Biznesi i vogël çlirohet nga tatimi dhe TVSh por goditen me 40 mln dollarë të ardhurat

6 Tetor 2020, 19:58| Përditesimi: 6 Tetor 2020, 20:08

  • Share

40 milionë dollarë do të humbasë buxheti i shtetit nga heqja e tatimit fitimit për bizneset me xhiro deri në 14 milionë lekë dhe nga heqja e TVSh për bizneset me xhiro deri në 10 milionë lekë. Këto para nuk do të humbin por do të qëndrojnë në xhepat e sipërmarrësve të biznesit të vogël duke rritur më shumë konsumin.

Nga zerimi i TVSH-së buxheti i shtetit do të humbasë një pjesë të konsiderueshme ose afro 3.3 miliardë lekë. Duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm më shumë se 46 mijë biznese nuk do të paguajnë Tatim mbi Vlerën e Shtuar. Në këtë mënyrë ata do të çlirohen edhe nga kontrolli i vazhdueshëm nga inspektorët tatimorë.

Duke qenë se TVSh është zëri kryesor në të ardhurat tatimore, dhe sipas të dhënave zyrtare në vitin 2019 përbënte 30% të totalit të ardhurave të mbledhura nga tatimet, edhe ndikimi negativ në buxhet do të jetë më i lartë. Numri i bizneseve që dalin nga skema e TVSh mund të ndryshojë duke marrë në konsideratë edhe bizneset e reja që regjistrohen këtë vit si dhe bizneset që mund të kalojnë në statusin pasiv.

Pas këtij vendimi të qeverisë që ndihmon sipërmarrjen e vogël fshihet një rrezik, pasi biznesi i madh mund të ndahet në disa sipërmarrje më të vogla për të përfituar nga lehtësirat që vendosi qeveria.

Ndërsa ndikimi që do të ketë përjashtimi nga tatim fitimi në buxhet do të jetë më i vogël, pasi kontributi më së shumti jepet nga biznesi i madh. Buxhetit do ti mungojnë nga ky zerim 500 milionë lekë. Aktualisht nga tatim-fitimi janë të përjashtuar 93.743 biznese pasi qarkullojnë nga 0-5 milionë lekë. Kësaj kategorie do ti shtohen edhe tatimpaguesit nga 5-14 milionë lekë që nuk do të paguajnë tatim fitim.

Në total sipas Ministrisë së Financave duke filluar nga viti 2021 do të jenë të përjashtuar nga ky tatim 111 mijë biznese në të gjithë vendin, nga të cilët afro 45 mijë biznese në kryeqytet. Deri në vitin 2029 buxheti i shtetit do të humbasë rreth 360 milionë dollarë.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?