Në vijim të bashkëpunimeve italo-shqiptare, edhe bashkia e Mirditës, pas binjakëzimit me një prej komunave kalabreze, tashmë po synon bashkëpunimin në fusha të ndryshme me qëllim nxitjen e zhvillimeve social-ekonomike.
Kryebashkiaku i Mirditës, Albert Melyshi i shoqëruar nga disa biznesmen shqiptarë, përfaqësues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë zhvilluan një vizitë në Kozancë të Italisë me qëllim shkëmbimin e eksperiencave dhe thellimin e bashkëpunimit.
Në këtë kuadër, sipërmarrësit shqiptarë, të kryesuar nga Nikolin Jakaj, zhvilluan dhe një takim me rreth 70 sipërmarrës italianë.
‘Gjatë takimit me delegacionin e Dhomës së Tregtisë së Tiranës vizituam disa ndërmarrje kalabreze të zonës sonë. Delegacioni zgjodhi të vizitojë dhe një nga prodhuesit e verërave, një pasuri me origjinë kalabreze që prodhon verëra me varietete autoktone. Kemi vizituar prodhues të qumështit në Qendrën e Qumështit të Kalabrisë, si dhe prodhues të energjisë të rinovueshme, dhe tani jemi në vreshtat kalabreze’, tha një sipërmarrës.
‘Vizita ishte shumë befasuese dhe për ne, sepse po vërejmë shumë mundësi bashkëpunimi me Shqipërinë. Mund të eksportojmë produkte apo të bashkëpunojmë mes sipermarrjeve’, tha një sipërmarrës tjetër.
‘Kemi disa mundësi për të krijuar marrëdhënie tregtare me Shqipërinë, si dhe për të investuar potencialisht në territorin shqiptar. Na intereson veçanërisht të hapemi drejt tregjeve të reja, dhe nëse ekziston mundësia për të furnizuar tregjet shqiptare me produktet e shkëlqyera që ofron bujqësia kalabreze, kjo është padyshim një mundësi e madhe për ndërmarrjet tona’, tha sipërmarrësi.
Për kryebashkiakun e Mirditës, Albert Melyshi, bashkëpunime të tilla i hapin rrugë zhvillimit ekonomik dhe promovimit të produkteve vendase.
Vizita e sipërmarrësve shqiptarë pritet të pasohet nga një tjetër vizitë e kolegëve të tyre italianë në zonën e Mirditës, çfarë pritet të ndikojë në ndërtimin e urave të bashkëpunimit me fermerët lokal dhe bizneset e tjera të zonës, kryesisht në fushën e agroturizmit.
Komente
