Kamala Harris lindi në vitin 1964 dhe historia e saj fillon në lagjet e larmishme dhe progresive të Gjirit të San Franciskos.
Prindërit e saj emigrantë, Shyamala Gopalan nga India dhe Donald Harris nga Xhamajka, u takuan në Berkeley të Kalifornisë, ku të dy studentët e talentuar ndiqnin studimet pasuniversitare në Universitetin e Kalifornisë.
Universiteti Berkeley i viteve 1960 ishte një qendër e të drejtave civile dhe aktivizmit për paqen.
Zonja Harris ka thënë se ndër kujtimet e saj më të hershme janë kur merrte pjesë me nënën e saj në protesta.
Në vitin 1970, nëna dhe babai i saj u ndanë.
Shyamala Gopalan, me dy vajzat e saj, morën me qera një apartament në një zonë të Berkeley-t.
"Ata jetonin mbi një çerdhe fëmijësh, në një apartament modest me dy dhoma gjumi, me një banjë."
Shoqja e fëmijërisë e zonjës Harris, Carole Porter e njohu atë në stacionin e autobusit të shkollës.
"Ne ishim grupi i dytë që i dhamë fund ndarjes racore në shkollat e Berkeley-t."
Zonja Harris ndoqi Universitetin Howard, një kolegj historikisht afrikano-amerikan dhe më pas fakultetin juridik.
Në një kohë kur burgosja e burrave me ngjyrë në Kaliforni ishte në nivele rekord, ajo punoi si prokurore, një rol që shpesh shihet negativisht në komunitetin afrikano-amerikan.
"Ajo donte të sillte ndryshim në mënyrë që njerëzit të mos ndiqeshin penalisht bazuar në racizmin sistemik dhe strukturor."
Në vitin 2002, zonja Harris hyri në garë për postin e Prokurorit të Qarkut të San Franciskos.
“Nuk kishte pasur kurrë më parë një prokurore qarku grua. Ajo erdhi nga pozita më e dobët, por që në fillim kishte diçka shumë të veçantë”, thotë Andrea Dew Steele, aktiviste demokrate për angazhimin e grave.
Zonja Harris fitoi garën e ngushtë dhe filloi të punojë për rritjen e dënimeve për krimet e dhunshme, ndërsa ata që dënoheshin për herë të parë për krime të lehta i drejtonte në programin e saj të rehabilitimit të quajtur "Back on Track".
E zgjedhur Prokurore e Përgjithshme e Kalifornisë në vitin 2010, ajo u bëri trysni bankave të paguanin 20 miliardë dollarë për praktikat mashtruese të huadhënies, luftoi tregtinë ndërkufitare të drogës dhe trafikantët e qenieve njerëzore dhe mbrojti barazinë për martesën.
Në vitin 2016, zonja Harris u zgjodh në Senat, ku u bë shpejt një zë i fuqishëm për çështjet e emigracionit, kujdesit shëndetësor dhe reformës së drejtësisë penale. Ajo u bë e njohur për pyetjet e saj të mprehta gjatë seancave dhe aftësinë e saj për të mbajtur përgjegjës udhëheqës të fuqishëm.
Por në garën për president të vitit 2020, fushata e zonjës Harris pati vështirësi mes kaosit në ekipin e saj.
“Padyshim që është folur për ndryshime të shpeshta në ekipin e saj, vështirësitë për të mbajtur njerëz të talentuar në orbitën e saj’”, thotë Gil Duran, ish-ndihmës i zonjës Harris.
Zoti Biden fitoi emërimin dhe në fund i kërkoi zonjës Harris të ishte kandidatja për nënpresidente. Të dy ata fituan dhe ajo u bë gruaja e parë dhe personi i parë me ngjyrë në atë post.
Përballë një fluksi të madh imigrantësh që përpiqeshin të hynin në Shtetet e Bashkuara, Nënpresidentja Harris u angazhua me udhëheqësit rajonalë për të trajtuar problemet e paqëndrueshmërisë dhe varfërisë në vendet e tyre.
Ajo u vu shpejt në shënjestër.
“Ajo ishte përgjegjëse për sigurimin e kufirit dhe nuk e di as nëse ka qenë ndonjëherë atje”, thotë republikania Kathy Willmont.
Zonja Harris është bërë më komode si përfaqësuese në skenën botërore, duke e vënë theksin tek mbështetja dhe qetësimin e tensioneve.
Dhe në një karrierë të karaketrizuar nga thyerja e barrierave dhe tejkalimi i pritshmërive, zonja Harris arriti edhe një majë tjetër, duke u bërë kandidatja demokrate për presidente kur Joe Biden u largua papritur nga gara.
Nëse zonja Harris fiton do të hynte në histori, duke u bërë gruaja e parë presidente dhe gruaja e parë me origjinë aziatike në këtë post. Katër vjet më parë ajo hyri në histori, duke u bërë gruaja e parë amerikane në postin e nënpresidentes / VOA
Kjo nuk do ta fitoje sepse qeveria ne te cilen ben pjese dhe kjo po e con boten drejt shkaterrimit
Përgjigju