Foto ilustruese

Ekonomi

Biznesi po merr më pak kredi për investime, por huaja për prona vazhdon rritjen

6 Qershor, 08:56| Përditesimi: 6 Qershor, 09:01

  • Share

Kredia e biznesit për investime ka pësuar rënie në muajt e parë të këtij viti.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, për periudhën janar-prill kredia e re për investime kishte vlerën e 24.3 miliardë lekëve, në rënie me 20% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rënia ka ardhur e gjitha nga kredia për investim në makineri dhe pajisje, ndërkohë që kredia me qëllim investimin në pasuri të paluajtshme ka vazhduar të rritet.

Kredia për blerjen e makinerive dhe pajisjeve kishte vlerën e 7 miliardë lekëve, në rënie me 56% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërsa kredia e re për pasuri të paluajtshme për bizneset në katër muajt e parë të vitit arriti në 17.2 miliardë lekë, në rritje vjetore me 19%.

Në tërësi, kredia për biznesin në muajt e parë të këtij viti paraqitet në stanjacion, me një vlerë të përafërt me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Pavarësisht rënies së flukseve të reja, kredia e biznesit me qëllim financimin e investimeve ngelet në rritje dyshifrore, e shprehur si tepricë portofoli. Në fund të prillit, portofoli i kredisë për investime arriti në 285.2 miliardë lekë, në rritje vjetore me 15.5%. Duke qenë se kredia për investime në përgjithësi ka afate më të gjata shlyerjeje dhe amortizimi, ngadalësimi i kredisë së re reflektohet më ngadalë në ritmet e rritjes së portofolit total. Kredia për investime përbën afërsisht 59% të vlerës totale të kredisë për bizneset, ndërsa kredia për pasuri të paluajtshme përbën rreth 40% të portofolit.

Gjallërimi i kredisë për biznesin, sidomos asaj për investime, i dha shtysën kryesore rritjes së kreditimit të ekonomisë vitin e kaluar.

Shtysa kryesore edhe vitin e kaluar ishte kredia për pasuri të paluajtshme. Kjo ka rritur edhe ekspozimin e sektorit bankar kundrejt ecurisë së tregut të pasurive të paluajtshme. Sipas të dhënave më të fundit të Bankës së Shqipërisë, në fund të 2024 46% e tepricës së kredisë për ekonominë ishte e siguruara me prona.
Banka e Shqipërisë reagoi duke aplikuar për herë të parë një shtesë kundërciklike të kapitalit për bankat tregtare, me qëllim kryesor ngadalësimin e rritjes së kredisë për prona.

Të dhënat paraprake të INSTAT treguan se vitin e kaluar ecuria e investimeve në ekonomi ishte pozitive. Formimi bruto i kapitalit fiks u rrit mesatarisht me 4.5% për katër tremujorit të vitit të kaluar, me ritme më të larta se mesatarja e rritjes ekonomike. Kredia bankare duket se ka dhënë kontribut të rëndësishëm në zgjerimin e investimeve në ekonomi./Monitor

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Botërori 2026, si e parashikoni përballjen Shqipëri-Serbi?