Bizneset s'gjejnë punëtorë, pensionisti 68-vjeçar vijon punën si instruktor autoshkolle! Llazar Kovaçi: Fëmijët tanë e quajnë profesion të lodhshëm

22 Korrik 2023, 15:03| Përditesimi: 22 Korrik 2023, 20:44

  • Share

Pensionistët po vijojnë punën edhe pas plotësimit të moshës, për shkak të mungesës së punëtorëve në disa sektorë të ekonomisë së vendit. Report Tv sjell historinë e një 68-vjeçari i cili vijon të punojë edhe pse ka kaluar 3 vite nga dalja në pension.

Llazar Kovaçi, 68 vjeç, ka tri vite që ka dalë në pension, por vijon të punojë si instruktor praktike në autoshkollë.

Ligji e lejon deri në moshën 70 vjeçare, por ajo që e shtyu që të punonte, ishte mungesa e punëtoreve.

“Problemi është se ne nuk gjejmë dhe fuqi punëtore dhe instruktor për momentin prandaj jemi të detyruar ta mbajmë gjallë ne edhe në këtë moshë që jemi. Është shumë vështirë të gjesh punonjës sot”, tha Llazari.

Ai thotë se ky ngërç për të pasur specialist të rinj në këtë sektor, ka ardhur si pasojë e pagave tepër të ulëta. Puna dhe përgjegjësia e madhe sipas tij nuk shpërblehet. 

“Aq më shumë që edhe pagat janë shumë të vogëla në sektorin që ne po trajtojmë. Është një biznes i vështirë, teknik. Një sektor që ka probleme të mëdhaja”, tha ai. 

Këtë profesion së bashku me të shoqen e ushtrojnë prej më shumë se 20 vitesh.

“Unë kam mbaruar degën transport të planifikimit të mekanikës bujqësore bashkë me bashkëshorten time. Të dy duke menduam që të hapim nëj biznes që ëshët brenda CV tonë. Jemi brenda atij profesioni. Problemi është që pjesëtarët e familjes të trashëgojnë këtë profesion. E quajnë të lodhshëm. Më vjen shumë keq. Kjo lloj dëshmie jepet pas moshës 30 vjeç, që instruktorët të kenë dhe një lloj pjekurie. Gjithmonë me këtë fushë jam marrë”, përfundoi ai.

Jo vetëm në transport, por edhe në shumë sektorë të tjerë ngërçi për të gjetur punëtorë të rinj është i madh. Kjo i ka detyruar shumë pensionistë të ripunësohen ose të mos shkëputen nga puna edhe pasi kanë mbushur moshën. Sipas INSTAT,  për tre muajt e parë të vitit 2023, ishin të punësuar mbi 71 mijë pensionistë të cilët përbënin 15.6 për qind të totalit të popullsisë mbi 65 vjeç. Në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2022 numri i pensionistëve të punësuar u rrit me 17%.

M.T//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?