Reportazh

Bjeshka e 'Lkenit të Ponarëve', një mrekulli e harruar...Vetëm pak kilometra nga qyteti i Bajram Currit, një 'oaz' mes maleve

21 Shtator 2021, 11:34| Përditesimi: 21 Shtator 2021, 12:30

  • Share

Report Tv është zhvendosur në bjeshkët e liqenit, apo siç i thonë banorët vendas, Lkenit të Ponarëve.

Në rrethin e Tropojës, 70% të sipërfaqes e zënë malet, ndërsa bujarisht natyra i ka falur lugina e pllaja qenë gjirin e tyre kanë me dhjetëra liqene akullnajore, të rrethuara me pyje pishe,bredhi apo ahu. E, pikërisht në zemër të majës së malit të Hekurave ndodhet bjeshka e Lkenit të Ponarëve.

Kjo bjeshkë shtrihet në një lartësi nga 1400 m deri në 2600 m mbi nivelin e detit. Forma e saj të ngjan me një oaz madhështor që ndahet në disa lugina që shkojnë në ngjitje drejt majës së Hekurave.

Kur ka nevojë për frymëzim, kompozitori Skënder Doshlani, “mjeshtër i madh”, rikthehet shpesh në bjeshkë. Tingujt e natyrës dhe malet e thepisura dhe liqeni i Ponarëve, janë muzë e padiskutueshme për krijimtarinë e tij.

Në gjirin e saj bjeshka mban një florë e faunë të pasur që e rrethon hijshëm liqenin e Ponarëve.

Kjo zonë shquhet për kullota alpine mjaft të përshtatshme për bagëtitë e imëta. Bjeshkës natyra i ka falur gjithçka, por banorët vuajnë mungesën e ujit të pijshëm. Për këtë arsye, gjatë periudhës së dimrit ata përdorin për ujë dëborën e shkrirë, por kur rezervat në shpellat natyrore me dëborë mbarojnë, për banorët nis sërish kalvari i përpjekjeve për ta siguruar. Skënder Doshlani thotë se mjaftojnë vetëm dy orë punë, një fadromë dhe disa punonjës qëkëto banorët të mund të ndjejnë gurgullimën e ujit të pijshëm, e të shijojë freskinë e tij.

Bjeshka e Lkenit të Ponarëve ndodhet fare pranë qytetit të Bajram Currit, por, rruga është tërësisht e amortizuar dhe njëkohësisht e rrezikshme për turistët vendas e të huaj.

Sipas banorëve, nëse do të merreshin masa për rikonstruksionin e saj, turistët do të ishin më të shumtë në numër, çka do të sillte më shumë mirëqenie për banorët vendas.

Në këtë oaz të bukur të natyrës verojnë shumë banorë, një prej të cilëve është edhe blegtori Hajredin Meta. 6 muajt më të ngrohtë të vitit, ai i kalon në bjeshkë, ku merret me mbarështimin e rreth 150 krerë bagëtish. Por atë e shqetëson mungesa e ujit të pijshëm sidomos gjatë fundit të muajt gusht.

Meta rrëfen edhe një histori, sipas së cilës Liqenin e Ponarëve e ka vizituar edhe Dervish Luzha “Nderi i Kombit”. Ku ngulte kazmën ai, siç tregon Hajredini, ka dalë ujë. Dhe kjo gjë kishte ndodhur edhe me bjeshkën e Ponarëve.

Banorët kanë gërmuar dhe kanë gjetur shenja uji, por për ta nxjerrë, kërkohen makineri. Shkrimtari Lulzim Logu është një tjetër banor i zonës, të cilit, uji i pijshëm i duket një ëndërr, sa e afërt ashtu edhe e largët.

Largohemi nga bjeshka e Lkenit të ponarëve duke marrë me vete ajrin e pastër të natyrës, bukuritëe saj, dhe shumë qetësi shpirtërore. Kjo bjeshkë, me një natyrë sa të egër, ashtu edhe të paqtë, të ndjell për ta vizituar sërish, por mungesa e rrugës e bën diçka të tillë gati të parealizueshme.

Me shpresën se Bashkia do të bëjë realitet dy kërkesat jetike të banorëve, lëmë pas bjeshkët, ku pavarësisht se në një zonë të thellë malore të vendit, jeta rrjedh përditë, edhe pse pa ujë e pa rrugë, dy elementë jetikë në këtë shekull të 21-të.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?