TIRANË- Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo foli në Report TV pas vizitës së presidentit të SHBA-ve, Bill Clinton për herë të parë në Tiranë, i cili me një vendim historik në vitin 1999 ku njoftoi se bota do të futej në luftë për të mbrojtur Kosovën, e cila më pas u çliruar nga forcat serbe.
Ish-ministri Milo tregoi në emisionin ‘5 Pyetjet nga Babaramo’ prapaskenat e një pune shumë të gjatë mes koordinimit të Shqipërisë dhe SHBA-së s ai takon çështjes së Kosovës. Bill Clinton, aso kohe presidenti në detyrë dhe sekretarja e shtetit Madeleine Albright, i veçon si dy figurat që patën rolin më të rëndësishëm në çështjen e Kosovës.
“Albright dhe Clinton kanë qenë një dyshe që janë koordinuar jashtëzakonisht mirë. Clinton nuk mund të luante rolin e Albright e cila ishte e drejtpërdrejtë, kishte peshën që të koordinonte aleatët në betejën që po vinte. Ajo nga natyra nuk ishte shumë diplomate, ishte kryediplomate nga funksioni por nga natyra ishte e drejtpërdrejtë”, tha Milo.
Para se të niste bombardimi i forcave të NATO-s kundrejt atyre serbeve, Milo thotë se gjithmonë SHBA e ka pasur plan rezervë opsionin ushtarak për të ndërhyrë në luftën e Kosovës.
“Opsioni ushtarak ka qenë gjithmonë plan rezervë në diplomacinë amerikane. Ata e kanë pranuar hapur në 1998 kur i bënin presion Millosheviçit që të pranonin vëzhguesit e OSBE. Ata i vunë ultimatum ose të pranojnë vëzhguesit ose ne jemi gati të vëmë në veprim NATO për të bombarduar. Meqë u pranuan vëzhguesit. Amerikanët kishin shpresë të ndërtonin një ekip negociues”, vijoi Milo.
Sa i përket fjalimit të Bill Clinton në Tiranë, Milo thotë se ai sot iu dha mesazh shqiptarëve të Kosovës se nuk duhet ta shohin gjithçka në mënyrë të tensionuar dhe të mos bëhen peng i sëshkuarës.
“Në fjalim që mbajti vuri në radhë të parë humanizmin. Mos mendoni gjithçka në mënyrë të tensionuar, vini në plan të parë marrëdhëniet humane, shikoni drejt së ardhmes dhe mos u bëni peng i sëshkuarës. Kaq i lejohet se nuk është në ekzekutiv. Dha një mesazh për shqiptarët e Kosovës, duke u thënë mendoni si të gjeni zgjidhje”, u shpreh ish-ministri i Jashtëm.
Milo thotë se Kosova duhet të dijë se aleatët më besnikë të saj janë SHBA dhe nuk duhet ta humbasin besimin ndaj tyre.
“Tani duhet të kemi parasysh dy elementë, shqiptarët e Kosovës e dinë se aleatë më të fortë se SHBA nuk kanë, sepse e provuan, i çliruan dhe e bënë shtet Kosovën. Tani nuk duhet të humbasin besimin ndaj SHBA”, tha Milo.
Milo komentoi edhe përfundimin e misionit të Ballkanit të Hapur.
Tensioni mes Kosovës dhe Serbisë ka arritur në një nivel të tillë që s’ka shans të përparohet e kapërcehet shumë shpejt. Në një moment kur dy vende mes tyre janë në një marrëdhënie kaq të tensionuar, nuk bëhet fjalë të ulen në një tryezë. Që këtu Ballkani i hapur mori goditjen e parë. E dyta është procesi i Berlinit, është marrë nga Gjermania, është rifuqizuar nga Scolzh dhe fakti që në tiranë do mbahet në tetor do mbahet samiti i procesit të Berlinit është një mesazh që iu dha Ballkanit dhe Shqipërisë duke i thënë orientohu nga procesi i Berlinit dhe lërë Ballkanin e hapur", tha Milo.