Seksioni i Shkencave Natyrore i Akademisë së Shkencave, ndjek më vëmendje edhe botën bimore e shtazore të vendit, me qëllim studimin e detajuar të saj dhe mbrojtjen e mjedisit, në interes të jetesës normale biologjike dhe problematikave të zhvillimit të vendit. Sot, në mjedisin shkencor ndërkombëtar, flitet shumë për një erozion të biodiversitetit. Cilat janë shkaqet dhe përse jemi të interesuar? Konstatimet janë, përgjithësisht, shqetësuese për të nxitur vëmendjen njerëzore.
Biodiversiteti është në themel të një numri shumë të madh të shërbimeve të nevojshme për ekzistencën njerëzore dhe përbëjnë, në shumicën e rasteve, një mbrojtje të sigurt të shëndetit njerëzor. Ai mund të jetë, gjithashtu, burim çrregullimesh veçanërisht kur ekuilibrat e tij cënohen dhe fragilizohen. Humbja e biodiversitetit mund të ketë pasoja të rrezikshme dhe të drejtpërdrejta mbi shëndetin; duke prekur rëndë funksionalitetet e ekosistemeve, duke favorizuar emergjencat e sëmundjeve infektive apo të duke shkaktuar të tilla turbullime që mund të sjellin katastrofa natyrore. Shëndeti ynë varet nga shërbimet dhe funksionet e ekosistemeve në të cilët jetojmë apo, të cilët, i shfrytëzojmë. Këto shërbime, pikërisht efektet e tyre mbi cilësinë e ujrave, tokës dhe ajrit e ushqimit, reduktimi i risqeve të katastrofave, janë elementët themelorë për një shëndet të gjithkohshëm. Biodiversiteti është në bazën e mjekësisë në botë: zbulimet e mëdha në fushën e mjekësisë dhe farmakologjisë janë realizuar nga kërkimet lidhur me diversitetin e mikro-organizmave, florës dhe faunës; ai është një rezervuar molekulash farmaceutike (shumë prej të cilave janë akoma të panjohura).
Rreth 1,8 milionë specie të ndryshme janë, tashmë, të evidentuara në planetin tonë, nga të cilat rreth 280 000 në dete dhe oqeane. Specialistët vlerësojnë tërësinë e specieve ekzistuese në planet, të rendit 5 deri 100 milionë specie të ndryshme dhe që, çdo vit, evidentohen vetëm 15 000 specie të reja, gjë që do të thotë se puna për evidetimin e plotë është, akoma, larg së mbaruari. Ekspertët dëshmojnë që në kohët që jetojmë, ritmi i zvogëlimit në radhët e këtyre specieve është 100 deri 1000 herë më i lartë se ritmi vetvetishëm i shuarjes së tyre natyrore. Në hapësirën shkencore biologjike të kohës flitet qartë, aktualisht, për një periudhë të gjashtë të zhdukjes masive të specieve të ndryshme (e fundit është ajo e zhdukjes së dinasaurëve 65 milionë vite më parë). Kjo krizë aktuale vlerësohet të jetë, madje, mjaft më e shpejtë (zhdukja e dinosaurëve mori disa qindra mijëra vjet) dhe ajo është e lidhur, thuajse ekluzivisht, me veprimtarinë njerëzore.
Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (UICN), ndjek gjendjen e biodiversitetit në gjithë globin tokësor duke përpunuar, të quajturën, Listë e Kuqe të specieve të rrezikuara. Në vitin 2021, në 134 425 specie të studjuara nga kjo listë, 37 480 (rreth 28% e tyre, ndarë në lloje) klasifikohen të rrezikuara. Mjediset natyrore janë, gjithashtu, të dëmtuara rëndë apo të shkatërruara edhe nga aktiviteti njerëzor; më tepër se 35% e mjediseve të lagëta litorale kontinentale janë zhdukur që nga 1970 e këtej; me ritmet e sotme të shpyllëzimeve, pyjet tropikale rrezikohen të zhduken këtu e 50 deri 70 vitet e ardhëshme.
Mjaft shkaqe natyrore e zhvillimore mund të argumentojnë zhdukjen e specieve apo të mjediseve natyrore si: ndryshimet në përdorimin e tokave dhe ujrave (artificializimi i mjediseve natyrore), fragmentizimi i mjediseve natyrore të lidhura me urbanizimin dhe zhvillimin e infrastrukturave të transportit, mbishfrytëzimi i drejtpërdrejtë i specieve të egra dhe trafiku ilegal në gjueti e peshkim, ndryshimet klimatike globale të cilat keqësojnë situatën nëpërmjet ndryshimit të kushteve të jetës të specieve, ndotja e tokës, ujrave dhe ajrit, krahas edhe ndotjeve dritore dhe akustike, përhapja e specieve ekzotike “pushtuese” të mjediseve natyrore të egra biologjike etj.
Por ritmi i erozionit aktual i atribuohet, gjërësisht, aktivitetit të përqëndruar ekonomik njerëzor. Demografia në rritje ka dyfishuar popullatën e botës në 50 vitet e fundit dhe popullsia adopton mënyra jetese që rrisin shumë nevojat njerëzore të jetës. Mondializimi ka shumfishuar shkëmbimet konsumator – prodhues; konsumatori i thjeshtë nuk arrin të perceptojë degradimin që mallrat e blera prej tij kanë shkaktuar në zonat ku ato janë prodhuar: energjitë fosile të përdorura me shumicë, konsum shumë i madh i ujit etj…Teknologjitë e reja (elektronike dhe numerike) janë konsumatorë të shumtë të energjisë, nxjerrës e shfrytëzues të lëndëve të para të reja dhe emetues të gazeve të efektit serrë (interneti dhe teknolgjitë e reja konsumojnë, çdo vit, 7% të prodhimit botëror të elektricitetit)… Modeli i sotëm ekonomik mbizotërues mbështetet në idenë që një rritje ekonomike e pamatë është e mundëshme në një botë me burime të mbarueshme; ky sistem shpejton erozionin e Biodiversitetit, shton konkurrencën e përdorimeve të reja si bujqësia kimike, peshkimi industrial, shkatërrimi i lëndëve të para për të formuar më të përshtatshme …
Forumi “Zhdukja e Gjashtë masive e Biodiversitetit: çfarë po ndodh me Biodiversitetin në Shqipëri?” i zhvilluar kohët e fundit nga Akademia e Shkencave, në bashkëpunim të ngushtë me universitete kryesorë të vendit dhe me njësitë e aktorët më aktivë e të njohur të e shoqërisë civile ambjentaliste në vend, pati si qëllim të ofrojë dhe ndajë me pjesëmarrësit të dhënat më të fundit mbi gjendjen e biodiversitetit në vendin tonë, mbi faktorët kryesorë të rrezikimit të florës dhe faunës së vendit tonë, mbi sfidat e ruajtjes së biodiversitetit dhe si të adresohen ato në vëmendje të administratë së lartë publike dhe publikut të gjerë të interesuar. Njëherazi, ky forum synoi të shërbejë si një medium për të nxitur dialogun dhe diskutimin midis gjithë aktorëve apo palëve të interesuara mbi pikat dhe çështjet mbi të cilat duhet të fokusohet politikë-bërja, qeverisja, kërkimi shkencor, shoqëria civile dhe mediat për t’a bërë sfidën e emërtuar “Zhdukja e Gjashtë masive e Biodiversitetit” një sfidë të të gjithë shoqërisë.
Në forum u përvijua skema e përgjithëshme e kujdesit dhe vëmendjes adresuar Administratës Publike, në disa drejtime themelore: diversifikimi i burimeve të energjisë, duke u orientuar drejt modeleve alternative si energjia diellore, energjia e erës, energjia nga kompostimi i mbetjeve organike (biogazi), gazi natyror, etj.; optimizimi i skemave të operimit të HEC-ve ekzistuese për të zbutur ndikimet në ekosistemet natyrore dhe në biodiversitet; ruajtja e një pjese të rrjetit hidrografik të vendit jashtë planeve për prodhim hidroenergjetik, si domosdoshmëri për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit dhe ruajtjen e natyrës dhe biodiversitetit edhe për brezat e ardhshme; dhënia me shumë kujdes e lejeve për ndërtim të HEC-ve të rinj jashtë monave të mbrojtura, në respekt të legjislacionit për mbrojtjen e mjedisit dhe ruajtjen e Biodiversitetit (ligjet, konventat, Direktivat e BE-së); forcimi i sistemit të vlerësimit, auditit dhe monitorimit mjedisor në Shqipëri dhe respektimi i standarteve të praktikave më të mira mjedisore në fushën e planifikimit, ndërtimit dhe operimit të HEC-ve, duke sigurur shmangien, zbutjen, dhe kompensimin e ndikimeve të tyre në mjedis dhe biodiversitet; rritja e sipërfaqes së zonave të mbrojtura në tokë dhe në det; menaxhimi efektiv i zonave të mbrojtura, përafrimi i plotë i legjislacionit për natyrën dhe biodiversitetin me atë të BE-së dhe forcimi i zbatimit të ligjit (si Direktiva e habitateve dhe Direktiva e shpendëve); përmirësimi i procesit të dhënies së lejes mjedisore, duke përfshirë në sistem oponencën për raportet e vlerësimit të ndikimit në mjedis nga ana e institucioneve shkencore dhe akademike; krijimi i një baze kombëtare të dhënash për perfomancën e përsonave fizikë dhe juridikë (ekspertëve dhe njësive shkencore mjedisore) në përgatitjen e vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe shoqëri, auditin dhe monitorimin mjedisor për të rritur llogaridhënien dhe profesionalizmin.
Në këto kushte, ekspertizat e njësive të specializuara shkencore të Akademisë së Shkencave duhet të kenë fjalën e tyre përcaktuese si në udhëzime për të mbështetur proceset natyrore të zhvillimit, në ruajtjen e mbrojtjen e specieve, në përcaktimin e kushteve që duhen plotësuar për ruajtjen e zhvillimin e habitateve me ekspertizë shkencore të mirëqenë e të pranuar ligjërisht, ashtu edhe në hartimin e politikave dhe veprimtarive të Administratës Publike në programet e projektet ndërtimore dhe të planifikimit të veprimtarive prodhuese, në përmirësimin dhe forcimin e procesit të vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe shoqëri (VNMS), sidomos në fazën e këshillimit publik. Përfshirja e botës akademike shkencore në këtë proces është shprehje e aspektit si e mirë publike dhe rolit të pazëvendësueshëm të shkencës në zhvillimin e qëndrueshëm dhe perspektiv të vendit.