Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka konfirmuar të mërkurën se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), e cila vendos që vetëm valuta euro të përdoret për pagesa me para të gatshme, do të hyjë në fuqi të enjten më 1 shkurt, ashtu siç parashihej.
Kjo vjen pavarësisht trysnisë ndërkombëtare që Kosova ta shtyjë zbatimin e një vendimi të tillë, i cili e ndalon përdorimin e dinarit serb në vend.
Bislimi tha se do të sigurohet tranzicioni i lehtësuar.
"Implementimi i rregullores nuk nënkupton ndalim të transfere nga Serbia dhe nuk nënkupton dënime eventuale financiare për mbajtjen e valutës se një shteti tjetër”.
Bislimi, po ashtu, tha se do të zhvillohet një fushatë për infomimin e qytetarëve, dhe se shpreson për biseda mes bankave qendrore të Kosovës dhe të Serbisë për gjetjen e një mekanizmi për transfer transparent të mjeteve.
Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, vazhdon ta përdorë dinarin për t’i paguar pensionet, ndihmat sociale dhe rrogat për institucionet paralele që ka në Kosovë.
Bislimi nguli këmbë se rregullorja e BQK-së nuk ka të bëjë me dinarin serb në veçanti.
"Nuk ka dyshim se qëllimi final i rregullores është edhe mbrojtja e konsumatorit dhe pagesave në Republikën e Kosovës. Synim i rregullores nuk ka qenë dhe as nuk është caktimi i monedhës zyrtare në qarkullim meqë kjo është caktuar shumë më herët, njësoj nuk ka qenë fokus i rregullores ndalimi i qarkullimit të ndonjë monedhe specifike", theksoi ai.
Bislimi tha se bashkësia ndërkombëtare nuk e vë në dyshim ligjshmërinë e rregullores, duke iu referuar takimeve të fundit të ambasadorëve të QUINT-it me kryeministrin Kurti këtë javë, si dhe vizitës së të dërguarit të posaçëm të BE-së, Mirosllav Lajçak, në Prishtinë të martën.
Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe anëtarët e tjerë të QUINT-it – Gjermania, Italia, Franca dhe Britania - kanë thënë se vendimi i BQK-së “ngre shqetësime në lidhje me ndikimin në veçanti në komunitetet me shumicë serbe”.
Bislimi e kritikoi Serbinë për keqpërdorim me para në emër të serbëve të Kosovës.
“Presidenti serb deklaron që ai dërgon në Kosovë çdo vit 800 milionë euro, sikur të vinin 800 milionë euro në Kosovë, serbët e Kosovës do t’i kishin të ardhurat si qytetarët e Japonisë. Në Kosovë do vijnë më pak se 200 milionë euro. Vendosja e transparences e vendos në siklet Vuçiqin të deklarojë ku shkojnë paratë e tjera”, shtoi ai.
Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Serbisë – ka thënë se vendimi i BQK-së rrezikon mbijetesën e serbëve në Kosovë.
Në Kosovë, në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe, popullsia përdor dinarin serb për të kryer pagesa dhe ata që punojnë në institucionet serbe në Kosovë, i marrin edhe pagat me dinarë.
Me dinarë paguhen edhe pensionet, sipas sistemit serb, si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale.
Në objektet tregtare, në zonat ku banojnë serbët në Kosovë, përveç euros, përdoret edhe dinari./REL