Bisedimet Kurti-Vuçiç, Qeveria e Kosovës: Serbia nuk firmosi dje propozimin e ndërkombëtarëve! DASH: Thellimi i asociacionit, determinues

28 Shkurt 2023, 09:25| Përditesimi: 28 Shkurt 2023, 22:37

  • Share

Zbatimi i propozimit evropian për normalizimin e raporteve, është hapi i radhës që Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin në një periudhë relativisht të shkurtër kohore. Propozimi, që palëve iu dorëzua shtatorin e kaluar, u pranua gjatë takimit të 27 shkurtit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në praninë e ndërmjetësuesve evropianë. Ky propozim titullohet: “Marrëveshja drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Plani i Bashkimit Evropian nuk u firmos dje nga Serbia. Ky ka qenë qëndrimi i ripërsëritur i Qeverisë së Kosovës për bisedimet e djeshme mes Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiçit. Në një deklaratë të posaçme Qeveria e drejtuar nga Kurti shprehet se gjatë takimeve dje Kryeministri shprehu gatishmërinë për nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ashtu siç është propozuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur nga Gjermania, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mirëpo, pala serbe e refuzoi nënshkrimin.

“Në takimin trilateral, u dakordua që teksti i Propozimit të BE-së të mbetet i pandryshuar, edhe pse Serbia ende nuk është treguar e gatshme për ta nënshkruar. Palët do të fillojnë bisedimet për planin e zbatimit. Ky plan duhet të përmbajë detaje konkrete dhe të jetë gjithëpërfshirës, të ofrojë efektivitet në zbatim dhe të jetë i sekuencuar në mënyrë të balancuar.

Marrëveshja e arritur mbrëmë është mes palëve që e njohin njëra-tjetrën si të barabarta, dhe është arritur mbi bazën e respektimit të barazisë sovrane të shteteve, respektimit të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre. Marrëveshja, mes tjerash siguron edhe njohjen e ndërsjellë të dokumenteve dhe simboleve shtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, vendosjen e misioneve të përhershme si dhe garanton se asnjëra palë nuk e përfaqëson apo vepron në emrin e tjetrës në sferën ndërkombëtare. Me këtë marrëveshje, Serbia po ashtu obligohet të mos pengojë apo kundërshtojë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në cilëndo organizatë ndërkombëtare. Teksti i plotë i marrëveshjes është i publikuar në tërësi në ueb faqen zyrtare të Shërbimit të Jashtëm të BE-së. Takimi i radhës i nivelit të lartë politik pritet të mbahet gjatë muajit mars”, thuhet në njoftimin për mediat.

Ditën e djeshme para fillimit të takimit zyrtar me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Borrell, Kryeministri Kurti realizoi një takim me zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Me të bisedoi për pritjet nga takimi i sotshëm. Kryeministri e falënderoi z. Escobar për mbështetjen dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e dialogut.

 

Ora 22:37
DASH: Themelimi i asociacionit, determinues i së ardhmes së Kosovës euro-atlantike

1677620273_thumbsbce0840f53895f5f51067432e22dc6e333.jpg

Departamenti Amerikan i Shtetit ka dhwnw njw deklaratw njw ditw pas bisedimeve Kosovw-Serbi.

Përmes një komunikate për media, DASH ka thënë se mirëpret bisedimet e liderëve në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, ndërsa rikonfirmuan mbështetjen e fuqishme në procesin e normalizimit.

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin bisedimet e liderëve në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja më 27 shkurt dhe mbështesin fuqishëm procesin e normalizimit të marrëdhënieve të tyre. Takimi i djeshëm ishte një hap i mirë përpara, por mbetet një punë e vështirë.

Marrëveshja mbi aneksin e zbatimit është thelbësore për normalizimin sipas propozimit të BE-së. Progresi drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe mbetet kritik për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës si një vend sovran, multietnik dhe i pavarur i integruar në strukturat euroatlantike”, thuhet në njoftimin e DASH-it.

Ora 21:15
Kurti tha po për planin franko-gjerman, Osmani: Dje u pranuan disa propozime jo të lehta

1676182625_osmani.JPG

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është deklaruar pas takimit të djeshëm të Kurtit me Vuçiçin në Bruksel. Ajo “vlerëson” se ky takim shënon moment pozitiv në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

“Presidentja Osmani vlerëson se takimi i 27 shkurtit në Bruksel, në mes të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian (BE) dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shënon moment pozitiv në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Ai i kontribuon paqes dhe stabilitetit në vend dhe rajon.”- tha Osmani.

Mirëpo, Osmani ka thënë se dje janë pranuar disa propozime jo të lehta.

“Megjithatë, sipas Presidentes Osmani, me këtë marrëveshje, dje janë pranuar edhe disa propozime jo të lehta, që lidhen me vetëmenaxhimin e pakicës serbe në Kosovë dhe rregullimin e statusit juridik të Kishës Ortodokse Serbe. Teksti i marrëveshjes nuk i sqaron tërësisht implikimet nga këto si dhe disa çështje të tjera, të cilat duhet të sqarohen domosdoshmërisht para se të finalizohet Plani i Zbatimit.”- u shpreh Osmani.

Ora 21:08
Takimi Vuçiç-Kurti në Bruksel, Zvicra: Shpresojmë se bisedimet e mëtejshme do të japin rezultatet e dëshiruara

Ministria e Punëve të Jashtme të Zvicrës ka mbështetur dialogun që është mbajtur mbrëmë në Bruksel në mes të Kurtit dhe Vuçiç. Përmes një postimi në Twitter, MPJ e Zvicrës ka thënë se shpreson se bisedimet e mëtejshme do të japin rezultatet e dëshiruara.

“Zvicra mirëpret takimin e fundit në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentit Aleksandar Vuçiç, mbi propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Zvicra, duke mbështetur dialogun e lehtësuar nga BE, shpresojmë se bisedimet e mëtejshme do të japin rezultatet e dëshiruara.” – thuhet në njoftim.

Ora 21:07
Mustafa: Kurti pranoi një marrëveshje ku serbëve u jepen kompetenca ekzekutive

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka kërkuar përgjigje mbi pikën shtatë të propozimit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Në këtë pikë flitet për formalizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe e po ashtu për sigurimin e “një niveli të përshtatshëm të vetëqeverisjes”.

Ai i ka kërkuar presidentes Vjosa Osmani që të tregojë nëse ky nen është në përputhje me Kushtetutën.

Ora 17:15
Vuçiç: Lajçak e Borell më dhanë merita për qëndrimet e mia konstante për Kosovën

1677589151_61351622403.jpg

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha sot se Serbia e sheh problemin e Kosovës ndryshe nga 22 vendet e BE-së dhe se dje ka marrë njohje nga Lajçak dhe Borell për qëndrueshmërinë e pikëpamjeve të tij për Kosovën, shkruan Kosovoonline.

“Mendoj se dje mora mirënjohje nga të dy bashkëbiseduesit tanë evropianë për politikën dhe qëndrimet shumë konsistente dhe konstante që shpreha dhe do t'i përsëris sonte dhe do t'i lexoj me vëmendje, në mënyrë që të shihni dallimin mes interpretimeve dhe manipulimeve të ndryshme. Ne e shohim ndryshe situatën në Kosovë në raport me 22 vendet e BE-së. Nuk është nga sot, as nga viti 2008, por më parë, por sonte do të flas për të në detaje”, tha Vuçiq i pyetur nga një. gazetari të thotë se çfarë ka ndodhur dje në Bruksel, pasi aktorët e bisedës kanë dhënë interpretime të ndryshme.” Ka thënë Vuçiq.

Ora 09:56
‘Arritje e madhe’ apo ‘mundësi e humbur’, çfarë tha opozita e Kosovës për planin evropian

1677574642_KURTIKKK.png

Takimi i djeshëm ndërmjet Kurtit e Vuçiqit dhe në përgjethsi pranimi apo jo i planit të propozuar nga BE-ja, ka vënë në pah sërish dallimet ndërmjet opozitës në temat kryesore. Përderisa PDK-ja e LDK-ja kanë pasur kritika të ashpra për mungesën e njohjes nga Serbia dhe Asociacionin, AAK-ja e ka vlerësuar këtë plan si një arritje e madhe.

Qëndrimet e partive në opozitë lidhur me këtë plan janë shfaqur edhe në Kuvendin e Kosovës. Megjithatë, gjuha e tyre ka qenë dukshëm më e qartë mbrëmë. Memli Krasniqi e Lumir Abdixhiku drejtuan kritika të mëdha pasi Kurti konfirmoi pranimin e planit në parim, përderisa Ramush Haradinaj pati lëvdata.

Në një postim në rrjete sociale menjëherë pas përfundimit të takimit, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, deklaroi se Kurti e humbi mundësinë për të siguruar njohje nga Serbia.

“Duke e injoruar çdo ndihmë e këshillë që ka ardhur nga ne, kokë në vete dhe në kundërshtim me interesat afatgjate të Republikës së Kosovës, Kryeministri Kurti, përmes veprimeve dhe politikave të gabuara, degradoi pakthyeshëm procesin e dialogut. Rrjedhimisht, ai mundësoi heqjen e marrëveshjes finale me njohjen e ndërsjellë në qendër dhe i solli vendit një marrëveshje të përkohshme me asociacionin në qendër. Krahas rritjes enorme të emigrimit si pasojë e keqqeverisjes, Kryeministri Kurti sonte tkurri edhe sovranitetin e shtetit tonë. Prandaj, 27 shkurti i vitit 2023, për Kosovën, me Kryeministër Albin Kurtin, shënon një mundësi të humbur për shtetin tonë që ta përmbyllë përgjithmonë konfliktin e ngrirë me Serbinë”, shkroi kryetari i PDK-së.

Me qëndrim të përafërt u paraqit edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Ai deklaroi se me planin e pranuar në parim mbrëmë, u pranua edhe Asociacioni, përderisa nuk ka njohje reciproke.

“Kjo marrëveshje nuk është finale dhe nuk e përmban njohjen e ndërsjellë. Për më tepër ajo mban ambiguitet interpretues mbi statusin politik të dy shteteve. Gjithçka përveç njohjes - ishte qëllimi i Serbisë. Gjithçka përveç njohjes ka kjo marrëveshje sot, tashmë e pranuar nga palët. Dokumenti i pranuar po ashtu parasheh implementimin e të gjitha marrëveshjeve paraprake - përfshirë dhe Asociacionin - si dhe statusin e veçantë për Kishën Ortodokse Serbe. Kryeministrit i ka mbetur vetëm ta dakordojë datën e themelimit te Asociacionit, meqë ai, me pranimin e zbatimit të marrëveshjeve paraprake, ka pranuar që ta themelojë atë”, ka shkruar Abdixhiku.

E një qëndrim krejt tjetër e prezantoi kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. Ai tha se pajtimi për ta pranuar planin evropian, është arritje e madhe.

“Pajtimi për ta pranuar propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, është një e arritur e madhe. Marrëveshja është pranim faktik i pavarësisë së Kosovës, e cila i rikthehet normalitetit politik e të sigurisë, perspektivës integruese euro-atlantike e njohjeve te reja. Po aq e rëndësishme mbetet edhe faza vijuese e bisedimeve për çështjet tjera të hapura, për të cilat dua të besoj se do te gjenden zgjidhjet më të mira, me çka do të përmbyllej edhe kapitulli i njohjes 'de jure' midis Kosovës dhe Serbisë!”, ka shkruar Haradinaj në rrjete sociale.

Kjo temë duket se ka ndarë sërish opozitën. Kritika të shumta ka pasur për partitë opozitare lidhur me dështimin që të jenë unik në tema të ndryshme, përballë pushtetit. Kjo vërehej edhe në iniciativa të ndryshme kur dërgonin ligje në Gjykatën Kushtetuese, duke u ankuar edhe ndaras./ Nacionale 

Ora 09:04
Pas takimit me Kurtin në Bruksel, Vuçiç me tone ‘dramatike’: Luftova për të ardhmen e Serbisë! Bisedimet të vështira, por të suksesshme

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka bërë me dije se sot do të përgjigjet për të gjitha spekulimet dhe manipulimet të cilat sipas tij janë bërë nga opozita serbe lidhur me takimin e djeshëm që pati me Albin Kurtin në Bruksel.

Në videon e postuar në instagram, Vuçiç foli me tone ‘dramatike’ duke thënë se kishte luftuar për të ardhmen e Serbisë. Ai konfirmoi se pavarësisht vështirësisë, bisedime kanë qenë të sukesshme.

 “Po analizoj çka ka ndodhur. Kemi luftuar aq sa ka qenë e mundur në ato kushte të vështira dhe kemi luftuar për të ardhmen e Serbisë në paqe, për vazhdim të investimeve për shtetin tonë. Dhe po ashtu unë e mbaj premtimin për Kushtetutën e Serbisë dhe Kosovën e Metohinë si pjesë të Serbisë”, ka thënë Vuçiqi. “Për ne, s’ka tjetër Serbi, e kemi një dhe do ta mbrojmë”, deklaroi presidenti serb.

Ditën e djeshme, pas një takimi maratonë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç deklaruan se ishin dakordësuar mbi tekstin e propozimit franko-gjerman që po cilësohet si marrëveshja bazë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Kosova u shpreh se ishte e gatshme për nënshkrimin e planit, por Serbia nuk pati këtë qëndrim. Po ashtu dje për herë të parë u publikua zyrtarisht përmbajtja e planit franko-gjerman.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?