Bisedimet e para të drejtpërdrejta për paqen mes Rusisë dhe Ukrainës pas më shumë se tre vitesh zgjatën më pak se dy orë, pa ndonjë shenjë të dukshme progresi në ngushtimin e hendekut mes palëve, dhe një burim ukrainas i quajti kërkesat e Moskës “të papranueshme”.
Delegacionet nga të dyja palët ndërluftuese u takuan të premten në një pallat në Turqi, në takimin e tyre të parë ballë për ballë që nga marsi i vitit 2022, një muaj pas pushtimit rus të Ukrainës. Sipas një burimi ukrainas që foli për Reuters, hendeku mes dy palëve u bë menjëherë i dukshëm dhe kërkesat e Rusisë u cilësuan si “të shkëputura nga realiteti dhe që shkojnë përtej gjithçkaje që është diskutuar më parë”.
Sipas të njëjtit burim, këto përfshinin ultimatume që Ukraina të tërhiqet nga pjesë të territorit të saj në këmbim të një armëpushimi, “dhe kushte të tjera të papranueshme e joproduktive”. Burimi foli në kushte anonimiteti.
Nga pala ruse nuk pati menjëherë asnjë reagim apo deklaratë.
Pritshmëritë për ndonjë përparim të madh, që ishin të ulëta që më parë, u goditën edhe më shumë të enjten, kur presidenti amerikan Donald Trump, gjatë përfundimit të një turi në Lindjen e Mesme, deklaroi se nuk do të ketë përparim pa një takim mes tij dhe presidentit rus Vladimir Putin. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e cilësoi përparësinë kryesore të Kievit si “një armëpushim të plotë, të pakushtëzuar dhe të ndershëm... për të ndalur vrasjet dhe për të krijuar një bazë të qëndrueshme për diplomaci”. Ai tha se, nëse Rusia do të refuzonte, atëherë ndaj saj duhet të vendosen sanksione të forta të reja ndaj sektorit të energjisë dhe bankave.
Rusia thotë se dëshiron t’i japë fund luftës përmes mjeteve diplomatike dhe është e gatshme të diskutojë një armëpushim. Por ajo ka ngritur një listë të gjatë çështjesh dhe shqetësimesh, duke thënë se Ukraina mund ta përdorë pauzën për të pushuar forcat e saj, për të mobilizuar trupa shtesë dhe për të marrë më shumë armë perëndimore.
Ukraina dhe aleatët e saj akuzojnë Putinin për zvarritje dhe thonë se ai nuk është serioz për paqen.
DY RRUGË
Të dyja palët janë nën presion nga Trump për t’i dhënë fund konfliktit më të përgjakshëm në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore. Nuk pati asnjë njoftim të menjëhershëm nëse bisedimet do të vazhdojnë dhe kur. Delegacionet ishin ulur përballë njëra-tjetrës, me rusët të veshur me kostume dhe gjysmën e ukrainasve me uniforma ushtarake kamuflazhi. “Para nesh janë dy rrugë: njëra do të na çojë në një proces që do të sjellë paqe, ndërsa tjetra do të çojë në më shumë shkatërrim dhe vdekje. Palët do të vendosin vetë, me vullnetin e tyre, cilën rrugë do të zgjedhin”, u tha ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan në hapje të takimit.
Burimi ukrainas tha se ukrainasit folën në gjuhën e tyre, megjithëse gjuha ruse është gjerësisht e kuptueshme dhe e folur në Ukrainë.
PUTIN QËNDROI LARG
Ishte Putini që propozoi bisedimet e drejtpërdrejta në Turqi, por ai refuzoi sfidën e Zelenskyt për t’u takuar atje personalisht, duke dërguar në vend të tij një ekip zyrtarësh të nivelit të mesëm. Ukraina u përgjigj duke emëruar gjithashtu negociatorë të së njëjtës rang.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha në prag të takimit se nuk pritej ndonjë përparim i madh, për shkak të nivelit të ulët të ekipeve negociuese.
“Shpresoj të jem 100% gabim. Shpresoj që nesër lajmet të thonë se është rënë dakord për një armëpushim, se është rënë dakord për nisjen e negociatave serioze. Por po ju jap vlerësimin tim, sinqerisht,” tha ai.
Të premten, Rusia njoftoi se kishte kapur një tjetër fshat në përparimin e saj të ngadaltë në Ukrainën lindore. Disa minuta para fillimit të takimit në Stamboll, media ukrainase raportoi një alarm ajror dhe shpërthime në qytetin e Dnipros.
Rusia thotë se e sheh këtë raund të ri bisedimesh si vazhdim të negociatave që u zhvilluan në javët e para të luftës në vitin 2022, gjithashtu në Stamboll.
Por kushtet që u diskutuan atëherë, kur Ukraina sapo ishte goditur nga sulmi fillestar rus, do të ishin shumë të pafavorshme për Kievin. Ato përfshinin kërkesa nga Moska për shkurtime të mëdha në madhësinë e ushtrisë ukrainase.
Shefi i kabinetit të Zelenskyt, Andriy Yermak, tha se përpjekjet e Rusisë për të barazuar bisedimet e reja me ato të dështuara të mëparshme nuk do të kenë sukses.
Me forcat ruse që tani kontrollojnë gati një të pestën e territorit të Ukrainës, Putini vazhdon të qëndrojë në kërkesat e tij të kahershme që Kievi të heqë dorë nga territore, të braktisë ambicien për t’u anëtarësuar në NATO dhe të bëhet një vend neutral.
Ukraina i refuzon këto kushte si të barasvlershme me kapitullimin dhe kërkon garanci të forta për sigurinë e saj nga fuqitë botërore, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara.
lajm në përditësim...
Komente
