Ekonomi

Bizneset po ‘trokasin’ më shumë tek bankat për kredi, BSH: Interesat e ulëta kanë shtuar kërkesën, shumica për investime

27 Korrik, 19:03| Përditesimi: 27 Korrik, 19:08

  • Share

Bizneset po trokasin më shpesh në dyert e bankave për të marrë kredi. Shtimi i investimeve, zgjerimi i aktivitetit dhe hovi i sektorit të turizmit dhe agroturizmit, ka bërë që bizneset të kërkojnë më shumë financim nga sektori privat.

Banka e Shqipërisë thotë se gjysma e parë e vitit është mbyllur me më shumë kërkesa për kredi nga bizneset e të gjitha madhësive, kryesisht për investime.

“Në gjykimin e bankave, rritja e kërkesës për kredi u mbështet nga nevojat më të larta për financimin e investimeve, nga niveli i përgjithshëm i normave të interesit dhe nga treguesi i besimit të biznesit”, thuhet në vrojtimin e Bankës së Shqipërisë.

Me uljen e normës bazë të interesit në fillim të korrikut, interesat e kredive pritet të ulen edhe për bizneset e qytetarët, për këtë arsye edhe kërkesa për hua parashikohet në rritje nga bankat tregtare në vend.

“Kërkesa për kredi e bizneseve pritet të rritet edhe në tremujorin e tretë të vitit 2025, si në terma të madhësisë së biznesit, ashtu edhe në terma të qëllimit të përdorimit të kredisë”, vijon më tej vrojtimi.

Sa i takon kushteve të miratimit të kredisë, banka qendrore thotë se ato mbetën të pandryshuara për bizneset edhe pse institucionet bankare vijojnë të jetë të kujdesshme në aprovimin e huave. Që në nisje të vitit bankat kanë shtuar kërkesat për kolateral ndaj bizneseve që kanë pasur historik negativ në shlyerjen e kredisë.

S.B/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si mendoni se po menaxhohet situata me zjarret?