Biznesmeni Laert Kasaj, pronari i bar-restorant “Tokyo” në kompleksin Delijorgji në Tiranë, që u dhunua nga dy vëllezër sipërmarrës, ka reaguar përmes një letre publike ku sqaron situatën dhe aludimet e bëra online nga disa portale.
Kasaj thotë se nuk ka bërë asnjë denoncim te Kryeministri ndaj biznesit “Stockholm” të vëllezërve Ferhat e Olti Kaja që e dhunuan, pasi këta të fundit dhe sipas një portali online, pretendohej se i kishte spiunuar që nuk kishin liruar hapësirën publike.
Biznesmeni Laert Kasaj i konsideron shpifje dhe të pavërteta këto pretendime.
Pikërisht për këto shpifje dhe dhunën e ushtruar ndaj tij, Kasaj bën të ditur se do të ndjekë rrugën ligjore.
Biznesmeni Laert Kasaj u dhunua barbarisht nga pronarët e lokalit "Stockholm", vëllezërit Ferhat dhe Olti Kaja, të cilët janë shpallur në kërkim
Shkak i sherrit është bërë dyshimi i vëllezërve të lokalit “Stockholm", se Laert Kasaj kishte fotografuar biznesin e tyre dhe e denonconte te autoritetet si subjekt që nuk kishte liruar ende hapësirat publike.
Reagimi i i plotë i Laert Kasajt:
Në këto ditë të vështira për mua dhe familjen time, ndjej nevojën të ndaj disa fjalë me publikun. Para dy ditësh jam bërë objekt i një sulmi të dhunshëm, të paramenduar dhe të organizuar, nga persona konkretë që kanë ardhur poshtë zyrës sime të pajisur me mjete të forta. Pavarësisht se ishte një ngjarje e paprovokuar, në vend që të dënohej dhuna, janë bërë përpjekje për ta justifikuar atë, madje duke më akuzuar se e kam nxitur vetë.
Shkak për gjithë këtë, sipas vetë autorëve, është bërë një postim i shpërndarë nga një portal online, në të cilin përmendet lokali i tyre ndër të tjerë. Ironikisht, në atë postim, lokali në pronësinë time është ai që shihet në disa foto, ndërsa të tjerët, përfshirë lokalin e autorëve, pasqyrohen më pak. Megjithatë, kjo u mjaftoi për të më vënë në shënjestër. Për më tepër, janë shpërndarë lajme të rreme se unë paskam bërë denoncime te Kryeministri kundër autorëve. Ky është një pretendim absurd, pasi unë nuk kam asnjë kontakt me Kryeministrin dhe, pas rreth 20 vitesh në biznes, nuk kam nevojë të merrem me punët e të tjerëve, aq më pak me persona që as nuk janë konkurrentët e mi.
Zotëroj 12 kompani që janë ndër më të suksesshmet në Shqipëri në fushat e tyre. Këto biznese punësojnë rreth 250 punonjës, të cilët çdo ditë japin më të mirën e tyre me përkushtim dhe profesionalizëm. Ata nuk kanë pse të përballen me pasiguri apo frikë, për shkak të një fushate të padrejtë që nuk ka të bëjë me punën tonë. Në këtë klimë të rënduar, më shqetëson edhe se si disa portale online publikojnë çdo gjë që u sjell klikime, pa verifikuar burimet, pa u interesuar për të vërtetën, pa menduar për pasojat që sjellin mbi njerëzit. Kjo është një sjellje e rrezikshme, që ushqen dhunë, urrejtje dhe ndjenjë padrejtësie. Në përfundim, kam vendosur të ndjek të gjitha rrugët ligjore për të mbrojtur dinjitetin tim, të vërtetën dhe të drejtën time për të mos u përballur me dhunë dhe shpifje.
Lajmi kryesor:
'Na spiunove te Rama për hapësirën publike’? Dy vëllezërit biznesmenë rrahin pronarin e lokalit ‘Tokyo’ në Tiranë, shpallen në kërkim
V.GJ /ReportTv.al