Shumë gazetarë pranë Berishës, ashtu si edhe në rastet e tjera, kanë nxituar që ta gjejnë fajin tek Edi Rama, për humbjen në kufijtë e të pabesueshmes.
Dhe marrin me radhë arsyet e përhershme, nga administrata, tek kapja e drejtësisë, medias, blerja e votave etj etj.
Nuk ka asgjë të re këtu, sepse është e vërtetë, fjala vjen, që Rama ka me vete administratën, dhe kjo është e kuptueshme në një vend si Shqipëria, apo edhe mbështetjen e mediave në shumicë.
Por edhe drejtësinë, po të doni, edhe pse ajo i ka dhënë goditjen më të fortë pikërisht para nisjes së fushatës, duke arrestuar një faktor të fortë politik si Erion Veliaj dhe ngriti një taskë forcë për të parandaluar shitblerjen e votive gjatë fushatës elektorale.
Kishte probleme në zgjedhje? Sa të duash.
Është i favorizuar Rama, sepse përdor pushtetin për të marrë vota?
Padiskutim që po. Kushdo do ta bënte këtë gjë.
Vetëm se të gjitha këto do të kishin kuptim në ndikimin e rezultatit, nëse PS dhe PD do të ishin shumë afër në vota, por diferenca është aq e madhe, sa zhbën çdo manipulim dhe vjedhje të mundshme nga socilistët.
270 mijë vota, janë një diferencë shumë e madhe, për të thënë se zgjedhjet u manipuluan.
Për më tepër, që socialistët kanë aty aty, të njëjtat vota që kanë pasur edhe në zgjedhjet e shkuara.
Ajo që ka humbur vota, është PD-LSI, të cilat, siç po duket, kanë shkuar tek partitë e reja.
Këtë, natyrisht gazetarët që duan të mbajnë Berishën ende në lojë, nuk e marrin në shqyrtim, sepse pastaj do të rrëzohej çdi alibi për humbjen e 11 majit.
Dhe vazhdojnë me të njëjtin avaz, “Nuk ka zgjedhje me Ramën”, “U bë masakër zgjedhore”, “U blenë votat” etj etj.
Po mo po, nuk është i kulluar Rama.
Por nuk mund të fshiheni përherë pas Ramës, se mungojnë 270 mijë vota, jo 270.
Dhe ato, vështirë se ka alibi që i justifikon.
As sllogani i gatshëm “Fajin e ka Rama”, si socialistët dikur “Fajin e ka Saliu”./Tema
Komente
