tilla, shumë prej të cilave janë mediatike. Por edhe disa më pak intime, ku këta shtetas të huaj janë bërë njësh me kulturën dhe jetesën vendase.
Kur në verën e vitit 2021, një arkitekt italian zbriti në Aeroportin e Rinasit për një fundjavë në Jug, plani ishte i thjeshtë: disa ditë plazh në Dhërmi dhe kthim në Milano. Katër vite më vonë, Matteo vazhdon të jetojë në Tiranë, ku bashkëshortja shqiptare dhe një studio e vogël projektimi ia kanë zgjatur vizitën në mënyrë të përhershme.
Shqipëria, një vend që ka parë një rritje të vrullshme të turistëve vitet e fundit, po kthehet, në mënyrë të heshtur, edhe në një destinacion për një jetë të re.
Në një vend që për dekada me radhë ka “eksportuar” qytetarë, histori të tilla tregojnë se Shqipëria ka nisur të “importojë” të huaj, jo me programe të kushtueshme emigracioni, por falë dashurisë, një “biletë pa kthim” që ndryshon jo vetëm jetët e çifteve, por edhe vetë narrativën e vendit.
Sipas të dhënave zyrtare, 11.7 milionë vizitorë kaluan kufijtë shqiptarë vitin e kaluar.
Por ajo që nuk kapet nga statistikat është kategoria e atyre që nuk u kthyen më. Nuk bëhet fjalë për investitorë apo pensionistë që blejnë prona buzë detit, por për një grup shumë më spontan: turistë që mbetën për shkak të dashurisë.
Ata shfaqen si italianë që hapin piceri në Tiranë, francezë që japin mësime pianoje në Durrës, apo turq që krijojnë biznese familjare.
Fenomeni është i vogël në përmasa, por i pasur në domethënie. Në një vend që ka vuajtur prej dekadash emigracionin masiv, është një kthesë e pazakontë të shohësh të huaj që e zgjedhin Shqipërinë jo thjesht për pushime, por për rrënjë.
Shpesh, nxitja nuk është një projekt i madh ekonomik, por vendimi personal për të ndarë jetën me dikë të takuar rastësisht gjatë një vere të nxehtë.
Kjo sjell edhe një reflektim më të gjerë. Turizmi, i konsideruar zakonisht si një burim afatshkurtër të ardhurash, mund të ketë pasoja afatgjata të paparashikuara: rritje të martesave ndërkulturore, lindje të komuniteteve të reja dhe shtim të lidhjeve shoqërore që tejkalojnë kufijtë.
Për Shqipërinë, kjo është një mënyrë e pazakontë për t’u integruar më tej në botë: jo përmes traktateve dhe marrëveshjeve, por përmes historive të përditshme të njerëzve që vendosin të mos largohen.
Ana tjetër e turizmit
Turizmi, i konsideruar zakonisht si një burim afatshkurtër të ardhurash, mund të ketë pasoja afatgjata të paparashikuara: rritje të martesave ndërkulturore, lindje të komuniteteve të reja dhe shtim të lidhjeve shoqërore që tejkalojnë kufijtë. Për Shqipërinë, kjo është një mënyrë e pazakontë për t’u integruar më tej në botë: jo përmes traktateve dhe marrëveshjeve, por përmes historive të përditshme të njerëzve që vendosin të mos largohen.
Dashuri në statistika
Sipas të dhënave nga Gjendja Civile, vitin e shkuar u regjistruan mesatarisht 700 martesa me shtetas të huaj, kryesisht nga Italia, Greqia, Turqia dhe vendet e Europës Qendrore.
Ky trend ka ardhur duke u rritur në dekadën e fundit, paralelisht me rritjen e numrit të vizitorëve. Një pjesë e tyre janë të huaj që njihen me shqiptarë gjatë punës apo studimeve jashtë, ndërsa një pjesë tjetër janë turistë që njohin partnerët gjatë pushimeve në vend.
Ky fenomen ka ardhur duke u shtuar sidomos në dekadën e fundit, paralelisht me rritjen e vrullshme të turizmit.
Në vitin 2024, Shqipëria priti mbi 11.7 milionë vizitorë, dhe nga kjo shifër një pjesë e vogël por e qëndrueshme, praktikisht nuk u kthye më në vendin e tyre.
Disa prej tyre janë turistë që u njohën me partnerë shqiptarë gjatë pushimeve, të tjerë janë profesionistë që vendosën të qëndrojnë për shkak të martesës.
Gjatë vitit që shkoi, sipas INSTAT, numri i martesave të reja ishin 16120. Në total, llogaritet që rreth 5% e martesave të reja vitin e shkuar në Shqipëri janë lidhur me një partner të huaj.
Edhe pse kjo shifër është e vogël krahasuar me emigracionin e shqiptarëve jashtë vendit, përbën një tregues të qartë se Shqipëria nuk është më vetëm një vend emigrues, por gjithnjë e më shumë edhe një vend pritës.
Ky ndryshim, sado i ngadaltë, reflekton një transformim të thellë shoqëror: dashuria shndërrohet në një mekanizëm të heshtur migracioni, që sjell jo vetëm histori personale të veçanta, por edhe pasoja të gjera për shoqërinë, ekonominë dhe kulturën.
Sfidat
Ka edhe sfida. Ligjet mbi qëndrimin e të huajve shpesh mbeten të paqarta, me procedura që ndryshojnë sipas interpretimit të zyrtarit që ke përballë.
Shumë të huaj që martohen në Shqipëri përballen me një burokraci, dokumente që duhen përkthyer dhe noterizuar disa herë, leje qëndrimi që rinovohen çdo vit dhe shpesh, siç citojnë ata, me mungesë koordinimi mes institucioneve.
Për dikë që vjen nga vende ku administrata funksionon me ritmin e shpejtë të një kliku online, kjo përplasje me realitetin shqiptar shpesh është e vështirë. Megjithatë disa elemente të dokumentacionit janë përmirësuar vitet e fundit.
Nuk mungojnë as pengesat shoqërore. Martesat e përziera shihen ende me dyshim në disa komunitete rurale, ku mentaliteti i mbyllur dhe kujdesi i tepruar për “të huajin” mund të ngjallin ndjenja mosbesimi.
Në raste të tjera, është vetë kontrasti kulturor që krijon tensione: mënyra e të rriturit të fëmijëve, raporti me familjen e gjerë, apo pritshmëritë për rolet gjinore.
Ekonomia e dashurisë
Edhe pse martesat ndërkulturore duken si histori intime, ato kanë një ndikim shumë më të gjerë, që prek edhe ekonominë lokale. Çiftet ku njëri prej partnerëve është i huaj shpesh sjellin me vete eksperienca, rrjete dhe ide të reja, të cilat përkthehen në nisma konkrete.
Shumë të huaj, që vendosin të jetojnë në Shqipëri, hapin biznese të vogla e të mesme, duke filluar nga piceri dhe bare, te shkolla muzike, kurse gjuhe ose agjenci turistike e pasurish të paluajtshme.
Këto biznese jo vetëm që diversifikojnë ofertën në treg, por krijojnë vende pune, gjallërojnë jetën urbane dhe e bëjnë më tërheqës komunitetin ku vendosen.
Në rastin e Gaburit, bashkëshorti i Manjolës, eksperienca e tij si inxhinier informatike i shton vlerë tregut lokal të teknologjisë, duke sjellë dije që shpesh mungojnë.
Ndryshe nga emigracioni i shqiptarëve, që shpesh shihet si një humbje e kapitalit njerëzor, ardhja e profesionistëve të huaj përmes martesave përfaqëson një formë të vogël “fitimi të trurit”.
Ata nuk sjellin vetëm aftësi, por edhe standarde pune, kontakte ndërkombëtare dhe mënyra të reja të të menduarit.
Kjo ekonomi e padukshme e dashurisë ka edhe një efekt afatgjatë: rrit konsumimin lokal, rrit të ardhurat e bashkive përmes taksave, por mbi të gjitha, shton një element të rëndësishëm në tregun shqiptar, besimin afatgjatë.
Ndryshe nga turistët që shpenzojnë për disa ditë, çiftet ndërkombëtare priren të investojnë për vite me radhë në arsim, banesa dhe shërbime, duke u bërë një pjesë e qëndrueshme e komunitetit.
Në këtë kuptim, dashuria nuk është thjesht një ndjenjë personale, por edhe një motor i vogël zhvillimi ekonomik, që shpesh kalon pa u vënë re në statistikat zyrtare.
Statistika
Sipas të dhënave nga Gjendja Civile, vitin e shkuar u regjistruan mesatarisht 700 martesa me shtetas të huaj, kryesisht nga Italia, Greqia, Turqia dhe vendet e Europës Qendrore. Ky trend ka ardhur duke u rritur në dekadën e fundit, paralelisht me rritjen e numrit të vizitorëve. Një pjesë e tyre janë të huaj që njihen me shqiptarë gjatë punës apo studimeve jashtë, ndërsa një pjesë tjetër janë turistë që njohin partnerët gjatë pushimeve në vend.
Ndikimi kulturor
Martesat me të huaj nuk janë vetëm histori personale dashurie, por edhe një proces që pasurojnë kulturën e një vendi. Në Shqipëri, ato sjellin një dimension të ri të bashkëjetesës shoqërore.
Fëmijët e lindur nga këto martesa rriten shpesh si dygjuhësh, me aftësi për të kaluar natyrshëm nga një kulturë në tjetrën, duke u bërë ura të gjalla mes traditave shqiptare dhe atyre të vendeve të tjera.
Kjo e zgjeron horizontin jo vetëm për ata vetë, por edhe për komunitetet ku ata rriten, sepse futin elemente të reja të të menduarit, zakoneve dhe mënyrave të të shprehurit.
Sociologia Marsida Simo e quan këtë fenomen “një lloj pasaporte kulturore për fëmijët”. Sipas saj, “ata bartin brenda vetes dy kode shoqërore, dy mënyra të komunikimit, dy sisteme vlerash. Kjo i bën më të hapur, më fleksibël dhe më të aftë të kuptojnë të ndryshmen”.
Përtej familjeve individuale, ndikimi kulturor shtrihet në komunitetin më të gjerë. Një festë martesore ndërkulturore mund të sjellë në Shqipëri zakone nga vendet skandinave, Turqia apo Italia duke krijuar një mozaik ngjyrash e traditash që pasuron peizazhin shoqëror.
Po ashtu, gatimet, muzika, stilet e veshjes apo qasjet ndaj edukimit e barazisë gjinore që sjellin këta partnerë ndikojnë në mënyrën se si shoqëria shqiptare hapet ndaj botës.
Znj. Simo thekson se ky proces është pjesë e një transformimi më të gjerë: “Kur kultura shqiptare takohet me të huajën, lind një narrativë e re. Në vend që të ndiejmë frikë nga humbja e identitetit, mund të shohim fitimin e një pasurie të re simbolike”.
Ky proces i shkëmbimit nuk është gjithmonë i lehtë, paragjykimet apo vështirësitë burokratike mbeten. Megjithatë, sociologia thekson se bashkëjetesa e kulturave krijon një lloj “diplomacie të heshtur” që e bën Shqipërinë më të njohur, më mikpritëse dhe më të lidhur me globin.
INTERVISTA
“Kur dy kultura bëhen një familje”
Flet Manjola Vasmatics, kryetare e Federatës së Familjes Shqiptare
Për më shumë se 15 vite me bashkëshortin e saj të huaj, ajo ka parë sfidat dhe bukuritë e jetës ndërkulturore, si dhe si shoqëria shqiptare po mëson të hapet ndaj të huajve.
Në këtë intervistë, Manjola na tregon për fëmijët e saj që po rriten mes dy kulturave, për perceptimet e shqiptarëve mbi martesat ndërkombëtare dhe për mënyrën se si këto histori personale mund të bëhen ura lidhëse mes Shqipërisë dhe botës.
Historia juaj me Gaburin është e gjatë, 15-vjeçare. Si mendoni se kjo përvojë ka ndikuar në mënyrën se si ju shihni Shqipërinë dhe hapjen e saj ndaj të huajve?
Përvoja ime me Gaburin më ka dhënë një perspektivë të veçantë mbi Shqipërinë. Kam parë nga afër se si një vend i pasur me tradita dhe vlera po hapet gradualisht ndaj botës dhe kulturave të tjera.
Përmes marrëdhënies sonë, kam kuptuar që shqiptarët janë mikpritës dhe kureshtarë ndaj të huajve, por se hapja dhe pranimi i ndryshimit kërkon kohë dhe durim.
Gjatë viteve të para flisnit anglisht. Si ndryshoi marrëdhënia juaj kur ai filloi të mësonte shqip dhe të përshtatej me kulturën këtu?
Kur Gaburi filloi të mësonte shqip, marrëdhënia jonë u thellua. Kuptimi i kulturës shqiptare dhe i gjuhës më lejoi të shihja më shumë përkushtim dhe respekt për vendin tonë.
Ai u bë pjesë e komunitetit, më mirë se sa mund të prisja dhe kjo ndryshoi jo vetëm marrëdhënien tonë personale, por edhe perceptimin e tij për Shqipërinë.
Nga përvoja juaj, sa e lehtë apo e vështirë është për një të huaj të përshtatet me realitetin shqiptar?
Përshtatja varet shumë nga qëndrimi dhe gatishmëria për të kuptuar zakonet dhe kulturën. Nuk është gjithmonë e lehtë; ka sfida në gjuhë, marrëdhënie shoqërore dhe burokraci.
Por kur ka vullnet dhe respekt, shumë gjëra bëhen më të lehta. Shqipëria ka një ngrohtësi që shpërblen përpjekjet e të huajve.
Ju po rritni tre fëmijë mes dy kulturave. Si e shihni këtë për ta, por edhe për shoqërinë ku ata po rriten?
Të rritesh mes dy kulturave është një pasuri. Fëmijët tanë kanë mundësinë të kuptojnë botën nga dy këndvështrime, të jenë fleksibël dhe të hapur ndaj ndryshimeve.
Për shoqërinë shqiptare, ky fenomen i ri sjell mundësi për dialog kulturor dhe për të kuptuar më mirë botën.
A mendoni se fëmijët që vijnë nga martesa të tilla mund të bëhen ura lidhëse mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera?
Absolutisht. Fëmijët që rriten mes dy kulturave kanë një kuptim të natyrshëm për diversitetin dhe mund të jenë ambasadorë të natyrshëm të marrëdhënieve ndërkombëtare, duke lidhur njerëzit dhe kulturat në një mënyrë më organike se sa politika apo diplomacia tradicionale.
Në përvojën tuaj, si e shohin shqiptarët martesën me një të huaj, si një hap pozitiv apo si diçka ende të pazakontë?
Shqiptarët janë kureshtarë dhe shpesh e shohin me respekt një martesë të tillë. Megjithatë, për shumë prej tyre, kjo mbetet ende diçka e pazakontë dhe shpesh shoqërohet me pyetje ose habi.
Por trendi po ndryshon dhe po shihet gjithnjë e më shumë si një hap pozitiv, një shenjë e hapjes së shoqërisë dhe e pranimit të ndryshimit. Po shohim gjithnjë e më shumë martesa si e jona këtu./Monitor
Komente

Masaker. Mbyllini kufinjte.
Përgjigju