Biznes e shtesa në monument? Si do restaurohet Kalaja e Ali Pashës, specialisti: Projekti që diskutuam në Këshill me arkeologë, del në pah kalaja e vogël e shek XVI

26 Korrik 2023, 16:09| Përditesimi: 26 Korrik 2023, 17:10

  • Share

Projekti i propozuar për herë të parë për restaurimin e një nga monumentet më të rëndësishme në vend, Kalanë e Ali Pashës në Tepelenë, ka ngjallur diskutime. Specialisti Mariglen Meshini shpjegon për Report Tv se çfarë u diskutua në Këshillin e Trashëgimisë Kulturore Materiale dhe nëse do të ketë shtesa në monument dhe cilat hapësira do të marrin funksion tregtar.

Ky është projekti më i fundit i propozuar për rivitalizimin e Kalasë së Ali Pashës në Tepelenë, Monument i Kategorisë së Parë. Është realizuar nga një studio në kryeqytet e kontraktuar nga Fondi Shqiptar për Zhvillim që po vijon rehabitimin e zonës.

“Në vitin 2020-2021 kemi pasur fazën e parë të ndërhyrjeve në Kalanë e Tepelenës, e cila lidhej me rrugët e brendshme të Kalasë, sistemimin e tyre si dhe me aksesin e disa rrugëve që deri në atë kohë nuk ishin të mundura për tu aksesuar”,shprehet arkeologu Mariglen Meshini, specialist pranë Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.

Projekti, me në fokus restaurimin dhe rivitalizimin është kthyer për rishikim të disa pikave nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale pranë Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, ku duhej të miratohej. 

“Më së tepërmi pikat që u diskutuan dhe që janë ende të pasaktësuara kanë të bëjënë me disa aspekte teknike të mënyrës së ndërhyrjes, kryesisht në pjesën jugore të linjës së fortifikimit të Kalasë. Detaje se si do të ndërtyhet qoftë me pastrimin e vegjetacionit, me fugatimin e të gjithë muraturës së dëmtuar, por edhe me mënyrën se si do të jetë e aksesueshme ajo. Pra me materialin që do të përdoret është kërkuar një material i rikthyeshëm që nuk dëmton monumentin”, thotë më tej.

Për projektin në fjalë po ashtu është diskutuar unifikimi, edhe sa i përket hapësirave të banuara.

“Kjo do të thotë të kemi uniformitet, të mos kemi tre-katër tipe çatish  apo mbulimesh, por të gjitha të kenë kompozim të njëjtë arkitektonik”, shton ai.

Në vite ka pasur disa projekte të kthyera për restaurimin e Kalasë së Ali Pashës. Propozimi në fjalë, mori kritika edhe nga Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë e disa specialistë, sa i përket shtesave deri në dy kate të evidentuara në të. Specialisti Mariglen Meshini shpjegon nëse bëhet fjalë për ndërhyrje në monument.

“Rivitalizimi në vetvete ka të bëjë restaurimin e monumentit, aksesimin e tij, që nuk ka të bëjë me ngritjen e kateve apo diçka tjetër. Lidhet me banesat që janë aty, pra për të sjellë një uniformitet të gjitha zonave të banuara. Pra, nëse shikojmë sot banesat kanë disporpocion me njëra-tjetrën, tipologji të ndryshme ndërtimi, çka nga pikëpamja e një monumenti që janë aty dhe për syrin e një vizitori nuk është komode. Dhe të gjitha ndërhyrjet janë në funksion të ndërtesave aktuale, asnjë ndërhyrje tjetër përveç kësaj”, sqaron Meshini.

Hapësirat me funksion tregëtar po ashtu ngritën dyshime mbi projektin.

“Nuk ka lidhje fare me monumentin. Kur flasim për qendra tregëtare flasim për banesat që janë aty. Ato do të jenë disa njësi shërbimi për të ekspozuar produkte vendase , prodhime artizanale ndërkohë turistët hyjnë në monument ku u jepet një mundësi banorëve vendas për të ndjerë në mënyrë të drejtpërdrejtë ndikimin që ka ky projekt. Asnjë nga hapësirat e monumentit nuk përdoret për këtë funksion, përkundrazi projekti synon që edhe ato hapësira të monumentit që janë të paaksesueshme t’i bëjë të aksesueshme”, shpjegon Meshini.

Në Kalanë e Ali Pashës, nuk janë bërë më herët ndërhyrje restauruese, por pastrimi nga vegjetacioni dhe mirëmbajtje.

“Në vitin 2014 është çliruar nga disa ndërtime që kanë qenë aty, sidomos pjesa jugperëndimore, ku sot kemi mundësinë që të shijojmë të gjithë fasadën dhe hyrjen kryesore të kalasë së bashku me kullën e saj”, thotë më tej.

Problemet më të mëdha që hasen janë disa çarje vertikale të monumentit dhe po ashtu pjesë të munguara të murit fortifikues.

“Siç e dimë Kalaja nuk është vetëm ajo që ne njohim sot por është edhe një kala më e vogël, që është faza fillestare e fortifikimit të këtij ndërtimi që datohet në shek. e XVI-të.Në këtë monument nuk janë bërë asnjëherë ndërhyrje dhe projekti i këtij viti ka si qëllim që këtë objekt ta nxjerr në dritë dhe të bëjë restaurimin e mureve”, shpjegon specialisti.

Ndërhyrjet restauruese siç shpjegon Meshini do të jenë në përputhje me Ligjin e Trashëgimisë Kulturore për Muzetë, e madje për herë të parë do të shoqërohen dhe me një projekt arkeologjik

“Kjo do të thotë që çdo ndërhyrje që do të realizohet qoftë në infrastrukturë ashtu edhe për restaurimin do të paraprihet nga sondazhe arkeologjike. Do të jenë të pranishëm arkeologët këtu. Realisht në këtë monument nuk janë bërë kurrë gërmime arkeologjike dhe nuk është se ne i njohim mirë të dokumentuara fazat e ndërtimit të saj. Arkeologët mendojnë se mund të ketë faza më të hershme se se ajo që njohim ne përmes dokumenteve dhe fortifikimit të Kalasë”, thotë më tej. 

Rivitalizimi i Kalasë, e cila konsiderohet si një nga më të rëndësishmet në vend, pritet të përfundojë brenda një viti. Për rindërtimin e objektit aktual, me tri hyrje dhe po aq kulla në 1819-ën, thuhet se është kujdesur vetë Ali Pasha.

M.T//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Meti: 27/07/2023 03:34

    Kujt ia ka ndare Rama kalane dhe objekter perreth? Gjiknurit apo Luces?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?