Pas samitit të së premtes në Alaskë mes Donald Trump dhe Vladimir Putin, bisedimet për Ukrainën zhvendosen në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti Volodymyr Zelensky do të flasë me Trump për atë që ka diskutuar me Putinin, ndërsa shoqërohet nga udhëheqësit e Evropës, dhe shefin e NATO-s, Mark Rutte.
Krahas Rutte, të pranishëm do të jenë kryeministri britanik Keir Starmer, presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, kancelari gjerman Friedrich Merz, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe presidenti finlandez Alexander Stubb.
Zelensky dhe Meloni tashmë kanë mbërritur në Uashington. Sipas axhendës, në Shtëpinë e Bardhë, liderët evropianë pritet të mbërrijnë në orën 18:00. Në orën 19:15 (sipas asaj shqiptare) pritet të nisë takimi dy palësh mes Zelenskyt dhe Trump. Më pas do të përshendeten me udhëheqësit evropianë në 20:15. Çerek ore më vonë është planifikuar një foto në grup dhe takimi i përbashkët në 21:00.
Me të mbërritur në Uashington, Zelensky, përmes një postimi në X, shprehu mirënjohje për SHBA-të dhe miqtë evropianë, teksa shtoi se duhet ushtruar presion ndaj Rusisë që të arrihet një paqe e drejtë dhe t'i jepet fund luftës që nisi ajo vetë. Nga ana tjetër, Trump, para takimit, shkroi në Truth Social se është Zelensky ai që ka në dorë t'i japë fund luftës nëse dëshiron dhe se nuk mund të pretendojë të rimarrë Krimenë tashmë të aneksuar nga Rusia apo të anëtarësohet në NATO.
“Disa gjëra nuk ndryshojnë kurrë!", shkroi mes të tjerash Trump.
Një ditë më parë, udhëheqësit evropianë, nëpërmjet një takimi virtual të “koalicionit të vullnetshmëve”, konfirmuan mbështetjen e tyre për Ukrainën. Ata riafirmuan unitetin përballë agresionit rus dhe theksuan se, në mungesë të një armëpushimi, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian duhet të rrisin presionin ndaj Moskës.
Takimi i sotëm në Shtëpinë e Bardhë vjen pas episodit 'kaotik' të shkurtit në Zyrën Ovale, kur presidenti amerikan e akuzoi homologun ukrainas për mosmirënjohje dhe i kritikoi se po luan 'bixhoz me Luftën e Tretë Botërore'.
Lajm në përditësim…
Pasi ka mbërritur në Uashington për takimin me Donald Trump, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shkroi në rrjete sociale duke shprehur mbështetjen për SHBA-të dhe partnerëve evropianë. Rusia duhet ta përfundojë luftën që nisi, shton Zelensky, duke shprehur bindjen që së bashku me SHBA dhe evropianët do ta detyrojnë atë që të bëjë një paqe të drejtë.
"Jam mirënjohës. Ne të gjithë ndajmë një dëshirë të fortë për ta përfunduar këtë luftë shpejt dhe me besueshmëri. Paqja duhet të jetë e qëndrueshme. Jam i bindur se ne do ta mbrojmë Ukrainën, do të sigurojmë sigurinë e saj dhe populli ynë do të jetë gjithmonë mirënjohës ndaj Trump, Amerikës dhe çdo partneri për mbështetjen dhe ndihmën e tyre të paçmuar. Rusia duhet ta përfundojë këtë luftë, të cilën e filloi vetë. Dhe shpresoj që forca jonë e përbashkët me Amerikën dhe miqtë tanë evropianë mund ta detyrojë Rusinë të bëjë një paqe të vërtetë.", shkroi ai.
Zbardhet axhenda e takimit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe liderëve evropianë me Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Në orën 13:15 me orën lokale (19:15 sipas asaj shqiptare) do të mbahet takimi mes liderit ukrainas dhe atij amerikan dhe më pas do të përshëndesin udhëheqësit evropianë në orën 20:15.
Pas një çerek ore është planifikuar një foto në grup dhe më pas takimi i përbashkët në orën 21:00.
Nuk ka një orar zyrtar se kur mund të përfundojë takimi
Presidenti amerikan Donald Trump thotë se Volodymyr Zelensky mund ta përfundojë luftën me Rusinë menjëherë nëse dëshiron. Në një postim në Truth Social, ai shprehet se Kievi nuk mund të pretendojë që të marrë Krimenë e aneksuar nga Rusia dhe as të futet në NATO.
"Presidenti ukrainas Zelensky mund ta përfundojë luftën me Rusinë pothuajse menjëherë nëse dëshiron, ose mund të vazhdojë të luftojë. Kujtoni si filloi e gjitha. Nuk mund ta merrni përsëri Krimenë që Obama ju dha (12 vjet më parë, pa u qëlluar asnjë e shtënë!), dhe nuk mund ta fusni Ukrainën në NATO. Disa gjëra nuk ndryshojnë kurrë!", shkroi Trump.
Komente
