Bizneset shqiptare shitën 12% më pak se vjet! Energjia në vend numëro, fuqizohet importi!

20 Gusht, 15:42| Përditesimi: 20 Gusht, 15:55

  • Share

Kriza e eksporteve është thelluar edhe më shumë në muajin korrik. Bizneset shqiptare shitën vetëm 33 miliardë lekë mallra muajin e kaluar, me rënie prej 12% krahasuar me vjet, dhe në tkurrje ishin edhe krahasuar me qershorin. Kurse importet rezultuan 85 miliardë lekë, duke u rritur me 21.1% krahasuar me korrikun e 2023-shit.

Referuar shifrave të INSTAT, për periudhën 7 mujore janë shitur mallra me vlerë 233 miliardë lekë nga 272 miliardë lekë që ishin vjet, ndërkohë janë blerë nga jashtë 526 miliardë lekë mallra nga 509 miliardë lekë që ishte vlera vjet. Për shkak të tkurrjes së eksporteve dhe fuqizimit të importeve është thelluar deficiti tregtar i cili në 7 muaj ka arritur në vlerën 293 miliardë lekë.

Rënia më e madhe e eksporteve në këtë periudhë është regjistruar tek grupi i energjisë elektrike, pasi ka stopuar shitja energjisë pasi vendi po importon, ndjekur nga sektori i manifakturës me rënie prej 5.2%.

“Eksportet, gjatë këtij shtatëmujori janë ulur me -14,5 %, krahasuar me një vit më parë. Grupet që kanë ndikuar në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me -6,0 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -5,2 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -2,2 pikë përqindje, etj. Pozitivisht ka ndikuar grupi: “Produkte kimike dhe plastike” me +0,1 pikë përqindje, etj”, thuhet në raportin e INSTAT.

Ndërsa importet në këtë periudhë janë rritur më shumë prej grupit të makinerive e pjesëve të këmbimit me 3.3%, ndjekur nga ushqimet, pijet e duhani pasi bizneset tona kanë blerë 1.5% më shumë se vjet.

“Si shtatëmujor, importet janë rritur me +3,2 %, krahasuar me shatëmujorin e parë 2023. Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të importeve, janë: “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +3,3 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” me +1,5 pikë përqindje, Materiale ndërtimi dhe metale” me +0,6 pikë përqindje, etj. Ndërsa negativisht kanë ndikuar grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -1,3 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -1,1 pikë përqindje, etj”, thuhet në raport.

Dy janë faktorët kryesor që kanë dëmtuar bizneset eksportuese shqiptare. Forcimi i monedhës kombëtare ‘lekë’, përkundrejt valutave, po zhvlerëson muaj pas muaj fitimet e bizneseve eksportuese, për shkak se shitjet i kanë në euro, kurse kostot në lekë. Por nga ana tjetër ekspertët thonë se edhe ulja e çmimeve në krahasim me krizën e inflacionit ndikon në rënien e vlerës së eksporteve, pasi po shitet me çmim më të ulët se vitet e kaluara.

Nga janari në korrik vendi i ka shitur më pak mallra Italisë, Gjermanisë e Greqisë, dhe ka blerë më pak nga SHBA Spanja e Kroacia. Partnerët kryesor tregtar për eksportet janë Kosova dhe Kina, ndërsa për importet janë Italia, Kina dhe Turqi.

EKSPORTET E MALLRAVE
Janar-Korrik 2023         272.163 mln lekë
Janar-Korrik 2024         232.589 mln lekë
Rënia                             -39.574 mln lekë

 

IMPORTET E MALLRAVE
Janar-Korrik 2023        509.272 mln lekë
Janar-Korrik 2024        525.705 mln lekë
Rritja                           +16.433 mln lekë
 

G.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?