Biznesi më i preferuar i shqiptarëve, që nga fillimi i viteve ’90, ai i bareve e restoranteve, e ka marrë sërish veten në vitin 2022, pas rënies që pësoi në periudhën e pandemisë.
Të dhënat e fundit të INSTAT bënë të ditur se në vitin 2022, aktiviteti i pijeve dhe shërbimit ushqimor regjistroi të ardhura prej 69 miliardë lekësh (rreth 650 milionë euro), me një rritje të fortë prej 47% në krahasim me vitin e mëparshëm. Këto të ardhura janë në fakt shpenzimet e klientëve vendas e të huaj për bare e restorante në vend.
Ky është niveli më i lartë i të ardhurave të regjistruara ndonjëherë. Rritja e çmimeve në bare e restorante është një nga arsyet që ka ndikuar. Sipas INSTAT, në 2022, çmimet në bare e restorante shënuan rritjen më të lartë në 15 vjet ndonëse me ritme të ngadalësuara tendenca vazhdoi edhe në 2023.
Ndërsa emigracioni i popullsisë, sidomos i të rinjve, ka ndikuar në frekuentimin e bareve nga vendasit, këta janë kompensuar nga turistët. Të dhënat e INSTAT treguan se në 2022, vendin e vizituan mbi 7 milionë shtetas të huaj dhe në 2023, shifra arriti në 10 milionë.
Ndonëse të huajt që vijnë në Shqipëri janë përgjithësisht me çanta shpine që konsumojnë pak, sërish ata i gjen rëndom në bare e restorante në zonat kryesore turistike të vendit e në kryeqytet.
Numri i bareve u rrit për herë të parë që nga 2016-a
Biznesi i bareve e restoranteve arriti kulmin në 2016, kur numri i tyre arriti në gati 19 mijë. Më pas u shënua një rënie e vazhdueshme në linjë me ciklin e ri të emigracionit, që uli frekuentimin e tyre, por dhe me krijimin e linjave më të mëdha të bareve, që konkurruan kafenetë e vogla. Në 2021, numri i bareve e restoranteve zbriti në 14.7 mijë, niveli më i ulët që nga 2013-a.
Por, në 2022 u shënua dhe një rritje e numrit të bareve e restoranteve për herë të parë që nga 2016-a. Numri i tyre u rrit me 4%, duke arritur në 15.3 mijë, nga 113 mijë që është total i ndërmarrjeve në vend.
Rekord në Europë
Përgjithesisht baret e restorantet në shtetet e Europës janë të përqendruara në rrugicat e zonave turistike. Në asnjë vend të Europës nuk gjen kaq shumë bare e restorante në çdo lagje apo rrugë sa tek ne. Numri i lartë i kafeneve që ka Shqipëria reflektohet dhe në krahasimin e strukturës së bizneseve në Europë.
Të dhënat e Eurostat, të përpunuara nga Monitor tregojnë se mesatarisht vetëm 4.8% e totalit të bizneseve ushtrojnë aktivitetin e pijeve dhe shërbimit ushqimor. Të dhënat janë për vitin 2022. Në Shqipëri, sipas INSTAT aktivitetet e pijeve e shërbimit ushqimor zënë 13.5% të totalit, që është më e larta në Europë.
Pas Shqipërisë renditet Bosnjë-Hercegovina, me 11.3%, e ndjekur nga Zvicra me 8.9%, Greqia 8.5%, Serbia 8.4%. Spanja dhe Italia, që janë dy shtetet ndër më turistike të Europës, kanë përkatësisht 7.8 dhe 5.9% të bizneseve të përqendruar në aktivitetin e pijeve e shërbimit ushqimor. Shtetet që u kushtojnë më pak “vëmendje” biznesit të kafeneve janë Norvegjia (2.2%), Polonia (2.2%), Estonia (2.1%)./Monitor
Po eshte e thjeshte dashuria e shqiptareve per kafenete. Se pari, ke shume pak hapsira publike ku mund te shlodhen e socializohen njerezit (parqe, terrene sportive, kinema, muzeume etj. Se dyti, asnje zyre shteti ose private nuk ka dhome ku mund te presesh ulur per te marre sherbim. Se treti, ke nje perqindje te madhe te popullsise qe ende jeton ne apartamente te vogla ose pa ajer te kondicionuar.
PërgjigjuNe shqiperi vetem 1.5 mil shqiptare Jane , eshte biznes qe preferohwt nga 10 mil turist pra me shume pine kafe turiste te huaj nese perdorim logjiken
PërgjigjuA konfirmohet kjo e ardhur nga Drejt Pergj e Tatim-Taksave ? Me pas llogarite dhe konkluzionet jane me te qarta ! E perjashton kjo shifer informalitetin ? Rruga e dibres
PërgjigjuKafja e cilësisë më të ulët vetëm në Shqipëri hyn se e kanë monopol qeveria
Përgjigju