Donald Trump dhe Vladimir Putin

Bota

Bisedimet për Ukrainën/ Këshilltari i Kremlinit: Putin po i ofron Trumpit një rrugëdalje, ja kushtet për marrëveshjen Rusi-SHBA

11 Gusht, 09:26| Përditesimi: 11 Gusht, 09:31

  • Share

“Unë mendoj se Putini po i ofron Trump-it një rrugëdalje të përshtatshme”, thotë Dmitrij Suslov, zëvendësdrejtor i Qendrës së Studimeve Evropiane dhe Ndërkombëtare pranë Shkollës së Lartë të Ekonomisë dhe këshilltar i besuar i Kremlinit për politikën e jashtme.

Çfarë pret Putini nga samiti në Alaskë?

“Ka dy opsione të mundshme. I pari është që dy presidentët të miratojnë një plan dypalësh ruso-amerikan për arritjen e një armëpushimi në Ukrainë. Kjo është thelbësore nga këndvështrimi i Kremlinit: marrëveshja është mes nesh dhe Shteteve të Bashkuara, pa Ukrainën dhe Evropën. Ky plan mund të përfshijë tërheqjen e forcave ukrainase nga zonat e Donbasit ku janë ende të pranishme dhe tërheqjen e Rusisë nga rajonet e Sumy, Dnipropetrovsk dhe Kharkiv, me vijën e frontit të pandryshuar në zonat e tjera. Kujtoj se një vit më parë Moska u kishte kërkuar ukrainasve tërheqjen e plotë nga të katër provincat e aneksuara, ndërsa tani kërkon vetëm atë nga Donbasi. Një pjesë kyçe e marrëveshjes është angazhimi i Ukrainës për të mos u anëtarësuar në NATO”.

Pra nuk bëhet fjalë vetëm për një shkëmbim territoresh.

“Sigurisht që jo. Angazhimi për të mos hyrë në Aleancën Atlantike është parakushti i pakalueshëm i çdo armëpushimi. Pastaj marrëveshjet përfundimtare duhet, natyrisht, të përfshijnë edhe çmilitarizimin e Ukrainës dhe reformën kushtetuese në kuptim federal”.

Por kjo, në pozicionin tuaj, dihej. Cilat janë risitë e vërteta?

“Së pari, që Rusia tani është e gatshme të flasë për një armëpushim, jo vetëm për marrëveshjen përfundimtare. Së dyti, që Putini po kërkon pak më pak për armëpushimin në krahasim me një vit më parë”.

Ju folët për dy opsione. Cili është i dyti?

“Që Zelensky, i mbështetur nga evropianët, ta refuzojë këtë zgjidhje dhe në atë pikë Trump do të ndërpresë të gjithë asistencën ushtarake për Kievin dhe madje do të ndalojë t’u shesë armë edhe evropianëve, që ata t’ia japin Ukrainës. Por kjo do të përshpejtonte humbjen e saj dhe kolapsin total”.

Dhe pse Trump, në këtë rast, do të vepronte kundër Kievit, pa ndërmarrë asnjë masë ndëshkuese ndaj Moskës, siç kishte premtuar?

“Nëse Trump mbështet kaq fort dhe pothuaj entuziastikisht opsionin e marrëveshjes, është edhe sepse është vendosur në një pozitë të vështirë, në momentin kur u ka kërkuar Kinës, Indisë dhe Brazilit të mos importojnë më naftë ruse, duke i kërcënuar me sanksione dytësore. Kina, sigurisht, thotë jo, por edhe Nju Delhi dhe Brasilia nuk do ta bënin kurrë, dhe një refuzim i tyre do të ishte problem për Amerikën: në atë pikë, ose Trump tërhiqet duke u dukur i dobët, ose përfshihet në një konflikt politik e tregtar të rëndë me Kinën dhe dy vende qendrore të BRICS-it, me pasoja të paparashikueshme. Nëse, përkundrazi, samiti në Alaskë do të ishte një sukses, me miratimin e një plani të përbashkët për armëpushimin në Ukrainë, fitili që ai ka ndezur me pakujdes me Kinën, Indinë dhe Brazilin do të çaktivizohej dhe presidenti amerikan madje mund ta paraqiste si një meritë historike. Për këtë arsye ne presim që Trump të pranojë propozimin e Putinit. Për të është, pra, një rrugëdalje”.

Pse Alaska? Simbolika e vendit është komentuar shumë.

“Është e vërtetë, është një zgjedhje domethënëse në planin historik dhe politik. Së pari, Alaska nënvizon karakterin dypalësh të samitit. Nuk ka vend në botë më ekskluzivisht ruso-amerikan sesa Alaska: larg nga Evropa dhe Ukraina, shumë pranë Rusisë. Thekson faktin që Putini dhe Trump-i, vetëm, po gjejnë një zgjidhje për luftën në Ukrainë. Së dyti, ai në Alaskë do të jetë samiti i parë i plotë midis Rusisë dhe SHBA-së në territor amerikan në 15 vjet; i fundit ishte në vitin 2010, kur Dmitrij Medvedev vizitoi Barack Obamën në Uashington. Kjo tregon vullnetin e fortë të ndërsjellë për të kthyer faqen e përplasjes dhe për të përmirësuar marrëdhëniet tona. Së treti, axhenda ka përcaktuar zgjedhjen e vendit: përveç Ukrainës, do të diskutohet për Arktikun, një pikë kyçe e marrëdhënieve dypalëshe. Ka një përballje të fortë në rajon, potencialisht teatër i një përplasjeje të armatosur. Aktivitetet ushtarake si të Rusisë ashtu edhe të SHBA-së janë në rritje. Por me shkrirjen e akujve dhe aksesueshmërinë më të madhe, Arktiku është gjithashtu zona më premtuese për zhvillimin e marrëdhënieve të reja të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve tona: kërkime të përbashkëta, eksplorim dhe shfrytëzim i lëndëve të para, tregti”./Corriere della sera 

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e zgjidh emergjencën e zjarreve në Shqipëri blerja e avionëve zjarrfikës?