I dërguari i BE-së Mirosllav Lajçak

Dialogu Kosovë-Serbi/ Me 13 maj do të bisedohet për targat! Kancelari gjerman Scholz pret në Berlin, Kurti, Vuçiçin e Lajçak më 4 maj

29 Prill 2022, 14:54| Përditesimi: 29 Prill 2022, 17:11

  • Share

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, përmes një shkrimi në Twitter ka njoftuar se ka biseduar me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë në dialogun e Brukselit, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq dhe më 13 maj do të vazhdojnë diskutimet për një zgjidhje për targat.

“Më vjen mirë të njoftoj se pas konsultimeve të mia me dy kryenegociatorët dje dhe sot, ne ramë dakord të vazhdojmë diskutimet tona për gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme për çështjen e targave në Bruksel më 13 maj”, ka thënë Lajçak.

Ndërkohë kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, do të presë në Berlin më 4 maj, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe kreun e shtetit serb, Aleksander Vuçiç. Në Berlin do të jetë edhe emisari i BE-së, Miroslav Lajcak, të cilët do të takohen me Kurtin dhe Vuçiçin në mbrëmjen e 4 majit.

‘Kancelari do të mirëpresë presidentin Vuçiç dhe kryeministrin Kurti në Berlin të mërkurën e ardhshme’, kanë deklaruar nga zyra për media e Qeverisë gjermane, për gazetën Express.

‘Bisedimet do të shërbejnë gjithashtu për të mbështetur dialogun Kosovë-Serbi të udhëhequr nga BE. Për të mbështetur këtë dialog të Brukselit, kancelari ka ftuar në Berlin Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajcak, i cili në mbrëmjen e së njëjtës ditë do të zhvillojë bisedime me presidentin serb dhe kryeministrin kosovar’, ka shtuar një zëdhënës i Qeverisë gjermane

Më 21 prill, në Bruksel, kryenegociatorët në dialogun Kosovë-Serbi, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, ishin takuar për të diskutuar për një marrëveshje të përhershme për targat, pasi që marrëveshja e përkohshme e arritur më 30 shtator të vitit të kaluar skadoi më 21 prill.

Por, në takimin e 21 prillit ata dështuan të arrinin një marrëveshje të përhershme për targat dhe marrëveshja paraprake e përkohshme vazhdoi të mbesë në fuqi. Sipas marrëveshjes së përkohshme, automjetet e të dyja vendeve, gjatë qarkullimit në territoret përkatëse, vendosnin letra të bardha ngjitëse mbi simbolet shtetërore në targa.

J.GJ.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?