Besnik Bislimi

Kosova & Rajoni

Bislimi: Kosova përfiton 2 milionë euro nga Korniza Investuese e BE-së

2 Gusht, 15:50| Përditesimi: 2 Gusht, 15:52

  • Share

Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë të shtunën se Kosovës i janë miratuar aplikimet në Kornizën për Investime të Bashkimit Evropian për rajonin e Ballkanit Perëndimor (WBIF) dhe që vendi do t’i përfitojë mbi 2 milionë euro. Korniza për Investime e BE-së për Ballkanin Perëndimor synon zhvillimin socio-ekonomik dhe të perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit.

“Përkundër faktit që vendi ynë ishte nën masa të padrejta të BE-së, vitin e kaluar aplikuam në thirrjet e Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF) me katër projekte në fushat e energjisë dhe digjitalizimit”, ka shkruar Bislimi në Facebook, si referencë për masat që pati vendosur blloku evropian ndaj Kosovës në qershor të vitit 2023.

Sipas Bislimit, për projektet e energjisë shuma e granteve të asistencës teknike do të shkojë në mbi 800 mijë euro, ndërsa për ato të digjitalizimit në mbi 1 milion e 200 mijë euro. Masat ishin vendosur si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët shqiptarë – të dalë nga zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët lokalë – nisën detyrën e tyre në komunat në veri.

Përveç fondeve të bllokuara nga Korniza e Investimeve, Kosova ishte suspenduar edhe nga programi i fondeve në kuadër të IPA 2024 (Fondet e Para-Anëtarësimit), si dhe nga takimet e ekipeve të angazhuara në kundër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) - paktit të parë kontraktual ndërmjet Kosovës dhe bllokut evropian.

Kosovës kanë nisur t’i hiqen disa masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian në maj të këtij viti. Dëmet, sipas njohësve të këtyre çështjeve arrijnë në qindra miliona euro.

Sipas raportit të Institutit GAP, masat përgjatë dy viteve kanë prekur rreth 395 milionë euro mjete në kuadër të WBIF-së, dhe rreth 218 milionë euro në kuadër të programit IPA - program që u ofron asistencë financiare dhe teknike vendeve që synojnë BE-në.

Sipas raportit, sektori i mjedisit ka pësuar më së shumti nga masat ndëshkuese të BE-së për Kosovën, kur merret parasysh vlera e projekteve të pezulluara – rreth 350 milionë.

Kosova është mbështetur nga Korniza e Investimeve që nga viti 2009. Deri në vitin 2021, në Kosovë ishin mbështetur 30 projekte në vlerë prej 1.8 miliard eurosh. Projektet përfshijnë ndërtimin e rrugëve, rehabilitimin e hekurudhave, sistemet e ngrohjes qendrore dhe përmirësimin e sistemit të ujërave të zeza.

Për vitet 2023-2030, në kuadër të këtij mekanizimi, në Kosovë janë paraparë edhe projekte të tjera, si: Autostrada e Paqes Prishtinë - Nish, rruga hekurudhore Beograd - Prishtinë, ngrohja diellore për Prishtinën, impianti për trajtimin e ujërave të zeza për Prishtinën e të tjera./REL

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Deri në 3 vite burg për braktisjen e kafshëve, si e vlerësoni?