I dërguari i posaçëm i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, më 15 mars do të vizitojë Serbinë. Zyrtari i lartë amerikan, sipas burimeve të REL do të vizitojë edhe Kosovëm gjatë kësaj jave.
Në Beograd, Escobar pritet të zhvillojë takime të ndara me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe me kryeministren serbe, Ana Brnabiq.
Vizita e zyrtarit të lartë amerikan në Serbi do të zhvillohet tre ditë para rundit të ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që do të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Po ashtu, Escobar do të qëndrojë në Beograd pas vizitës dyditore të emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i cili, po ashtu javën e kaluar qëndroi në Kosovë, për të përgatitur takimin e Ohrit.
SHBA-ja mbështet procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga BE-ja. Uashingtoni po ashtu mbështet propozimin evropian për normalizimin e raporteve, i cili është pranuar më 27 shkurt nga Kosova dhe Serbia.
Në takimin e 18 marsit pritet që Kosova dhe Serbia të bisedojnë për zbatimin e këtij propozimi.