Biznesmeni trashëgimtar te kullat te Liqeni tregon takimin e tensionuar Nano-Mëngjesi

6 Qershor, 15:12| Përditesimi: 6 Qershor, 15:23

  • Share

Biznesmeni Arben Rreli, një nga trashëgimtarët e pronës ku sot janë ndërtuar kullat e Bashkim Ulajt te Diga e Liqenit, në dëshminë dhënë për hetuesit ka treguar detaje mbi kushtet e kontratës që familjet lidhën me avokatin Sokol Mëngjesi, sot në gjendje të rëndë në një spital në Athinë. Ai thotë se shumica e trashëgimtarëve nuk kishin mundësi të paguanin shpenzimet e avokatit, dhe ranë dakord me Sokol Mëngjësin duke firmosur një akt-marrëveshje që nëse fitonte procesin, 30% e sipërfaqes së tokës do t’i kalonte si kompensim për shërbimin e kryer.

Gjyqi është fituar në 2018-ën në Apel dhe 5 pjesëtarë nga trungu i trashëgimtarëve e kanë paguar avokatin. Ndërsa 3 pjesëtare - zbulon Rreli - nuk i shlyen detyrimet, mes tyre edhe Dritan Nano.

Biznesmeni Arben Rreli sipas dosjes hetimore, ka treguar se 3 ditë para se të sulmohej, avokati Mëngjesi e ka marrë në telefon dhe i ka kërkuar të takoheshin afër zyrës së tij në ish-bllok për t’i kërkuar ndihmë nëse mund të fliste me pjesëtarët e aktmarrëveshjes që nuk e paguanin.

Në takim, biznesmeni Rreli thotë se avokati i kishte treguar i shqetësuar se në muajin shkurt ishte takuar në kafe me Dritan Nanon i cili refuzoi t’i shlyente detyrimin. Në këto kushte – siç biznesmeni Rreli tregon nga biseda me avokatin- Mëngjesi i kishte thënë se do t’i drejtohej gjykatës, por Dritan Nano i cili ishte i shoqëruar nga 3 persona të tjerë ulur në tavolinën ngjitur, nisi t’i bënte presion.

Sipas kronologjisë së dëshmive, një nga 3 personat në kafe, ka qenë dhëndri i Nanos, Dorian Alia, i arrestuar për dhunën ndaj avokatit. 32-vjeçari insiston se përballja me avokatin më 29 maj ishte rastësore, teksa vetë ai ishte me dy kushërinjtë, Elton Kasaj dhe Drivald Alia, të shpallur në kërkim.

I riu ka dëshmuar se iu afrua avokatit por nuk i pëlqeu mimika që ai bëri, iu drejtua me fjalët:“ Çfarë janë këto gjoba që vendos” dhe avokati iu përgjigj se nuk e njeh fare, çka e nxiti sipas tij ta godasë vetëm me një grusht në fytyrë. Në fakt, pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se pasi avokati bie në tokë ai goditet me shkelma në trup dhe kokë.

Provuar me pamje të kamerave të sigurisë, pas sulmit Dorian Alia ikën me një makinë, e cila rezultoi të jetë e Romario Tabakut, mikut të tij, i shpallur në kërkim, por thotë se i kërkoi ta çojë te liqeni pa i treguar se ç’kishte ndodhur. Ndërkohë, dy kushërinjtë sipas pamjeve pasi vrapuan nëpër lagje, hipin në taksi.

Në fakt, ashtu siç e paralajmëroi, avokati e paditi Nanon dhe prona e tij te Liqeni është bllokuar në hipotekë. Nga dëshmitë e mbledhur, rezulton se 58-vjeçari Dritan Nano ka dashur ta shesë pronën.

G.M.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Po pra: 07/06/2024 09:42

    Pronari i kullave e rrahu kët avokatin. Ose ndoshta ai biznesmeni i bananeve, ose ish-Kryeministri i municionit kinez të Gërdecit, ose biznesmeni i naftës, ose ai i doganave, i TIMS-it, Kafesë, etj. Pra me pak fjalë hajdutët dhe kriminelat e këtij vendi rrahën avokatin e tyre .

    Përgjigju
  • fredi: 06/06/2024 22:43

    Prona eshte e shenjte dhe per te nuk te fal kush.Kjo qe ndodhi duhet te jete nje mësim per te gjith ata avokat gjyqtare e seksere te ndyre se ka kështu ka dhe me keq prandaj duhet te punojnë me drejtësi.

    Përgjigju
    • Albin: 07/06/2024 11:47

      Avokati u kreu një shërbim dhe normalisht ka të drejtën e pagesës për të. Nëse nuk do ti japësh tokën si kompensim, merr kredi, merru borxh familjarve ose nëse çmimi të duket I lartë shko te një avokat tjetër askush nuk të pengon. Por të pranosh kushtet e avokatit e pastaj ti thuash u pagove njëherë nga familjarët e mi dhe unë nuk të paguaj, atëherë avokati ka të drejtë të të hedhë në gjyq. Se në fund të ditës avokati nuk është për të bërë bamirësi

  • shaban: 06/06/2024 15:42

    Askush nuk thote pse pronaret duhet te marrin avokat e te shkojne ne gjyq per pronen e tyre dhe per me teper nese prona kishte "konflikt" si eshte ndertuar mbi nje prone te tille, kush pale "pronare" ka firmosur marreveshjen mbi ndertuesin, mbi cfare dokumenti ponesie, si e ka fituar kete pronesi qe me pas eshte rrezuar ne gjykat eme ndihmen e avokatit? dhuna e denueshme ndaj avokatot eshte pasoje e padrejtesive qe perballen njerezit dhe pronaret

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?