Putin mirëpret bisedimet me SHBA-në në Arabinë Saudite: "Një hap i parë drejt normalizimit të marrëdhënieve"
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka vlerësuar pozitivisht bisedimet mes përfaqësuesve të diplomacisë ruse dhe amerikane në Arabinë Saudite, duke i cilësuar ato si një "hap i parë" drejt rivendosjes së marrëdhënieve mes dy fuqive.
"Sipas informacioneve që kam marrë, këto bisedime kanë dhënë një rezultat. Kemi ndërmarrë hapin e parë për të rifilluar punën në fusha të ndryshme," tha Putin, sipas agjencisë Interfax.
Ai shtoi se Moska dhe Uashingtoni kanë rënë dakord për të rivendosur funksionimin normal të departamenteve të tyre diplomatike.
Lidhur me mungesën e Ukrainës në këtë proces, Putin e quajti "të papërshtatshme" reagimin e Kievit dhe theksoi se Ukraina nuk është përjashtuar nga negociatat.
"Presidenti Trump më tha gjatë një bisede telefonike se Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë të nevojshme që negociatat të zhvillohen me pjesëmarrjen e të dyja palëve, si Rusisë ashtu edhe Ukrainës," citohet ai nga Interfax.
Putin gjithashtu akuzoi liderët evropianë për ndërhyrje në zgjedhjet amerikane, duke thënë se ata "kanë shkuar deri në fyerje të drejtpërdrejtë të njërit prej kandidatëve." Ai shtoi se është i befasuar nga "moderimi" i Donald Trump në trajtimin e aleatëve të tij, të cilët, sipas tij, janë sjellë "në mënyrë të vrazhdë".
Gjatë bisedimeve në Riad, Moska dhe Uashingtoni kanë diskutuar gjithashtu për praninë e Rusisë në Siri dhe zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez, por Putin theksoi se fokusi kryesor mbetet lufta në Ukrainë.
Nga ana tjetër, presidenti rus konfirmoi se forcat ruse kanë kaluar kufirin nga rajoni i Kurskut duke hyrë në territorin ukrainas gjatë natës së kaluar.
Megjithatë, ai nuk saktësoi nëse kjo do të thotë se rajoni rus, i cili pjesërisht ka qenë nën kontrollin e forcave ukrainase që nga gushti i vitit të kaluar, është çliruar plotësisht.
"Informacioni më i fundit që kam marrë është se ushtarët e Brigadës së 810-të kanë hyrë në territorin armik," deklaroi Putin, sipas Tass.
Komente
